Vendimi për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2018–2020

228
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2018–2020 (PKIE), sipas tekstit dhe aneksit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të bashkërendojë dhe të monitorojë zbatimin e PKIE 2018–2020 nga grupet ndërinstitucionale të punës (GNP), për çdo kapitull, të ngritura me urdhrin nr.107, datë 28.2.2014, të Kryeministrit, “Për ngritjen, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian”. 
3. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të raportojë çdo 3 (tre) muaj në Këshillin e Ministrave për ecurinë e zbatimit të PKIE 2018–2020.
4. Ministritë dhe institucionet e tjera koordinuese të grupeve ndërinstitucionale të punës (GNP) raportojnë pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme çdo 3 muaj (java e tretë e muajit të fundit) për realizimin e detyrimeve që rrjedhin nga PKIE 2018–2020.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të monitorojnë përfshirjen në programin buxhetor afatmesëm, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme të parashikuara në PKIE 2018–2020.
6. Vendimi nr.42, datë 25.1.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2017–2020”, shfuqizohet. 
7. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të Kryeministrit, për të cilat në PKIE 2018–2020 janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA