Shpëtim Zinxhiria/ Qeveria i shpërblen emigrantët me rritjen e çmimit të pasaportës

552
Sigal

Gazeta Telegraf/


Shpëtim Zinxhiria


Komuniteti i emigrantëve shqiptarë të diskriminuar nga shteti amë edhe në
aspektin e pajisjes së pasaportave biometrike, duke i shkundur mirë nga paratë,
një diskriminim ku nuk i shkon përshtat kësaj qeverie që erdhi në pushtet në
sajë të votës së tyre. Në krahasim me vendin amë, këta duhet të paguajnë 4-5
herë më shumë në konsullatat shqiptare, në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Nëse
kjo nuk përbën një padrejtësi, atëherë si mund ta quajmë?


Dihet që procesi i pajisjeve të pasaportave u dha me koncesion kompanisë
Aleat SHPK, që ishte një filial i kompanisë franceze Morpho S.A., e cila ishte
vetë ishte filial i kompanisë Safran, një nga kompanitë përbërëse të kompleksit
industrial-ushtarak francez. Në Shqipëri firma më shumë njihet si
Aleat-Safran-Sagem. Një kompani që fitoi tenderin dhe detyroi emigrantët dhe
mbarë popullin të fusë dorën akoma më thellë në xhep, por që dëmtoi arkën e
shtetit me miliona dollarë. Çmimi prej 50 euro për nxjerrjen e një pasaporte
biometrike është i lartë për xhepin e qytetarit shqiptar, duke marrë parasysh
standardin e ulët të jetesës dhe gjendjen e vështirë ekonomike. Por, për atë që
dëshiron të udhëtuojë në vendet e BE-së, për një pushim apo biznes, jashtë
Evropës, patjetër që i nevojitet një pasaportë. Ky dokument, për fat të keq,
për ne emigrantët shqiptarët që jetojmë në vendet e Evropës, është nga më të shtrenjtët
nga ana ekonomike, duke mos bërë asnjë ndryshim në pagesë lidhur me moshën.
Shqipëria renditet kampione në çmimet e pagesës për pajisjen me pasaporta
biometrike, duke lënë pas vendet më të mëdha me ekonomi më të zhvilluar se sa
vendi ynë i varfër. Një herë në katër vjet çdo qeveri që vjen në Shqipëri ndërron
dhe ngre çmimet e pasaportave si t’i vijë më mbarë, duke pasuruar gjithnjë e më
shumë kompanitë e huaja që kanë fituar tenderin për këtë proces…

Por emigrantët nuk i përkasin kësaj kategorisë së biznesit, as të turizmit,
por ata i përkasin komunitetit të emigracionit që për shtetin shqiptar nuk ka
asnjë rëndësi. Emigrantëve tanë të kudondodhur u kërkohet të fusin dorën
gjithnjë e më thellë në xhepat e tyre, kjo falë meritës së shtetit shqiptar.
Një shembull konkret u pa edhe me ardhjen e qeverisë “Rilindja”, e cila më 1 janar
të 2015, bëri një rritje të theksuar në çmimin e pasaportave për emigrantët e
saj, duke favorizuar gjithnjë e më shumë kompanitë e huaja dhe dëmtuar xhepat e
emigrantëve.

Emigrantët shqiptarë paguajnë tre-katër herë më shumë se në Shqipëri

Ndërsa çmimi i pasaportave biometrike në Shqipëri, u rrit në 7. 500 lekë
nga 6. 000 lekë që ishte më parë, afërsisht e barabartë me 50 euro, ndërsa për
emigrantët e kudondodhur çmimi për pasaporta u rrit në 4-5 herë. Konkretisht,
shqiptarët që jetojnë në Itali dhe Greqi do të t’u duhet të paguajnë 130 euro
për pasaportën, SHBA 240 dollarë, Belgjikë, 160 euro, 144 paund, Zvicër 204
franga.

 

Ja sa kushton pasaporta biometrike në disa vende të Evropës

Në disa nga këto vende çmimet e pasaportës janë të ndara në grupmosha,
ndryshe nga ajo që ndodh në Shqipëri. Kështu pasaportat e fëmijëve nën moshën
12 vjeç, apo deri në 24 vjeç kanë çmime më të ulëta se ato të grupmoshës mbi 24
vjeç e lart. Këtu shikojmë se çmimet e pasaportave në këto vende janë dy-tre
herë më të ulëta se ato që paguajnë emigrantët tanë në konsullatat e tyre
shqiptare.

         
Kosova
50 euro

         
Greqia
45 euro

         
Bullgaria
50 euro

         
Gjermania
59 euro.

         
Italia
116 euro

         
Spanja
98.5 euro

         
Franca
86 euro

         
Turqia
138 lira etj