Produktet e Bujqësisë dhe problematika/ Prof. Dr. Alqi Naqellari: Bujqësia të mbrohet, bujqësi bio nuk ka as në xhunglat e Amazonës

1279
Sigal

Bujqësia të mbrohet, bujqësi bio nuk ka as në xhunglat e Amazonës

                                                  

Prof.Dr. Alqi NAQELLARI

 

Thuajse çdo ditë, në ekranet e televizioneve, diskutohet për cilësinë e produkteve bujqësore. Janë apo nuk janë bio, janë apo nuk janë me kimikate, a duhen konsumuar apo jo dhe, nëse duhen konsumuar, cilat duhen konsumuar; prodhimet e vendit apo prodhimet e importuara.

Nëse i shikon dhe dëgjon shpesh këto lloj emisionesh nuk duhet fare të konsumosh produkte bujqësore, as domate, as speca, as patllixhane, as patate, as mollë dhe as, as, as…. Dalin ca “ekspertë” me ca vegla dhe aparate në duar dhe në sy të kamerave futin një tub në tulin e mollës, të domates, të trangullit dhe shikojnë aparatin. Pa ua bërë syri ‘tërt’ me të madhe theksojnë ka kimikate, ka nitrite ka lëndë toksike më shumë nga norma, dhe… përfundimi nuk duhen konsumuar. Kush i autorizon këta njerëz të bëjnë deklarime të tilla, gjoja në mbrojtje të konsumatorit shqiptar, duke dëmtuar imazhin, jo vetëm të një njeriu, të një fermeri të pa ndërgjegjshëm apo të një provokatori, por të dëmtojnë imazhin e gjithë prodhuesve shqiptarë. Me këto reklama dhe denoncime, që shpesh janë jo të vërteta, ata i bëjnë një dëm kolosal jo vetëm bujqësisë, por gjithë ekonomisë shqiptare, sepse bujqësia është e lidhur ngushtësisht me të gjitha degët e tjera të ekonomisë, me agropërpunimin, turizmin dhe me konsumin e përditshëm të qytetarëve.

Këta njerëz që bëjnë këto veprime harrojnë që populli edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër në po ato tregje do shkojë të blejë. Si mendojnë këta, se njerëzit nuk do shkojnë më të blejnë perime, fruta, bukë, mish… po çfarë do konsumojnë??? Me këtë logjikë njerëzit duhet të ikin nga Shqipëria, sepse këtu çdo gjë, sipas tyre, është jashtë standardeve dhe ne do helmohemi.

Harrojnë këta “ekspertë” që deri tani, nuk ka pasur asnjë rast helmimi nga konsumi domateve apo perimeve, në përgjithësi, në mënyrë që të alarmohet qeveria dhe të gjitha organizmat përkatëse.

Këto produkte, na qenkërkan prodhuar nga serat shqiptare dhe, për pasojë fermerët shqiptarë, që i prodhojnë me djersë këto produkte na qenkërkan të pa ndërgjegjshëm, duan të rritin fitimet e tyre në kurriz të cilësisë, në dëm të popullit.

Dhe po të vazhdosh më tej të ndjekësh të nesërmen emisionin tjetër për cilësinë e produkteve bujqësore nuk duhet të konsumosh as mish, sepse theret në mes të rrugës dhe është pa raport veterineri. Nëse ka disa raste që theren bagëti në rrugë kjo nuk përfaqëson gjithë regëtinë e mishit që bëhet në Shqipëri. Kjo është e dënueshme dhe nuk duhet të ndodhë. Por gazetarët e këtyre televizioneve:

  • Nuk kanë parë maunet me viça në Doganën e Qafë Thanës që një dreq e di se nga vijnë dhe si janë rritur.
  • Nuk kanë parë këta thasët me miell pule, me të përbrendshme pule e të imtash.
  • Nuk i kam parë të interesohen për transparencën e të dhënave biosanitare të tyre.

I vetmi rast importi që është denoncuar prej televizioneve shqiptare ishte importi i pulave nga Greqia, që kishin përfunduar ciklin e pjellorisë. I theksoj këto. sepse pjesa më e madhe e prodhimeve bujqësore e blegtorale importohen dhe nuk prodhohen në vend. Po japim disa të dhëna mbi import-eksportet e produkteve shtazore për vitin 2017 për të parë si është ky raport.

  1. Deficiti në produktet shtazore për 2017 ka qenë 18.3 miliardë lekë ose 136.5 milionë euro. Në këtë zë përfshihen: kafshë të gjalla; peshku dhe kafshë guaskore; produktet bulmetore, vezët, mjalti.
  2. Në vitin 2017 deficiti tregtar i mishit u thellua. Importet e mishit dhe kafshëve të gjalla u rritën me 14% në krahasim me një vit më parë.

Dhe po të vazhdosh edhe të nesërmen të ndjekësh emisionin për cilësinë e produkteve bujqësore nuk duhet të konsumosh as peshk, sepse peshku që rritet në Adriatik paskërta shumë lëndë radioaktive në lëkurën e tij. Sepse thonë, është det i mbyllur që nuk ka dalje në Veri dhe për pasojë grumbullon lëndë radioaktive. Dua t’ju them këtyre njerëzve, se po të ishte aq i dëmshëm peshku i Adriatikut nuk do konsumonin as italianët e as kroatët dhe vetë deti Adriatik do izolohej nga një sërë aktivitetesh. Do t’iu them këtyre të shikojnë një sërë emisionesh për vendet përreth Çernobillit, ku lulëzon jeta dhe mosha mesatare kalon 70 vjeç. Sot kjo teoria e radioaktivitetit po e rrit kufirin e saj të poshtëm aq sa në këto zona ka filluar jeta si dikur para shpërthimit.

Dhe po të vazhdosh edhe të nesërmen të ndjekësh emisionin për cilësinë e produkteve bujqësore nuk duhet të konsumosh as mish pule, sepse qenkërkan të prekura me salmonelë etj, pra nuk duhet të konsumosh as mish. Hap një stacion tjetër televiziv dhe shikon që paska dalë lopa e çmendur, dhe më tej sëmundja e derrit. Bukur shumë po çfarë mishi mbetet të konsumojmë???

Dhe po të vazhdosh edhe të nesërmen të shikosh një emision tjetër për cilësinë e produkteve bujqësore nuk duhet të konsumosh as bukë gruri, sepse nuk ka përqindjen e duhur të proteinave, të glutenit, është vetëm hime etj etj. Nuk bën për njerëzit, bën për kafshët, dhe kjo sepse gruri në Shqipëri importohet nga Rusia dhe Serbia në pjesën më të madhe të tij, në mbi 70% të importeve. Po pse vetëm në Shqipëri mielli qenka jashtë standardit, a nuk është po ai që përpunohet edhe në Kosovë dhe Maqedoni? Po pse produktet e brumit në këto vende janë shumë më cilësore se në Shqipëri??

Dhe po kalosh në një stacion tjetër të del uji. Deri te uji kanë shkuar. Harrojnë këta ekspertë që duan të shesin filtrat e ujit që nga uji i Bovillës nuk është sëmurur njeri deri tani, pale më të ketë vdekur. Populli thotë po kaloi uji në 40 gurë pihet, kështuqë këto historira janë përgjithësisht të stisura. Një gjë duhet të dinë njerëzit, se jo të gjithë qytetarët e blejnë ujin, një pjesë e mirë e qytetarëve të Tiranës pinë ujin e Bovillës.

Ekzagjerimi i një fenomeni, me shembujt që përmenda më sipër, më shumë bëhet për efekt të konkurrencës midis agjentëve ekonomikë se sa për llogari të së vërtetës. Keni parasysh kur mbeten vaksinat stok shpiket një grip pule apo grip derri për t’i shitur ato, shpiket një sëmundje, apo një fenomen negativ për të rritur thjesht importet e një produkti.

Me këto që theksova më lartë nuk mbroj njerëzit e pandërgjegjshëm që abuzojnë me prodhimet bujqësore. Por kërkoj të sensibilizoj Ministrinë e Bujqësisë dhe Bashkitë që të ndërtojnë tregje fruta perimesh, tregje bulmeti, tregje të tregtimit të mishit të standardeve moderne dhe me pak shpenzime. Të dinë të mbrojnë prodhuesit shqiptarë se nuk janë të gjithë maskarenj e mashtrues, por njerëz punëtorë e të ndershëm.

Ministria e Bujqësisë dhe AKU, së bashku me Institucionet përgjegjëse të kontrollit të bëjnë transparencë dhe të kërkojnë transparencë nga prodhuesit, importuesit e shitësit, sepse është Qeveria ajo që mbron konsumatorin nga reklamat e gabuara, nga reklamat jo përfaqësuese.

Gjithçka të bëhet transparente nëpërmjet Etiketave të ushqimeve, që nga prodhimet e mishit, siç janë sallameritë, prodhimet e bulmetit, si llojet e kosit, të djathit dhe përbërësit e tyre, sepse ka njerëz që i blejnë edhe me përbërës të tjerë.

  • Kush dëshiron të blejë djathë me niseshte le të blejë, por duhet ta dijë strukturën e tij,
  • kush dëshiron të blejë djathë me 100% qumësht le ta blejë, por të dijë strukturën e tij.
  • Kush do të gatuajë me vaj le të gatuajë, por të bëhet transparente çfarë vaji është, vaj palme, vaj soje, vaj lule dielli apo i ndonjë produkti tjetër. Le të bëhet publike edhe vetë struktura e vajit të palmës, përbërja organo-leptike për të cilin flitet kaq shumë.
  • Kush do mjaltë me sheqer, me kungull, le ta blejë, por të dijë strukturën e tij. Në këtë mënyrë njerëzit të blejnë për atë që paguajnë dhe jo të paguajnë sapunin për djathë. Këtë ta bëjnë këto organizma dhe nuk ka nevojë të dalin nëpër televizione dhe të zihen e të sherrosen me njëri tjetrin.

Ministrat dhe qeveritarët e tjerë të mos dalin dhe t’u bëjnë reklamë Resorteve Turistike, por të dalin dhe të bëjnë transparente pikërisht strukturën e produkteve që përfliten më shumë. Dëgjojmë disa njerëz që thonë se para vitit 1990 hanin bukë gruri bio, kishte lezet, sepse buka kishe aromë gruri. Konsumonim pa frikë domate, patate me ton, presh e lakra me ton, misër etj.

A ka pasur prodhime bujqësore bio para vitit 1990?

Prodhimet bujqësore para vitit 1990 kishin vetëm emrin bio, sepse ishin shumë herë më pak cilësore sesa janë prodhimet bujqësore sot. Por a doli ndonjë të thoshte se nuk janë prodhime të mira? Jo askush nuk doli, përkundrazi disa theksojnë se ato prodhime nuk vijnë më. Më së shumti kjo ishte psikologjike për qytetarët, sepse e vërteta nuk ishte kështu. Le të japim disa shembuj.

  • -Vaji “kikirikut, lulediellit” vinte fundërrinë nga linjat e përpunimit të Bullgarisë dhe Hungarisë, sepse ne nuk i plotësonim nevojat e vendit me vajin tonë dhe, një pjesë e tij shitej ashtu siç vinte, sepse kishte mungesë tregu. Konsumonim vaj balene që kërciste në tigan dhe nuk ankohej njeri. Më i pastër ishte vaji pushkës sesa vaji i kikirikut, sa për vaj ulliri as që bëhej fjalë fare.
  • Bimët e arave, drithërat, perimet, foragjeret etj, mbyteshin me mijëra ton insekticide, pesticide, fungicide dhe herbicide, kultura e grurit nuk tarej me dorë por kalonin traktorët me goma dhe bënin 3-4 spërkatje. Edhe në depot e grurit për ruajtjen e tij nga miza, kandra e grurit përdorej fotoksina, pra që nga mbjellja, përzierja me granozan dhe deri në treg kulturat bujqësore shoqëroheshin nga helmet.
  • -Në kooperativat dhe ndërmarrjet bujqësore në kulturën e patates, kundër buburrecit përdoreshin me mijëra ton lindan, me dy lloje përqendrimesh. Kjo bëhej edhe më prezent për ato kooperativa ose ndërmarrje bujqësore që eksportonin pataten, sepse blerësit e huaj, nëse shikonin në thasë qoftë edhe një buburrec patateje ta kthenin mbrapsht të gjithë maunen. Ata ishin shumë të kujdesshëm ndaj infektimit biologjik.
  • Vreshtat dhe pjergullat spërkateshin me lëng bordolez, gurë kali, kumulusi që luftonte hirin nga 3-4 herë në vartësi të kohës, sepse pas çdo shiu duhej bërë një spërkatje pasi shpëlahej. Me gjithë këto spërkatje nuk kishte ndonjë pastrim të veçantë para se të futej për përpunim për verë apo për raki.

    ??????????????

Të gjithë e kanë parasysh stokun e lëndëve helmuese të kooperativave bujqësore që ishte krijuar në të gjitha rrethet e vendit, veçanërisht në rrethet e Durrësit dhe të Fierit. Ai stok nuk ekziston sot.

Në tokë hidheshin me mijëra ton pleh kimik si ure, nitrat dhe superfosfat. Vetëm në vitin 1988 janë hedhur mbi 372 mijë ton plehra kimike nga 126 mijë ton që janë përdorur në 2018. Të gjitha këto te toka dhe bima shkonin, dhe indirekt edhe në trupin e njeriut.

Është shumë interesante se gjithçka, dhe gjithë devijimet e produkteve ose mutacionet e tyre njerëzit i lidhin me trajtimin kimik. Shikojnë një domate brenda një domateje, apo një domate të drunjëzuar mbi normalen dhe menjëherë theksojnë se i kanë bërë me gjilpëra, i kanë lyer me ilaçe etj., etj.

Përdorimi preparateve kimike ndikon në pjekjen e shpejtë, në formimin e ngjyrës, por nuk prish strukturën biologjike të bimës, ul cilësinë e saj por nuk e bën produkt toksik. Mutacionet apo shpërthimet gjenetike, janë të lidhura me shkaqe të tjera, me organizmat e modifikuara gjenetikisht, janë të lidhura me farën. Fara është një nga elementët më të rëndësishëm në prodhimin bujqësor, për të mos thënë se është faktori i parë dhe më kryesori. Në Shqipëri ka me dhjetëra raste të dështimit të farës së misrit si në Vorë që u bë problem kombëtar, apo në Fier, dështimit të bostanit në Lushnjë, dështimit të nënshartesave të hardhive etj., etj. Populli nuk thotë kot çfarë të mbjellësh do korrësh, kështu që jo gjithçka është e lidhur me trajtimet fitosanitare, sepse ka edhe faktorë të brendshëm gjenetikë që nuk varen nga fermerët.

 

Po përse bëhet e gjithë kjo zhurmë e kjo propagandë?

Për mendimin tim përgjigja është e thjeshtë, për konkurrencë, të goditet prodhimi bujqësor shqiptar, të goditet prodhimi vendas. Këta njerëz harrojnë se BUJQËSIA, sektori bujqësor është sektori më i qëndrueshëm në ekonominë shqiptare. Pavarësisht nga përkrahja minimale që i kanë kushtuar qeveritë ai me forcat e tij ka mbijetuar.

Prodhimi bujqësor, sektori bujqësisë megjithëse jep 20% të PBB-së nga bankat kreditohet vetëm me 1.8% të totalit të kredisë.

2014 2015 2016 2017 2018
Im.Gj.mil/All 552,281 544,616 579,248 626,186 641,466
Ushqime, pije, duhan.mil/All 93,971 96,897 100,365 106,738 106,508
% 17.0 17.8 17.3 17.0 16.6
Ex.Gj.mil/All 255,759 243,183 243,497 272,988 310,436
Ushqime, pije, duhan.mil/All 16,747 21,066 25,347 30,081 32,334
% 6.5 8.7 10.4 11.0 10.4
Ex/Im.GJ.% 46.3 44.7 42.0 43.6 48.4
Ex/Im.Ushqime.% 17.8 21.7 25.3 28.2 30.4

 

Bujqësia zë vend të rëndësishëm në eksport-importe. Para 10 vitesh raporti eksport-import në bujqësi ka qenë 1/7, ndërsa sot thuajse ka zbritur në 1/3. Sipas INSTAT eksportet e produkteve bujqësore në vend llogariten 24.6 miliardë lekë (183.4 milionë euro). Importet në 2017-n u llogaritën 73.8 miliardë lekë (apo 550 milionë euro), ndërsa deficiti tregtar është 367.3 milionë euro. Nga eksportet bujqësore frutat dhe perimet zinin për 2017 rreth 40% të totalit me 9.9 miliardë lekë, produktet ushqimore 39% me 9.5 miliardë lekë etj., produktet shtazore zinin 21% të totalit. Produktet ushqimore ndaj totalit të importeve bujqësore zinin në 2017-n rreth 38%, perimet dhe frutat 33% dhe produktet shtazore 29%.

Grafiku i eksporteve bujqësore ndaj totalit për vitin 2017 ka qenë:

Fruta dhe perime 40%

-Ushqime 39%

-Produkte shtazore 21%

Grafiku i importeve bujqësore ndaj totalit për vitin 2017 ka qenë:

 

Fruta dhe perime 33%

-Ushqime 38%

-Produkte shtazore 29 %

Subvencionet e qeverive ndaj bujqësisë kanë qenë dhe mbeten të pa përfillshme në krahasim me nevojat e saj. Kushtet që janë vendosur për përfitimin e tyre bëjnë që vetëm një pjesë e vogël e fermerëve të përfitojnë, përgjithësisht ata që dalin në treg. Qeveritë sipas strategjive të tyre kanë synuar subvencionimin e atyre drejtimeve që ata kanë menduar se do ketë rritje të dukshme prodhimi vendas. Qeveria e parë u përqendrua në arrore, farore dhe në mbjelljen e 20 milionë rrënjëve të ullinjve. Me të gjitha dështoi. Qeveria e fundit, shikon turizmin bujqësor, një sektor fantazmagorik, i cili do të rritë edhe shkallën e punëzënies.

Rol të rëndësishëm në rritjen e prodhimit bujqësor ka dhënë edhe sektori i serave. Bujqësia shqiptare në mënyrë graduale po kalon në një bujqësi intensive me kultura intensive, pavarësisht nga frenimi i saj nga kultivimi i hashashit. Më së shumti janë rritur ndërtimi i serave me plasma. Kjo tregon edhe për mbështetjen shumë të ulët të bujqësisë dhe fermerëve nga ana e qeverisë, me grane dhe subvencione.

1998 1999 2000 2016 2017
1. Serra ngrohje (ha) 30 21 17 71 55
1.1 Me xham 30 17 15 19 23
1.2 Me plasma .. 4 2 52 32
2. Serra diellore 279 395 445 1334 1485
2.1 Me xham 98 112 114 47 42
2.2 Me plasma 181 283 331 1288 1443

 

Bujqësia shqiptare megjithë zhvillimin e saj ka prapambetje të dukshme në fushën e mekanizimit, ajo është nën nivelin e para viteve 1990, ku kishte 2.7 traktorë për 100 hektar tokë bujqësore. Sot në total nga mbi 340 mijë fermerë që ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe ka vetëm 312936 agregate bujqësorë, prej të cilëve traktorë me rrota 9540.

Mekanikë bujqësore 2017
Autokombajna 697
Freza 6970
Kultivator 0
Makina mbjellëse 4058
Mini traktor 5675
Motokorrëse 2768
Traktor me rrota 9540
Traktor me zinxhirë 211
Shuma 31936

 

Përfundimisht, Bujqësia është një nga degët kryesore të ekonomisë shqiptare, ajo duhet të renditet pas degëve të industrisë nxjerrëse e përpunuese, pas sektorit të karburanteve e mineraleve. Ajo ka qenë dhe mbetet një degë e qëndrueshme, por që është mbështetur pak nga Bankat me Kredi dhe nga Qeveritë me grane dhe subvencione.

Bujqësia duhet të mbështetet dhe jo të denigrohet, sepse bujqësi bio nuk ka sot as në xhunglat e Amazonës. Ndotja është fenomen global, po aq sa toka janë të ndotur edhe oqeanet, është e ndotur edhe atmosfera, kështuqë nga ndotja kimike dhe biologjike nuk përjashtohet asnjë zonë e globit, pavarësisht, nëse kultivohet ose jo nga njeriu. Çdo gjë që ne konsumojmë, ushqimet, veshjet, mjetet, banesat nuk është origjinale, edhe vetë njeriu, thuhet nuk është më origjinal por është një OMGJ.