Prej 5 vitesh nuk janë derdhur sigurimet e 400 mësuesve, nisin hetimet

509
Sigal

Skandali me sigurimet e mësuesve në DAR Librazhd

Një tjetër skandal është zbuluar në sistemin arsimor, kësaj here lidhur me derdhjen e sigurimeve për plot 400 mësues në Drejtorinë Arsimore të rrethit Librazhd. Prej 5 vitesh duke nisur nga viti 2008 deri 2013, Drejtoria e Arsimit në Librazhd, ka mashtruar dhe nuk ka derdhur lekët e sigurimeve shoqërore të plot 400 mësuesve të fshatrave duke rrezikuar vitet e pensionit për qindra prej tyre. Burimet nga DAR Librazhd thanë se “ skandali financiar që llogaritet në miliona lekë, kishte vite që “flinte” në sirtare dhe është zbuluar nga një ekip kontrolli nga KLSH, i cili ka denoncuar edhe ish-drejtuesit e këtij institucioni arsimor”. Tashmë Ministria e Arsimit po kryen verifikimet e veta dhe ka nisur drejt Prokurorisë emrat përgjegjës të këtij skandali financiar. DAR Librazhd, është në listen e gjatë të institucioneve shtetërore të cilat kanë abuzuar me lekët e sigurimeve shoqërore të punonjësve të tyre. Mësuesit e fshatrave pasi janë njohur me skandalin, kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit ndëshkimin e fajtorëve dhe kryerjen e pagesës nga ata që e kanë përvetësuar. KLSH pas zbulimit dhe verifikimit të këtij skandali financiar, ka paditur në Prokurori ish-drejtuesit e DAR  Librazhd, ndërkohë mendohet se shuma e madhe e parave të jetë përvetësuar  duke fallcifikuar  dokumentacionin zyrtar. Nuk dihet akoma se si do të veprohet nga MAS për  të zëvëndësuar  paratë e 5 viteve punë të derdhura për llogari të Sigurimeve Shoqerore. Nga ana e tij edhe ky institucion ka deklaruar se “DAR  Librazhd, nuk ka derdhur asnjë  qindarkë  për  400 mësuesit që pavarsisht se në pagën mujore u është mbajtur  vlera e kontributit  për  Sigurimet Shoqerore”.  Drejtoria e Arsimit në Librazhd mbetet e përfolur  dhe e denoncuar për  emërimet e bëra në shkolla dhe punësimet e dyshimta, por skandali më i fundit  financiar me paratë e kontributeve shoqërore, duhet  të shkundë  Ministrinë e Arsimit, për  të nisur ndëshkimet  ligjore dhe administrative për  të ndalur  shkatërrimit  e atij institucioni. Tashmë  zgjidhjen  e këtij problemi, KLSh dhe MAS  e ka kaluar  në  organet e drejtësisë.

Ben Delimeta