Xhahilët me diploma false

145
Hajro LIMAJ

Diploma false të doktorëve, inxhinierëve, mësuesve, juristëve ,farmacistëve dhe të fakulteteve të tjera nuk janë 3 apo 500. Janë me dhjetëra mijëra. Për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Kohët e fundit u vërtetua se në administratën shtetërore janë të punësuar 830 kuadro me diploma false. Kjo e dhënë vinte sipas burimeve të SHIK-ut. Po ka shumë më tepër: politikanë, deputetë, biznesmenë e në çdo nivel tjetër. Zgjidhja është e lehtë. Ministria e Arsimit të kalojë në provime shtetërore të gjithë të diplomuarit, siç po bën në disa degë. Le të kalojnë në provim të gjithë gjykatësit, prokurorët, avokatët, noterët, sekretarët me juridik dhe rezultati do të jetë i qartë… Për diplomat false u mbyllën disa universitete, por fatkeqësisht u përdoren dy standarte. Është edhe një universitet “me emër” që skandali shpërtheu në Kosovë me diplomat e doktoraturës. Pse u hesht dhe fatkeqësisht ky është universiteti që mbështetet më shumë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit?!. Diplomat dhe provimet që shiten me para po rishfaqen dhe këto shpesh kthehen në organizata. Edhe më keq akoma. Një pjesë e rëndësishme e diplomave që kanë ardhur nga jashtë janë false! Sidomos nga Maqedonia! Shumë prej tyre ka bërë njësimin e diplomave në MAS, ka nga ata që vazhdojnë pa e bërë fare këtë njësim. Po përse vallë?! Problemi i diplomave false ka qenë dje dhe sot dhe përpjekje do të ketë në vazhdimësi. Edhe pse shumë universitete u mbyllën pikërisht për këtë punë, si do të zgjidhet me ata që prej tyre kanë marrë diplomat false dhe sot bëjnë karrierë ose vazhdojnë doktoraturat?! Sa prej tyre kanë marrë gradat shkencore dhe janë emëruar në postë e detyra të rëndësishme, kur ata jo vetëm janë xhahil për vete, por janë pengesa kryesore për një administratë kualitative apo për universitete kualitative.