PPP-të Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, abuzime skandaloze teknike, ekonomike dhe morale të qeverisë

Duke parë projektin dhe veprat e artit të stër-zmadhuara të rrugës së Balldrenit, rrugën e panevojshme të Dukatit dhe ndërtimin me dhunë të Tunelit të Llogarasë, dallohet menjëherë që autorë dhe konsulentë janë të njëjtët banditë që kanë përpunuar mega projektin dhe të Unazës së Tiranës. Grupe të caktuara hartojnë projekte gërdallë, pa asnjë normë e përgjegjësi teknike apo tregues fizibiliteti. Ose shfrytëzojnë mirëbesimin e Ramës ose zbatojnë porositë e tij. Për të gjitha rastet, specialistët e projekteve dhe këshillat që i miratojnë, duhen të përgjigjen ligjërisht.

Në gazetën Panorama dt.22/6/2007 u botua artikulli, “Qafa e Llogarasë fundi i nji torture shekullore”. Duke prezantuar për herë të parë variantin e kalimit të Qafës së Llogarasë pa ndërtimin e tuneleve. Trajtimi në median e shkruar dhe vizive kishte si qëllim të informohej mbi korridoret e reja rrugore, por dhe të evidentohej se dega e infrastrukturës rrugore përbën fushën më të prapambetur të zhvillimit të ekonomisë vendore. Me shpresën që në perspektivë, projektet e reja dhe egzistuese, do të ballafaqohen në këshillat teknike, nën dritën e interesave kombëtare. Por, partitë, me të marrë pushtetin po përdorin projektet dhe ndërtimet e rrugëve për të grabitur dhe varfëruar vendin. Koncesionet e partneriteve të rrugës Milot–Balldren, segmentit Orikum-Dukat dhe në perspektivë ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, formojnë poligonin e abuzimeve të pajustifikushme në financimet e infrastrukturës rrugore.

Mbi prurjet dhe zullumet e Partneritetit Publik Privat (P.P.P) media është tejmbushur me shkrime, ku të djathtët i vlerësojnë si grabitje masive, ndërsa të majtët i emërtojnë si novacione në shërbim të ekonomisë. Duke qenë se janë partiake dhe nuk i ka mbetuar më asnjë epitet pa i vendosur njëri tjetrit, jo të gjitha merren seriozisht. Në kakofoninë e krijuar opinioni i gjerë është në udhëkryq, sepse ligjin e kusarisë të Partneritetit P.P.P e kanë hartuar të djathtët. Ai i jep kopetencat e një despoti, drejtuesit të qeverisë. Të majtët i kanë mballomosur disa amendamente shtesë, që të shkundin buxhetin e shtetit sa dhe si të duan. Bile duke ju shmangur edhe çdo përgjiqësie ligjore. P.sh në dy koncesionet e fundit, rruga Milot-Balldren L=17,63 km me kosto 256 milion €uro dhe Orikum-Dukat L=14,7 km V=61 milion €uro të emërtuara si rruga e Floririt dhe Hazineja e Dukatit, evidentohen hapur abuzime jashtë çdo norme teknike, ekonomike dhe morali qeverisje.

MBI P.P.P. MILOT-BALLDREN

Rruga Milot–Balldren, nuk është strategjike, nuk është prioritare, nuk është ekonomike dhe nuk përmirëson asnjë tregues aktual dhe perspektivë të infrastruktuës shqiptare dhe ballkanike. Një seksion me katër korsi si autostrada Tiranë–Durrës, do të lejonte qarkullimin normal për 25 vitet e ardhëshme. Për të arritur në këto konkluzione, në një hartë shqiptare A4, vendosni qarkullimin ekonomik e njerëzor të vendit dhe do të evidentohet se 60% e qarkullimit tregtar realizohet me bregdetin, Europën, mbi 20% me Greqinë, rreth 16% me Kosovën, ndërsa qarkullimi njerëzor mbi 25% realizohet me bregdetin, mbi 33% me Greqinë dhe mbi 20% me Kosovën.

Koncepti i korridorit Adriatiko–Jonian, që do të vijë nga Kroacia kodrinore, Podgorica, Balldreni e Thumana është një sajesë e krimit ekonomik për të shkëputur mardhënien e qeverive shqiptare nga deti dhe bregdeti. Këtij qëllimi ja kanë arritur. Statistikat e qarkullimit të brendshëm dhe të jashtëm nuk kanë asnjë indicije, që segmenti i brendshëm pjesor, Milot–Balldren të jetë strategjik, prioritar apo me perspektivë. Seksionet dhe korsitë e rrugëve ndërtohen mbi bazën e intesitetit aktual dhe perspektivë të qarkullimit mjeteve. Por aty nuk ka asnjë tregues se mbi çfarë bazë traseja rrugore është dimensionuar me 6 korsi, e kompletuar me rrugë anësore të standartit Autostradë *A* Extra Urbane. Duke zgjeruar dhe fryrë koston me kryqëzime, mbikalime, tunele, njësoj si te projekti i dyfishuar i Unazës së Tiranës etj. Por, për një ekonomist, niveli është minimalja të evidentoj abuzimet për nji financim V=256 milion €uro për nji segment të brëndshëm rrugor.

MBI P.P.P ORIKUM-DUKAT V=61 MILIONË €URO DHE TUNELI I LLOGARASË

Paralel me rrugën e Balldrenit është dhënë Parneriteti i rikostruksionit i rrugës Orikum–Dukat me kosto V=61 milionë €uro. E cila nis në Orikum dhe mbaron ku fillon Hyrja e tunelit në përroin e Dukatit.

Por kalimi i qafës së Llogarasë nuk ka nevojë për ndërtimin e tunelit dhe për rrjedhojë nuk ka nevojë për rikostruksionin e rrugës Orikum-Dukat. Këto ja kemi thënë direkt K/ministrit në tavolinë, me projektet para. Projekti kalimit të Llogarasë me Tunel dhe rruga Thumanë–Kashar –Karinë (Rrogozhinë), Koridori imagjinar Adriatiko-Jonian ose Veri–Jug, janë projekte dhe ide të vjetra të viteve 1980-1990 të byrosë projektimit Ministrisë Trasportit. Ato i kanë grabitur specialistët që punonin atje dhe ja shesin shtetit shqiptar si plane perspektive për infrastrukturën e vëndit.

Tuneli i Llogorasë L=5-7 km, që kërkojnë apo do të ndërtojnë, fillon në përroin e Dukatit reth kuotës H=421m dhe del te Ura e Palasës mbi kuotën H=250m. Ndërkohë që mbi Pasha Liman gjendet fusha natyrale e Ravenës në kuotën H=+300 m me dimensione reth S=(4,2×3,6 )=15,2 km2. Aty ndërtohet një nga qytetet më të bukura të Mesdheut, i cili nga njëra anë sheh detin Jon, nga ana tjetër vështron gjirin panoramik të Vlorës. Në një pozicion të caktuar realizohet kalimi i fushës së Ravenës dhe njëkohësisht i Karaburunit pa tunele. Qafa e Llogorasë gjendet në fillim të vargmalit të Karaburunit, i cili reth 16 km zgjatet si mal i veçuar, ndërsa 16 km të pjesës fundore, si gadishull. Mbas kalimit të fushës së Ravenës, rruga fushore zbret gradualisht në bregdet në gjirin e Bristanit, duke udhëtuar në skrapatin Jug-Perëndimor të Karaburunit. E shoqëruar nga pamja e detit Jon.

Për këtë është hartuar dhe projekti dhe është kërkuar zyrtarisht të ndërtohet korridori Turistik Orikum-Ravenë-Himarë, L=57 km pranë vijës bregdetare, me financime private, pa asnjë subvencion nga shteti. Duke eleminuar njëherësh tunelin, rikostruksionin e rrugës Orikum-Dukat dhe duke ndërtuar njëherësh Korridorin Turistik ose Belvedere Jonit, në lartësi të alternuar H=10-50 m mbi niv. e detit.

Por bandat e Min.Transportit si në qeverinë e doktorit edhe të piktorit nuk duan të dinë për norma dhe detyrime administrative apo projekte të reja. Ata kanë vendosur të kalojnë qafën e Llogarasë me tunel. Tuneli është një ndërtim me shumë të panjohura, që siguron përfitime maksimale. Por, ndërtimi i Tunelit nuk i shërben Korridorit Turistik Bregdetar, i cili do kalojë pranë detit. Dikur, rruga e bregut ishte torturë për mjetet dhe shoferin, tashmë është një torturë e vërtetë për mjetet dhe e lodhshme për shoferin.

Foto e Fushës së Ravenës, mbi Pasha Liman, ku parashikohet të kalojë rruga, që eleminon tunelin e Llogarasë. Foto është marë nga bregu i Radhimës

Projekti i kalimit të Llogorasë me Tunel, rruga Thumanë–Kashar–Karinë, (Rrogozhinë), Koridori Veri-Jug, janë projekte dhe ide të vjetra, të viteve 1980-1990 të byrosë së projektimit të Ministrisë së Trasportit. Ato i kanë grabitur specialistët që punonin atje dhe ja shesin shtetit shqiptar si plane perspektive për infrastrukturën e vendit. Ato ndërtohen vetëm me lekët e buxhetit shtetit ose PPP. Projektet e Koridorit Qendror Jugor, Koridorit Turistik Bregdetar, Koridorit të Myzeqesë, Kalimi i Qafës Llogorasë pa Tunele, janë prurje të reja në infrastrukturën vendore. Ndërtimi i tyre nuk ka nevojë për lekët e shtetit

Natyra, për kalimin e Llogarasë ka dhënë mbrekullinë e Fushës së Ravenës. E cila gjendet reth 120 m më poshtë se niveli ku kanë projektuar hapjen e tunelit të Llogarasë. Me të drejtë shtrohet pyetja përse duhet të hapet tuneli përroi Dukatit-Ura e Palasës, kur nuk i shërben perspektivës dhe nuk i shërben udhëtimit në bregdetin e Jugut. Rruga aktuale e bregut është e mbushur me pjerrësi, 20 dhe 30%, jashtë çdo norme teknike. Në segmentin e qafës Vishës-Përroi Himarës, ku humbën jetën 14 studentë (21 maj 2012), pjerrësia është mbi 30%, ashtu e kanë lënë dhe do të ketë aksidente të tjera. Pra, studentët nuk i vranë frenat e autobuzit, por projektuesi i rikostruksionit. Tashmë, viktimat e tjera do të kenë autor ministrinë e Trasportit. Rikostruksioni i qafës së Vdekjes (Qafës së Vishës), nuk kushton më shumë se 1 milion €uro… Brenda një 10-20 vjeçari do të fillojë ndërtimi i Korridorit Turistik Bregdetar, atëhere shtrohen pyetjet se kujt do t’i shërbejë tuneli që do të hapet nën malin e Llogarasë. Përgjigja është e njëjtë, do të hapim me dhunë tunele pa asnjë vizion apo perspektivë, si në rrrugën Milot-Balldren dhe në Llogara, vetëm e vetëm për të grabitur. Midis Tuneleve të Balldrenit dhe Tunelit të Llogarasë nuk ka asnjë ndryshim. Bile, Tuneli i Llogarasë nuk ka asnji arsye pse të ndërtohet.