Vjedhja e pikturave të Mios fillon nga Pogradeci, janë nxjerrë jashtë Shqipërisë

769
Bardhyl BERBERI 
Pas zbulimit të megaskandalit që në galerinë e Korçës janë vjedhur 27 punë të mjeshtrit të madh, është e udhës të kujtojmë se realisht vjedhja e pikturave të Vangjush Mios fillohet që nga zhdukja e dy punëve perla të tij në Galerinë e Arteve të Pogradecit. Sipas shefit të antikrimeve të qytetit liqenor dy pikturat e famshme të Vangjush Mios “Pazari i Pogradecit me shatërvanin e vjetër” dhe “Varka tip kore në liqen” janë nxjerrë nga Pogradeci dhe janë shitur nga kontrabandistë në Maqedoni. Burime ende të rezervuara për gazetën “Telegraf” për arsye hetimi kanë thënë se dy pikturat e mësipërme të piktorit të popullit Vangjush Mio janë në studion e një koleksionisti pikturash në Maqedoni. Për arsye hetimi ai nuk e tregon emrin e funksionarit të lartë maqedonas ku policia dyshon se ndodhen dy pikturat e vjedhura në Pogradec, madje shefi Arben Vako heq një paralele midis asaj vjedhjeje që është bërë në Pogradec dhe dy vjedhjeve në qytetin e Korçës. Ai i rezervuar thotë për gazetën “Telegraf” se është i njëjti rrjet trafikantësh maqedonas, madje mund të jetë edhe një bullgar që e kanë ‘gjuajtur’ krijimtarinë e Vangjush Mios këtij mjeshtri të madh të poezisë së penelit. Mësohet, se përveç hetimeve në qytetin e Korçës, sot ka nisur marrja në pyetje e të gjithë punonjësve të galerisë në Pogradecit, të cilët janë duke dhënë dëshmitë e tyre rreth kohës që kanë punuar në këtë galeri. Një person kyç, tek galeria private e funksionarit të lartë maqedonas që për arsye hetimi nuk po e japim emrin, ka thënë se rastësisht ka parë galerinë e tij dhe aty kanë qenë jo vetëm “Varka me kore në liqenin e Pogradecit “por edhe “Pazari i Pogradecit me shatërvanin e vjetër”, por dhe punë të tjera të Vangjush Mios. Kjo është arsyeja që shefi i antikrimit heq paralele me vjedhjet në qytetin e Korçës, pasi mund të jetë i njëjti rrjet trafikantësh .

Piktori i merituar Anastas Kostandini që njëherazi është edhe përgjegjësi i galerisë së arteve në Pogradec ka thënë për gazetën “Telegraf”, se këto dy piktura janë marrë nga galeria e arteve në Pogradec në vitet 1996 apo 97 dhe “mua më ka ardhur shumë keq kur ato piktura kanë humbur.Atëherë” thotë Anastas Kostandini. “Në atë kohë ka qenë përgjegjës i galerisë së arteve dikush tjetër, një kolegu ynë piktor”. Por thekson Kostandini: “Këto dy piktura nga dora e një mjeshtri të madh të pikturës shqiptare në galerinë e arteve ishin si dy ikona cilësore, të cilat padyshim që e nderonin galerinë dhe tërhiqnin vëmendjen e vizitorëve të shumtë të huaj dhe vendas. Fillimisht këto dy piktura ishin të vendosura në turizmin e vjetër që në vitin 1960. Në vitin 1980 pas krijimit të galerisë së arteve në qytetin e Pogradecit me një vendim të administratës së asaj kohe këto dy piktura u transferuan nga turizmi tek galeria e arteve dhe në vitin 1996 apo 1997 midis kësaj hapësire u panë se në inventarin e galerisë mungonin këto dy piktura me vlerë të “Piktorit të Popullit” Vangjush Mio. Policia po punon për zbardhjen e kësaj grabitjeje të dy punëve të vyera të mjeshtrit të peizazhit Vangjush Mio, ndërkohë që do të bisedohet edhe me kolegët maqedonas që të zbardhet grabitja dhe njëherazi këto dy punë të vyera t`i rikthehen galerisë së arteve në Pogradec dhe punë të tjera që mund të ndodhen nga galeri e Korçës, ku mungojnë plot 27 punë të mjeshtrit të madh. Pas marrjes në pyetje të punonjësve të galerive në Pogradec dhe në qytetin e Korçës policia do ta shtrijë hetimin përtej kufijve në Maqedoni dhe ka dyshime për një pjesë të tyre, që mund të ndodhen në edhe Greqi, kjo është një pistë hetimi, kanë thënë burimet policore 
Sigal