Harallamb Zerva/ Nuk mund të ketë 7 Mars pa Pandeli Sotirin

583
Sigal

Shkas për të shkruar këto rreshta për 7 Marsin ishte festimi i 125-vjetorit të Shkollës së Parë Shqipe në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Shkuan në qytetin e Korçës në këtë ditë  ministra, deputetë, pushtetarë e opozitarë, mbajtën fjalime e bënë përshëndetje para mësuesve, nxënësve e prindërve të tyre. Folën këta për kontributin e rilindësve tanë, për shkollën e gjuhën shqipe, por asnjëri e theksoi, asnjëri prej tyre nuk u kujtua dhe nuk e zuri në gojë emrin e rilindësit të shquar, drejtorin e së parës Shkollë Kombëtare Shqipe dhe laike njëkohësisht, birin e spikatur të Selckës e Lunxhërisë, Pandeli Sotirin. Haresë apo çfarë…!? Besoj se nuk u ndjeva vetëm unë i habitur dhe i zhgënjyer nga ky fakt, por mendoj se edhe shumë mësues e akademikë që lëvrojnë në fushën e arsimit e te dijes mbarëkombëtare, e kanë përjetuar jo mirë këtë qasje. Por unë, si bashkëfshatar i Pandeli Sotirit e ndjej për obligim që ta rinxjerr në pah veprën e këtij martiri të kombit  në fushën e arsimit e njëkohësisht t`u kujtoj, veçanërisht administratorëve të arsimit, se nuk do të kishte 7 Mars, nuk do të kishte Ditë të Mësuesit në këtë datë në hapësirën shqiptare pa emrin dhe figurën e Pandeli Sotirit; patjetër që do të kishte një datë tjetër, por ja që historia  ia rezervoi  këtë mundësi, jo rastësisht, këtij rilindësi, këtij personaliteti nga të parët  e arsimit shqiptar. Prandaj, asnjërit prej nesh që jetojmë një shekull e ca më vonë, nuk na lejohet që ta harrojmë historinë e ndritur dhe përpjekjet e sakrificat e korifejve  të Rilindjes kombëtare si në të gjitha fushat, ashtu edhe në atë të arsimit e të dijes. Është shokues fakti që studentë të sotëm apo dhe të diplomuar, gjimnazistë apo nxënës të cikleve më të ulëta, si në shkollat publike dhe në ato private, kur i pyet për emrin e Pandeli Sotirit, ngrenë supet dhe nuk dinë asgjë për këtë figurë të arsimit shqiptar, edhe pse çdo 7 Mars festojnë e bëjnë veprimtari të ndryshme kulturore e artistike së bashku me mësuesit e tyre. Mua më ka rastisur që klasën e parë të fillores ta nis në vitin e 70-vjetorit të hapjes së Shkollës së Parë shqipe në Korçë dhe i kujtoj si sot fjalët e mësuesit të parë në jetën time, Petro Paskali, edhe ky bashkëfshatar i Pandeliut. “A e dini të dashur fëmijë se mësuesi i të parës shkollë shqipe në vendin tonë është nga fshati ynë?” – ishte pyetja  e parë prezantuese e tij më 1 Shtator të atij viti. Një pjesë e jona atëherë 6-7 vjeçare si në korr u përgjigjën PO dhe një pjesë tjetër JO, e mandej mësues Paskali vijoi: “Po, të dashur fëmijë, Pandeli Sotiri që hapi në qytetin e Korçës Shkollën e Parë Shqipe, është bashkëfshatari jonë, por ai tashmë nuk njihet vetëm si bir i Selckës dhe Lunxhërisë, por i të gjithë Shqipërisë…”. E pra, vepra e atdhetarit të paepur, e mjekut shpirtmirë  dhe e mësuesit pasionant, rilindasit Pandeli Sotiri, është sinonim i Shkollës shqipe, i arsimit shqiptar, i datës 7 Mars, datë të cilën organet më të larta të shtetit shqiptar në vitin 1960 e shpallën si “DITA E MËSUESIT”, kurse vetë Pandeliut i akorduan titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Në këtë ditë feste për mësuesit, nxënësit, prindërit, për të gjithë shoqërinë shqiptare, madje në mbarë hapësirën shqipfolëse festohet dhe emri i Pandeli Sotirit është dhe duhet patjetër të jetë në kryefjalë dhe përkrah tij të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë, që ecën në këtë udhë, të cilët me plot kuptimin e fjalës janë martirë të kombit në fushën e arsimit. Prandaj, së pari edukatorëve të brezit tonë të ri, e mandej të gjithë atyre që do të flasin për 7 Marsin, nuk do të jenë asnjëherë bindës nëse në këtë ditë të shënuar nuk do të përmendin mësuesin e drejtorin e parë të shkollës kombëtare shqipe, rilindësin Pandeli Sotiri, por edhe të vëllait të tij më të madh Koto Sotiri, i cili vetëm një javë më vonë nga 7 Marsi 1887, hapi po një shkollë të tillë në qytetin e Pogradecit e më tej në shumë qytete të tjerë të Shqipërisë. Duke e parë në optikën e ditëve të sotme veprën e Pandeli e Koto Sotirit, del se të dy ngritën një shkollë shqipe kombëtare, demokratike, sepse gjuha që përdorej nga mësuesit  shqiptarë qe amtare, brendia e të mësuarit gjithashtu qe kombëtare, fëmijët i pranuan pa dallime klasore, të pasur apo të varfër; pa dallime fetare, myslimanë apo të krishterë; pa dallime seksi, pa dallime krahinore, fshatare apo qytetare dhe se shkolla ishte tërësisht laike. Duke e vënë theksin tek bëma e Pandeli Sotirit, në prag të ditës së 7 Marsit, patjetër që do të kujtojmë e rikujtojmë me nderim e respekt  të gjithë armatën e korifejve të tjerë të arsimit shqip, bashkëpunëtorë të të njëjtit brez rilindësish që hodhën themelet e arsimit shqiptar si: Petro Nini Luarasi, Koto Hoxhi, Jani Vreto, Nuci Naçi, Thanas Sina, Papa Kristo Negovani, Motrat Qirjazi e shumë të tjerë. Kur do të duhet të flasim për emrat e tyre, veprën e përkushtimin e tyre, jetën që ata bënë dhe dhanë për arsimin e gjuhën shqipe, e gjithë shoqëria jonë sot, e kryesisht ata që kanë marrë përsipër edukimin e arsimimin e brezit të ri, normalisht në kushte të tjera e mjaft komode, është gjithnjë momenti të përafrojnë me performancën  e tyre tek idealet e rilindësve tanë. Njëherësh, duke mos mohuar  kurrsesi arritjet mjaft të mëdha të shkollës sonë në vite, data e festës së 7 Marsit  vlen të vlerësohet edhe si një moment reflektimi me problemet që has në ditët e sotme procesi i të nxënit, i ruajtjes së vlerave e traditave  më të mira në këtë fushë dhe i përkushtimit ndaj detyrës së shenjtë të mësuesit.

box

SHKURT PËR JETËN E PANDELI SOTIRIT

Lindi në fshatin Selckë të krahinës së Lunxhërisë në Gjirokastër në vitin 1843. Mësimet e para i mori  në shkollën e Qestoratit të kësaj krahine nga mësuesi Koto Hoxhi. U largua nga fshati disa vite më vonë bashkë më të vëllain, Koton, mbasi një feudal aty afër i vrau të dy prindërit. Në këto kushte, me ndihmën e një të afërmi të tij emigruan në Austri. Këtu Pandeliu filloi dhe përfundoi studimet për mjekësi duke u ushtruar dhe në disa gjuhë të huaja. Në moshën 35 vjeçare u kthye në Atdhe, ku filloi aktivitetin e tij thellësisht patriotik e atdhetar duke formuar e drejtuar disa shoqëri e organe shtypi si: “Prometeu”, “Drita”, “Dituria” etj. Më 7 Mars 1887 hapi në Korçë të parën shkollë kombëtare shqipe e laike. U përndoq vazhdimisht nga autoritetet kishtare e reaksionare të kohës si i padëshiruar për veprimtarinë e tij patriotike. Në vitin 1892 vdiq tragjikisht në Stamboll si rezultat i një kurthi të ngritur nga Mitropolia me ndihmën e gruas së tij greke e të babait të saj . Më 26 Shtator 1999, nën kujdesin e Prof. Dr. Musa Kraja e me ndihmesën e Shoqatës Atdhetare Kulturore “LUNXHERIA” e të banorëve të fshatit Selckë, u organizua në vendlindjen e Pandeliut një festë arsimore, në epiqendër të së cilës ishin nderimi i figurës e veprës së Pandeli e Koto Sotiri.