Shërbimi i Konsulencës dhe roli i KLSH në procedurat e prokurimit publik

2567
Roli i KLSH-së në procedurat e prokurimit publik: Shërbimi i Konsulencës
Kontrolli i Lartë i Shtetit, është Institucioni më i lartë i kontrollit ekonomiko-financiar. Ai i nënshtrohet vetëm zbatimit të Kushtetutës dhe Ligjeve (neni 162 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë). Në zbatim të detyrës së ngarkuar nga Kushtetuta, KLSH ushtron auditimin e veprimtarisë ekonomiko-financiare të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë, organeve të pushtetit qendror dhe atij vendor, si dhe veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huatë, kreditë dhe detyrimet e tyre, garantohen nga Shteti. Realizimi i procedurave të prokurimit publik për investime apo shpenzime, është një nga pikat me risk më të lartë në pikëpamjen e auditimit. Kjo dhe për arsye se, sipas Raportit për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2016, konstatohet se nga totali i shpenzimeve të buxhetit prej 148.6 miliardë lekë, vetëm 60% e totalit është prokuruar gjatë vitit 2016 (87,372 milionë lekë). Dimë që lloji i procedurës së ndjekur ndikon drejtpërsëdrejti në nxitjen e konkurrencës dhe pjesëmarrjen e Operatorëve Ekonomik dhe rrjedhimisht në transparencë dhe besueshmëri të proçesit të realizuar për shpenzimin e fondeve publike. Shkeljet kryesore që KLSH ka konstatuar në auditimin e procedurave të prokurimit publik, janë kryesisht në: përllogaritjen e vlerës së fondit limit; hartimin e kritereve të veçanta për kualifikim; procesin e shqyrtimit dhe të vlerësimit të ofertave pjesëmarrëse; procesin e shqyrtimit të ankesave, lidhur me kërkesat për kualifikim dhe të vlerësimit të ofertave; vlerësimin e paargumentuar dhe të padokumentuar lidhur me procedurën e shërbimit të konsulencës; përdorimin e shpeshtë, të paargumentuar dhe të padokumentuar të procedurës me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, etj. Referuar legjislacionit te prokurimit publik, procedurat standarde të prokurimit, sipas të cilës autoriteti kontraktor zbaton në përcaktimin e fituesve të kontratave publike, janë: procedurë e hapur; procedurë e kufizuar; procedurë me negociim, me ose pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës; kërkesë për propozim; konkurs projektimi; si dhe procedurë shërbim konsulence. Nëse do të analizojmë përdorimin e procedurës së prokurimit “Shërbim konsulence” rezulton se nga përdorimi i kësaj lloji procedure, përfitohen projektet e zbatimit, kryesisht lidhur me punët publike, ku edhe risku është më i lartë. Shërbimi i konsulencës është një procedurë prokurimi e cila zhvillohet me disa faza. Kjo lloj procedure, shërben për prokurimin e kontratave publike, kryesisht për shërbime të një natyre intelektuale. Në pjesëmarrjen e kësaj procedure, konsulentët mund të bashkohen me njëri tjetrin, në formën e një bashkimi konsulentësh ose me një marrëveshje nën-konsulence. Ky bashkim realizohet për plotësimin e fushave të tyre përkatëse të ekspertizës, për fuqizimin e anës teknike të propozimeve, si dhe për vënien në dispozicion të një grupi më të madh ekspertësh. Kjo me qëllim, për të ofruar propozime sa më të mira, por gjithashtu për të ofruar edhe çmime sa më të ulëta.

Së pari, në përdorimin e kësaj procedure, të gjitha autoritetet kontraktore duhet të kenë parasysh konfliktin ndërmjet veprimtarive të konsulencës dhe prokurimit të mallrave, punëve ose shërbimeve. Në këtë rast, operatori ekonomik i kontraktuar nga autoriteti kontraktor për punë, mallra ose shërbime për një projekt, duhet të skualifikohet nga ofrimi i shërbimit të konsulencës që lidhen më këto mallra, punë ose shërbime.

Së dyti, as konsulentët dhe as ndonjëri prej anëtarëve të stafit të tyre, nuk duhet të punësohen për kryerjen e ndonjë detyre e cila për nga natyra e saj, mund të jetë në konflikt me një detyrë tjetër të konsulentëve.

Së treti, konsulentët, përfshirë të gjithë anëtarët e stafit, si dhe nën-konsulentët, nuk duhet të kenë marrëdhënie biznesi ose familjare, me një ose disa anëtarë të autoritetit kontraktor.

KLSH, gjatë auditimeve në autoritete të ndryshme kontraktore, ka konstatuar një sërë shkeljesh, lidhur me përdorimin e procedurës, shërbim konsulence, për të cilat janë rekomanduar edhe masat përkatëse disiplinore.

Duke qenë se, kjo lloj procedure është një procedurë prokurimi e paragjykuar (pasi përcaktimi në vlerësimin teknik mbetet në “dorën” e KVO) KLSH ka rekomanduar ndryshimin e vlerësimit teknik, duke përcaktuar konkretisht edhe nënkriteret për secilin kriter vlerësimi, i cili do ti ndërpresë rrugën vlerësimeve subjektive, të propozimit teknik. Raste të tjera abuzive, që KLSH ka hasur gjatë auditimeve të ndryshme është edhe përbërja e komisionit të vlerësimit të ofertave, i cili në disa raste nuk është i përbërë nga specialistë të fushës. Ky veprim, tregon një vlerësim jo të drejtë ndaj propozimeve teknike që shoqëritë paraqesin për konkurim, për pasojë paragjykimin e procedurës, si dhe parapërcaktimin e fituesit. Ky fakt, vërehet së shumti gjatë auditimeve të kryera, ku vlerat e konsiderueshme monetare, përfitohen vetëm nga dy-tre kompani. Nga vlerësimet e KVO, KLSH ka konstatuar se, në shumë raste shpallen fituese projekte të cilat nuk janë të zbatueshme, të konfirmuara këto nga institucionet kompetente të cilat kryejnë oponencat teknike të projekteve (për vlera të preventivuara mbi 100 milion lekë), të cilët sipas oponencës teknike të bërë, kanë vlerësuar negativisht këto projekte, si dhe për më tepër, duke përcaktuar që projektet janë të pazbatueshme. Gjithashtu, vlen të theksohet se, pothuajse të gjitha projektet, të përfituara sipas përdorimit të procedurës shërbim konsulence, kanë ndryshuar thelbësisht gjatë fazës së zbatimit të punimeve, si dhe vlerat e tyre të zbatimit janë rritur pothuajse në çdo rast, me 20% të vlerës fillestare. KLSH konstaton se, ky fenomen, vjen si rezultat i vlerësimit subjektiv, i paaftësisë profesionale, si dhe një vlerësimi të papërgjegjshëm që autoritetet kontraktore bëjnë në vlerësimin e propozimeve teknike të ofruara, duke shpallur fitues projekte “të paragjykuara/të parapërcaktuara”. Duke qenë se, Kontrolli i Lartë i Shtetit, është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, i cili i nënshtrohet vetëm zbatimit të Kushtetutës dhe ligjeve, përveçse ka kërkuar ndryshimet në vlerësimin e procedurës shërbim konsulence (duke përcaktuar nënkritere vlerësimi), por ka kryer një sërë takimesh me përfaqësues të biznesit, grupet e interesit, si dhe me Shoqatën e Ndërtuesve, ku janë diskutuar lidhur me problematikat e hasura, në vlerësimin e ofertave, lidhur me procedurën e prokurimit, shërbim konsulence. Ankesat e shumta për vlerësime jo të drejta nga Autoritet Kontraktore, që shoqëri të ndryshme, dërgojnë pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit, tregon për besimin që këto shoqëri kanë ndaj institucionit, lidhur me zbatimin e ligjshmërisë. Siç e ka theksuar edhe Kryetari i Kontrolli të Lartë të Shtetit z. Bujar Leskaj, në fjalën e tij në Komisionin e Ekonomisë gjatë prezantimit të Raportit për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2016, KLSH do të vazhdojë të jetë një zë i pavarur, duke theksuar aspektet që kanë nevojë për përmirësim dhe duke hedhur dritë mbi fakte që i kushtojnë shumë jo vetëm buxhetit vjetor, por ndikojnë edhe në të ardhmen zhvillimin ekonomik.
Erjon Gjini
Alfonc Gabili
Sigal