Shqiponja kosovare, Ibush Vokshi

414

Aleksandër Çala

Ibush Vokshi u lind në Kosovë. Familja e tij u vendos në Qerret të Durrësit që para Luftës së Dytë Botërore. Ai mbaroi Normalen e Elbasanit, në vitin 1942 dhe më pas u rreshtua në formacionet partizane. Kosovari trim, së bashku me rreth 50 ish-partizanë patën nderin të ishin pionierët e parë nga vendi ynë që u përgatitën për ngritjen e aviacionit luftarak shqiptar. Në shtator të vitin 1945 të gjithë kursantët shqiptarë mblidhen në Akademinë e Lundrimit Ajror në qytetin Pançevo.

Grupi i kursantëve për pilotë u nda në dy nëngrupe:

1- Për pilotë të aeroplanëve gjuajtës, tip JAK.

2-Për pilotë të aeroplanëve shturvonik (sulmues) të tipit Iljushin. Aeroplani i këtij tipi ishte i destinuar për të dhënë goditje mbi forcën e gjallë dhe teknikën luftarake të armikut në fushën e betejës. Ai fluturonte në lartësi të ulët me fluturim kositës dhe mbante një sasi bombash, nga 400 deri 600kg.

Në grupin e dytë bënin pjesë kursantët: Areteo Ekonomi, Fahri Bubësi, Anastas Sevo, Ilakli Grazhdani, Pertef Myftari, Sazan Xhelo, Vaskë Kosti, Mati Baba, Agron Minarolli, Eshref Sheko, Niko Papavangjeli, Mufit Alimerko, Haki Bregu dhe Ibush Vokshi. Lëndët kryesore të vitit të parë ishin: aerodinamika e fluturimit, aeronavigacioni dhe instrumente, konstruksion avioni PO-2 dhe UT-2, konstruksion motori, instrumentet e kabinës së aeroplanit, meteorologji, topografi etj. Mbas përfundimit me sukses të programit teorik, në maj të vitit 1946, kursantët shqiptar filluan fluturimet në aerodromin e vogël të Pançevos. Për rreth 45 ditë kursantët kryen fluturimet në “rreth” dhe nga fundi i muajit qershor filluan fluturimet vetëm.

Ndarja e pilotëve shqiptarë në pilotë gjuajtës dhe shturmovik ishte një ndarje e gabuar, pasi aeroplanët shturmovikët ishin të pavlefshëm në terrenin tepër malor të Shqipërisë. Ata mund të përdoreshin vetëm në zonën fushore. Shqipëria në atë kohë nuk e kishte këtë tip aeroplani dhe as mendohej që mund të merrej në përdorim nga ushtria shqiptare. Kjo gjë u rregullua në fund të vitit 1946 me kërkesë të palës shqiptare. I gjithë grupi i caktuar për aeroplanin shturmovik kaloi në përgatitjen si pilot gjuajtës me aeroplanët PO-2. Ky tip aeroplani ishte modifikuar nga varianti fillestar dhe ishte kthyer në bombardues i lehtë. Mbante 2 bomba 50 kg tip fugase, me shënjestër mekanike jashtë kabinës dhe sferave prej druri në kabinë të lidhura me litar çeliku për lëshimin mekanik të bombave. Në kabinën e dytë qe aplikuar mitralozi turel i tipit “SHKAS” që përdorej nga avion-mekaniku- mitraljer për mbrojtjen e aeroplanit gjatë fluturimit. Ky tip aeroplani arrinte shpejtësinë deri 110km/orë me lartësi fluturimi deri 3000 metra dhe kohë qëndrimi në ajër deri 4 orë. Përgatitja e këtij grupi u bë në qytetin Eçkë, në kushte shumë të vështira. Mbasi pilotët filluan të kryenin fluturimet vetëm, u rrit cilësia e realizimit të detyrave, filloi kryerja e fluturimeve në largësi të ndryshme si dhe fluturime më kabinë të mbyllura me instrumente.

Kur i gjithë grupi i kursantëve shqiptarë ishte në kulmin e përgatitjeve për dhënien e provimeve përfundimtare ndodhi ajo që nuk pritej. Gjatë praktikës fluturuese, një javë para mbarimit të saj, më 12.05.1947, në një fluturim vetëm duke kryer pilotim të figurave akrobatike në zonë pëson katastrofë dhe humb jetën piloti aspirant Ibush Vokshi. U shkëput kështu nga qielli meteori i parë i Aviacionit Luftarak Shqiptar. Ai është varrosur në dhe të huaj. Trupi i tij është ende në Ljubjanë, Slloveni.