Si e thamë kënetën e Maliqit me gjak!

1197

Pëllumb Çuni

Korçë

Rrëfimi i Skënder Stefanllari, i mbijetuari i kampit të Vloçishtit

Sikur po e harrojnë atë tragjedi që u luajt në kampin e Vloçishtit! Ende nuk është ngritur një memorial që të përkujtojë ato vite burgimi dhe jetë të vrara në atë kamp, kur thahej këneta e Maliqit. Një nga të mbijetuarit e paktë të kampit të Vloçishtit është dhe Skënder Stefanllari. Ai na përshkruan ngjarjet që shoqëruan kampin e Vloçishti që u mbush me të dënuar politikë, tregtarë, klerikë. Këneta u tha me gjak! Të burgosurit politikë i vunë të ngrenë urën e madhe të Maliqit. Ura hëngri profesor Bego Gjonzenelin, të rinjtë Burim Kokoshin, Klito Lamaj, Fadil Xhindin, juristin Mark Temalin…, 63 viktima. Po nga ana tjetër e kampit ishin të rinjtë aksionistë që punonin zbathur, e në mbrëmje, nën tingujt e një fizarmonike kërcenin e bënin ballo. Aksionistët ishin njëra anë e medaljes. Këta flinin nëpër çadra fillimisht e, më vonë ngritën fushim të rregullt.

– Kur nisi puna për tharjen e Kënetës

-Puna për bonifikimin e kënetës nisi në qershor të vitit 1946. Ka pasur dhe në kohën e mbretërisë një projekt për tharjen e saj, por që nuk u zbatua nga kundërshtimet e inxhinierëve korçarë, që sipas tyre nuk duhej të thahej, por duhej të ndërhyrë, për shëndetësimin e saj dhe të mbetej si një pasuri natyrore me vlera për zonën. Por u vendos që këneta të thahej për 6 muaj dhe i tërë uji i saj të derdhej në shtratin e lumit Devoll.

-Pse nuk u tha për 6 muaj?

-Faza e parë dështoi. Për dështimin e saj u sajua grupi i sabotatorëve, ku një pjesë e tyre mbetën të gjallë në kënetë. E ashtuquajtura fazë e parë mbaroi në nëntor të vitit 1947. U ngrit ndërmarrja bujqësore e Maliqit. U ngrit qyteti i Maliqit dhe kombinati më vonë. Punonim si ne të dënuarit dhe aksionistët, të ndarë. Ishim në dy kampe.

-Për Vloçisht, nga ai kamp, me që jeni nga të gjallët e pakët që keni mbetur, ndonjë gjë të veçantë aq sa mbani mend?

-Po e nisim me një bilanc dhimbjesh. Ky kamp mori 63 jetë njerëzish, 63 viktima. Aty punuan 1800 të dënuar politikë, tregtarë, klerikë, inxhinierë, ku kalonin verën e burgimit.

-Ju kur keni qenë në kampin e Vloçishtit?

-Unë isha që në 6 muajt e verës së vitit 1946, kur nisi puna për tharjen e kënetës. Në dimër na siguronin në burgun e Korçës.

-Ndonjë gjë të veçantë si dëshmitar i atij kampi shfarosësh?

-Në verën e parë të nisjes së punimeve këneta hëngri gjithë nxënësit e Harri Fullcit, inxhinierët, Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri, Aleks Alarupi, Pandeli Zografi, Llambi Napuçe, Vasil Mano me gruan Zyrika, maqedonase, Mihal Stradobërdën. Më kujtohet momenti i ekzekutimit të çiftit Vasil e Zyrika. Zyrika i thotë Vasilit italisht, “Vasil ci rivedremmo al cielo” (do të shihemi në qiell), prokurori ushtarak Nezvat Haznedari i përgjigjet “do të shiheni në të sëmës!”. Nga dënimet e 46-s u korrigjua shënjestra dhe punimet nisën përsëri në 1947-n ku veç nesh, të burgosurve erdhën aksionistë nga qyteti e fshatrat e Korçës që punonin zbathur, por në mbrëmje luanin ballo nën tingujt e një fizarmonike, ndërsa ne të burgosurit, kërcisnim dhëmbët.

-Ju kujtohet ndonjë gjë tjetër nga jeta në kampin e Vloçishtit?

-Si s’më kujtohet. Atëherë unë isha 22 vjeç. Dilnim me numërim në punë dhe me numërim hynim. Një kapter pickon at Jorgji Kosta Bezhanin. Prifti i përgjigjet “Mos picko, o i pa udhë!”. E vdiqën priftin në dru. Dëgjonim ulërimën e tij se kishte një zë të veçantë. Të nesërmen prifti mungoi. S’ishte në rresht me ne. Në kamp ishin të burgosur politikë nga të gjitha rrethet. Në kënetë futeshim zbathur. Kishte shushunja që na pinin gjakun. Kush pinte duhan i largonte pasi afronte cigaren tek koka e tyre. Kishte raste që ai që e ndizte e thithte vetëm njëherë se ua jepte shokëve për të larguar shushunjat (piavicat). Një i burgosur po shkulte një panxhar. Mbi të kaloi e gjithë turma e të burgosurve, pas dy ditësh ai vdiq.

-Po ndonjë të veçantë tjetër?

– Një shoku im po shkulte një panxhar se i hanim të gjallë, se ishin të ëmbël, se shpirti ynë ishte bërë helm. Polici i hipi mbi kurriz. I burgosuri e kafshoi i uritur panxharin me policin mbi kurriz.

-Pati të vrarë me armë?

-Po, të vrarë me armë në sytë tanë mbetën Muharrem Xhixha nga Kruja, i cili u vra pse kaloi argjinaturën e kanalit. Ai për nevoja personale, që nuk donte t’i kryente në sy të shokëve u shkëput pak më tej. Por, polici kujtoi se mos arratisej dhe e qëlloi me armë zjarri. Virtyt Dylbegaj nga Elbasani u vra afër telave të kampit. Avokatit Qani Sulejmani i thyen krahun me lopatë, se nuk bënte normën. Me bel preu këmbët koloneli Sulejman Vuçitërna që vdiq në kamp.

-Po demaskime të tjera publike?

– Niko Kirkës një letër që i kishte shkruar babait, por që kishte rënë në duart e sigurimit i kushtoi 1800 pështyma. Nikua i shkruante babait se do të vijnë ditë të bardha. E marrin Nikon dhe e lidhin pas një druri në mëngjes herët. Na urdhëruan që ta pështynim në fytyrë. Rreth 1800 pështyma u derdhën mbi surratin e Kirkës. Nuk kishim ç’të bënim. Kush nuk e pështynte dënohej rëndë, na thanë.

-Ndonjë kujtim për veten tuaj, në ju kujtohet

-Po, unë, Qemal Çoçka, Petrit Qyteza ishim të rinj 20-vjeçarë, të fuqishëm dhe e tejkalonim normën. Kapter Murat Xega na kishte marrë me sy të mirë. Kalon një polic dhe më shikon mua këtu e pashë Skënderin i thotë kapterit: Po a e di ti që ai ka formuar një grup gjykues me kryetar gjyqi Niko Kirkën, Skënderi prokurori. Sipas policit ne kishim kërkuar të dënojmë me vdekje rojet e burgut dhe gjithë kuadrot e tjerë. Atëherë kapter Murati më kapi për gryke. U egërsua, por unë e plasa në llucë. Më hidhet një polic Haziz Halla, mbi kurriz e hodha edhe atë në kanal. Kanali ishte tre metra i thellë. Mposhta edhe polic Jaçen. Polic Alushi rrëmben një bel dhe më godet në kokë. Unë rrëzohem dhe mbulohem me llucë. Ra bilbili për mbarimin e punës. Më nxjerrin nga lluca. Ishte korrik i 1948-s. Më ngarkojnë mbi kurrizin e Alfons Dollanasë. Një orë rrugë më këmbë deri tek kampi. Alfonsi ishte i dobët, por më mbajti. Tre ditë kam ndenjur pa ndjenja. Më shpëtoi nga vdekja doktori i burgut Isuf Hysenbegasi. Më la në kapanon dhe më mjekoi. Po, këneta hëngri dhe tregtarët.

-Mund t’iu kujtohen emra të tyre?

-Tregtari Sotiraq Lako mbeti i vdekur në kënetë. Atje u mbulua me llucë dhe me dhe. Kosta Fundo tregtar i vdekur brenda në kënetë, Bexhet Frashëri, tregtar i vdekur. Tregtarët edhe pas punës i merrnin në pyetje dhe i torturonin për të treguar se ku e kishin fshehur floririn. Në kapanon u gjet i varur tregtari Koçi Misrasi, i cili u përçudnua nga një i burgosur ordiner që i shkuli dhëmbët e floririt.

-E mbani mend vendin ku ishte ngritur kampi?

-Vendin po. Porse nuk ka mbetur asnjë shenjë. Më vonë u ngritën banesa për të ardhurit nga zonat malore dhe shtesat e fshatit. Por me që kemi kërkuar të ngrihet një memorial, sikur po harrohet. Për tharjen e kënetës u ngritën tre kampe, por ai i Vloçishtit ishte shfarosësi. Me gjak e kemi tharë kënetën e Maliqit!

Intervistë e dhënë për gazetën “Telegraf”, më Nëntor 2008