Në 75-vjetorin e lindjes

Edhe pse me datën 4 Tetor 2018 dr. Flamur Tartari mbush plot 75 vjeç, nuk dua ta besoj se ai po plaket. Dhe kjo, jo vetëm se Bernard M. Baruch thoshte: “Për mua pleqëria është gjithmonë pesëmbëdhjetë vjet pas moshës që ke”, por sepse Prof. Dr. Flamuri, me potencialin e tij intelektual, çka duket qartë te botimi i revistës prestigjioze Urologjike, ku dallon rubrika “Njerëz të shquar të humanizmit dhe të mjekësisë shqiptare” apo organizimi i sa e sa seminareve, deri ndërkombëtare, për sëmundjet e veshkave, te dashuria për njerëzit, të gjendurit pranë tyre sa herë ata kanë nevojë për ndihmën e tij, por dhe me shkrimin dhe botimin e pafund të librave kushtuar të gjithë mjekëve shqiptarë që vunë përpjekjet, sakrificat dhe dijenitë e fituara në shkollat brenda dhe jashtë vendit, në shërbim të shëndetit të njerëzve, mbetet mjeku dhe intelektuali më aktiv dhe i pashkëputur për asnjë çast nga detyra fisnike të cilës i kushtoi gjithë jetën e tij. Gati dhjetë vjet më parë, në një shkrim timin kushtuar atij, e pata quajtur dr. Flamur Tartarin “Mjeku që shëron me fjalë dhe bisturi”. Sot ai nuk e përdor më bisturinë, por i ka mbetur pesha e pa zëvendësueshme e fjalës, të cilën ai nuk e kursen, pasi e di se ç`vlerë ka përcaktimi i Karlejl – it se, “Njeriu i shëndetshëm është vepra më e çmueshme e natyrës”.

Fare mirë, madje dhe me ndërgjegjen e qetë, ai mund të shihte rutinën e përditshme të pensionistit. Por jo, diçka së brendshmi e shtyn dhe i thotë: Vazhdo! Dhe ai vazhdon, edhe pse asgjë nuk përfiton materialisht. Se ka bërë një betim, ku qysh në lashtësi nuk bëhet fjalë për pensionin e mjekut. Dr. Flamuri, bir i një mjeku mjaft të njohur dhe i nënës mësuese me emër të nderuar të Durrësit, studioi për mjekësi në Universitetin e Tiranës dhe fillimisht shërbeu si kirurg në spitalin e këtij qyteti, deri sa në vitin 1969 emërohet pedagog në Fakultetin e Mjekësisë dhe më pas specializohet për kirurgji dhe anesteziologji, duke vijon kualifikimin për kirurgjinë urologjike në disa shtete si Francë, Hungari, Holandë, Itali dhe Zvicër. Anëtar i Akademisë së shkencave të New Yorkut dhe pjesëmarrës me influencë i shumë shoqatave dhe organizmave ndërkombëtare për urologjinë, ai nga viti 1991 dallohet për ecurinë e Rotary Club, ku ka një rol të veçantë. Flamur Tartari është edhe themeluesi i Institutit Kombëtar të Studimeve dhe Kërkimeve Shkencore Mjekësore e të Mjedisit “Fillonid Durrachieni” në vitin 2005 dhe kryetar i shoqatës së miqësisë Shqipëri – Holandë.

E gjithë kjo përvojë dhe rezultatet që arriti me punë shkencore, e bënë atë të njohur anë e kënd vendit. Por ai mbeti përherë njerëzor, modest dhe i thjeshtë, aq sa kur bisedon me të gati nuk të besohet se pikërisht ai, është mjeku i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë, kolegë dhe pacientë pa fund, të cilët nga ana e tyre i drejtohen për këshilla pa drojë dhe me besim. Autor i dhjetëra e dhjetëra artikujve kushtuar shkencës së urologjisë, arritjeve bashkëkohore të saj dhe perspektivave që i çelen në të ardhmen, kryesisht bazuar në përvojën e tij, ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë fushë.

Për të është e shenjtë porosia e Ralf Valdo Emersonit qysh në shek. e XIX, se “Vlera e një parimi përcaktohet nga numri i dukurive që ai është i aftë të shpjegojë; nga teoritë mbi sëmundjet, e mirë është vetëm ajo që njëkohësisht propozon edhe shërimin”. Por, duhet theksuar gjithashtu se dr. Flamur Tartari, duke gdhendur jetën dhe veprën e të gjithë atyre që me përkushtim profesional dhe sidomos atdhetar, bënë historinë e ndritur të mjekësisë tonë, në librat e mrekullueshëm “Gjurmë të mjekësisë shqiptare” në disa volume, e ka lartësuar edhe emrin e tij dhe e ka vendosur për së gjalli në Panteonin e kësaj mjekësisë. Ja pse ai nderohet kudo , ashtu sikurse e thotë dhe mbiemri i tij, si një kalorës postier i palodhur i lajmeve të mira, sidomos tani që mjekësia jonë ka nevojë më shumë se kurrë të kujtojë se nga kaloi rruga e saj e ndritur.