Skandal në Bulqizë, pasi hiqen nga puna 8 minatorët, zbulojnë mashtrimet e “firmës serioze”

628
Sigal

Punëtorët: Firma është e Kryebashkiakut. Për 8 vjet s’na kanë siguruar. Ja çfarë na premtoi në këmbim të votës

Para disa ditësh Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, z.Myfit Duriçi, i cili ka në pronësi së bashku me vëllezërit e tij disa galeri në Zonën D dhe në Krastë të Martaneshit, ka pushuar 8 (tetë) punëtorë nga puna. Punëtorët e larguar kishin tetë vjet që punonin në firmën e tij, por vetëm pas largimit nga puna dolën në shesh mashtrimet që u ishin bërë për tetë vite me radhë. Sipas tyre, bëhet e ditur ekskluzivisht për gazetën “Telegraf” se, nuk u është paguar asnjë vit kontributi në sigurimet shoqërore dhe në këtë mënyrë ata nuk përfitojnë dot tani as asistencë sociale. Gjatë këtyre viteve ata ishin të bindur se çdo gjë shkonte në rregull dhe asnjëherë nuk kishin dyshuar në atë që quhet ‘mashtrim’ dhe ‘abuzim’ me djersën e ballit të tyre. Të ndodhur në këto kushte, ata kanë disa ditë që po orvaten rrugëve të qytetit pa gjetur një zgjidhje. Streset e largimit nga puna u janë shtuar akoma më shumë kur morën vesh se, ishin edhe të pasiguruar. Të pyetur nga “Telegraf”, ata shprehin habinë se si ka mundësi që një drejtues bashkie që u zgjodh me votat e popullit dhe sigurisht, me votat e tyre të mos ketë paguar sigurimet dhe të mos ketë shlyer detyrimet që ka kundrejt tyre. Sipas minatorëve të hedhur tashmë në rrugë, bëhet e ditur se, shkak për largimin e tyre nga puna është përdorur preteksti “se nuk ka fronte pune”. Mirëpo kjo është në kundërshtim me Kodin e Punës dhe është shkelur kontrata e punës midis punëtorit dhe punëdhënësit. Në qytetin e Bulqizës operojnë aktualisht 100 firma me licencë dhe pa licencë. Të gjitha këto nuk kanë asnjë kusht pune, rregullat e sigurimit teknik mungojnë plotësisht dhe punëtorët janë tepër të indinjuar në padrejtësitë që u bën Kryetari i Bashkisë dhe vëllezërit e tij, sepse pavarësisht kushteve të këqija, minatorët kanë pranuar të punojnë e të rrezikojnë jetën e tyre, vetëm e vetëm që të paguhen rregullisht dhe sipas kërkesave të tregut.

Marrëveshja e fshehtë

Punonjësit e larguar nga puna, bëjnë të ditur për lexuesit e “Telegraf” edhe një marrëveshje të fshehtë midis tyre dhe Kryebashkiakut. Kjo marrëveshje, sipas tyre, është bërë disa javë para se ai të zgjidhej si kryetar bashkie. Punonjësit thanë: “Para se Myfiti të bëhej kryetar bashkie na premtoi në këmbim të votës se ne do të qëndronim në punë edhe 3 (tre) vjet të tjera pa shkëputje. Ne e mbajtëm fjalën dhe e votuam, por ai nuk e mbajti premtimin e dhënë. Ja pra kush është privati që ne po na mashtron çdo ditë e më shumë”. Lidhur me këtë ngjarje as vetë banorët e qytetit nuk dinë ta shpjegojnë, sepse kjo firmë njihej si më seriozja në Bulqizë. Ajo që nuk dihet është fati i minatorëve të larguar nga puna, sepse ata kanë disa ditë që enden rrugëve të qytetit, me shpresat përtokë.