Vettingu shkarkon anëtarin e KED, probleme me pasurinë dhe profesionalizmin

562
Sigal

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj, njëkohësisht dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi 2019.

Gjyqtarit Islamaj iu gjetën probleme të shumta me pasurinë dhe profesionalizmin.

Vendimi u mor nga Lulzim Hamitaj, Valbona Sanxhakatari dhe Pamela Qirko.

KPK gjeti disa probleme në deklaratën e pasurisë së gjyqtarit Islamaj, veçanërisht në blerjen e një apartamenti, disa makinave dhe mosdeklarimin e disa llogarive bankare.

Gjyqtari ka deklaruar se ka blerë në vitin 2016, një apartament në Tiranë me sipërfaqe 144,5 metër katrorë, me vlerë 10,5 milionë lekë, të gjitha marrë me kredi.

Gjatë seancës, KPK ngriti dyshimet se gjyqtari e ka blerë aparatametin me çmim preferencial dhe se është favorizuar nga sistemi bankar me dhënien e një kredie me vlerë sa 100 për qind e vlerës së apartamentit.

Gjyqtari Islamaj i kundërshtoi këto dyshime, por nuk paraqiti dokumente shtesë për KPK-në.

KPK gjeti mospërputhje në dokumente dhe për blerjen e dy makinave: një autoveture të markës “Cadillac” në vitin 2006 dhe një autoveturë tip “Toyota” të blerë në vitin 2017.

Zoti Islamaj tha se nuk e ka deklarur pronësinë e makinës “Cadillac” sepse “makina ishte prodhim amerikan, kishte probleme tek një fener dhe nuk mund të regjistrohej për këtë arsye”.

Sipas gjyqtarit, ai e ka shitur sërish këtë makinë, dhe me ato të ardhura ka blerë një makinë tip “Benz” në vitin 2007, por për këto transaksione mungonin dokumentet.

KPK gjeti dhe transaksione të dyshimta mes bashkëshortes së gjyqtarit dhe motrës së saj për blerjen e një makinë tip “Volvo”.

Po ashtu, KPK gjeti se gjyqtari ka fshehur 3 depozita: një në vlerë 500 mijë lekësh, një tjetër në vlerë 3 mijë eurosh dhe një në vlerë 400 mijë lekësh në emër të bashkëshortes.

KPK gjeti dhe disa transaksione të dyshimta nga llogaritë e bashkëshortes së Islamajt në vlera me mijëra euro gjatë viteve 2005 deri në vitin 2009, por gjyqtaritha se ato veprime janë krye për llogari të familjarëve që ndodheshin jashtë shtetit.

Në përfundim të seancën, Valbona Sanxhaktari deklaroi:

“Nga analiza financiare konstatohet se subjekti nuk justifikon asnjë pasuri, depozitë apo transaksion dhe se rezulton të ketë një balancë negative në vlerën 1 milion e 599 lekë.”

Për sa i përket profesionalizmit, KPK gjeti dy raste të mundshme të konfliktit të interesit.

Gjykata e Lartë ka shfuqizuar një vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë për vëllain e gjyqtarit, të dhënë nga një trupë gjykuese, pjesë e së cilës ka qenë dhe gjyqtari Islamaj. Gjykata e Lartë ka identifikuar se Islamaj kishte qenë në kushtet e konfliktit të interesit dhe nuk duhet të kishte marrë pjesë në këtë trupë gjykuese.

Rasti tjetër i konfliktit të dyshuar të interesit lidhej me gjykimin e dy çështjeve të një firme ndërtuese, ku vëllai I gjyqtarit kishte blerë shtëpi, të cilën më pas ia ka dhuruar babait.

Zoti Islamaj e kundërshtoi këtë gjetje duke sqaruar se vëllai i tij e ka blerë apartamentit përpara se sa ai të shqyrtonte çështjen e firmës së ndërtimit.