“Pas fazës së parë, pranimet t’u lihet në dorë vetë universiteteve”

Dekani i Drejtësisë, Artan Hoxha, propozon mënyrën e shmangies së kuotave të paplotësuara 

Pas raundit të parë të pranimeve, procesi i regjistrimeve duhet t’u lihet në dorë vetë universiteteve, në mënyrë që të shmanget situata e një viti më parë, ku vetëm në Universitetin e Tiranës rezultuan 720 kuota të paplotësuara. Propozimi vjen nga dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, ku në fazën e parë janë regjistruar 30% e studentëve të rinj fitues. Sipas Hoxhës, numri i ulët i regjistrimeve në fakultete ka ardhur pasi studentët janë të pasigurt, ndërkohë që afati 48-orësh i regjistrimit është kohë e shkurtër për të marrë vendim. “Është pasiguria e studentëve lidhur me zgjedhjen e një nga preferencat që kanë bërë se kush është e parë, e dytë. Vijnë afër asaj që mendojnë se është e para, por nuk janë fitues. Studentët e shkëlqyer kanë të drejtë të regjistrohen në disa programe dhe kështu ata bllokojnë disa nga vendet që janë vakante për programe të ndryshme të studimeve. Faza e parë e ka këtë problematikë. Fakulteti Juridik ka regjistruar rreth 30% të studentëve, krahasuar me të tjerët jemi mirë, por kjo nuk është ajo që prisnim. Kemi 750 studentë ose kuota, kemi regjistruar afër 200 deri tani”, tha Hoxha. Dekani thotë se një tjetër problem për numrin e ulët të regjistrimeve në fakultete është edhe afati i shkurtër prej 48-orësh. Ndaj ai sugjeron që pas fazës së parë procesi t’u lihet në dorë vetë institucioneve të arsimit të lartë, për të evituar kështu edhe kuotat bosh në mbyllje të regjistrimeve, ku një vit më parë në UT rezultuan 720 vende vakante. “Këto afate krijojnë probleme për vetë kandidatin, krijojnë problem për strukturat universitare, për mënyrën se si ne duhet ta zbatojmë Ligjin për Arsimin e Lartë. Do ishte mirë që pas fazës së parë çdo veprimtari që vjen më tej të ishte nën autoritetin e institucioneve të arsimit të lartë”, tha Hoxha për “Ora News”. Brenda 7 fazave të regjistrimit në raundin e parë të pranimeve studentët kanë vetëm një të drejtë regjistrimi dhe çregjistrimi më 12 shtator. Ata që vendosin të çregjistrohen për të ndryshuar programin e studimit kanë të drejtë të vijojnë garën në raundin e dytë të pranimeve. Gjithashtu, edhe dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, nënvizoi dy ditë më parë vështirësitë që vijnë nga caktimi i afatit 48-orësh për studentët. Brenda kësaj kohe, ata duhet të vendosin për t’u regjistruar në degën ku kanë dalë fitues apo të presin për të dalë fitues në një degë tjetër që mund të jetë në preferencat e tyre të para. Ky proces ka sjellë paqartësi dhe ankth te aplikantët, ndërsa Kule premtoi se do të kishte edhe shtesa kuotash për të mundësuar pranimin e të gjithë maturantëve me rezultate të mira.