Katërfishimi i taksave për Tiranën, PS rrezikon kalimin e buxhetit në Këshillin Bashkiak

587
Taksa e pronës, ajo e parkimit, ndërtimeve, arsimit janë pikat kryesore ku është përqendruar buxheti i Bashkisë Tiranë për 2018
Bashkia e Tiranës ka hartuar projektbuxhetin për kryeqytetin për vitin e ardhshëm, i cili do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak gjatë ditës së sotme. Për të kaluar buxhetin, Këshillit Bashkiak Tiranë do t’i duhen 50 plus 1 të votave, pra 31 vota. Në total vota të majta janë 29. Të majtëve do t’u duhen edhe 2 vota për të kaluar buxhetin e vitit 2018, i cili konsiderohet si buxheti i taksave të larta për qytetarët. Në total, Bashkia planifikon që të ardhurat nga taksat e tarifat të arrijnë në 13 miliardë lekë, apo rreth 96 milionë euro, më një rritje prej 9.4% me bazë vjetore. Duke përfshirë dhe transfertat e pakushtëzuara nga buxheti qendror dhe fondet e mbartura, buxheti i Tiranës në total parashikohet të arrijë në një nivel rekord prej 16.3 miliardë lekë (120 milionë euro), me një rritje prej gati 11% me bazë vjetore. Peshën kryesore në të ardhurat e veta të Bashkisë Tiranë në 2018-n parashikohet ta ketë taksa e ndikimit në infrastrukturë, nga e cila pritet të mblidhen 3.2 miliardë lekë (24 milionë euro), me rritje prej 18.5% me bazë vjetore. Taksa që bizneset paguajnë kur marrin leje ndërtimi, e cila prej vitit të kaluar u rrit në 8% të vlerës së shitjes, pritet të sjellë 25% të të ardhurave të veta të Bashkisë. 2018-a është viti kur pritet të kulmojnë ndërtimet në kryeqytet, ndërsa në 2019 dhe 2020 pritet që të ardhurat nga infrastruktura të ulen përkatësisht në 2.7 dhe 2.5 miliardë lekë.

Zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura është taksa mbi pasurinë e paluajtshme, të ardhurat nga e cila pritet të shënojnë një rritje të ndjeshme me 37%, për të arritur në 2.5 miliardë lekë. Familjet do të paguajnë 510 milionë lekë, dyfish në krahasim me një vit më parë, si rrjedhojë e rishikimit të formulës së taksës së pronës, mbi bazën e vlerës. Për të parkuar në Tiranë qytetarët shpenzojnë rreth 3 milionë euro në vit. Sipas buxhetit të Bashkisë, shuma e pritshme për t’u arkëtuar në 2017-n është gati 300 milionë lekë, që është më e lartë sesa ajo që do paguajnë familjarët për pronën po përgjatë këtij viti. Parashikimi për vitin 2018 është që të ardhurat nga tarifa e parkimit të arrijnë në 450 milionë lekë (3.3 milionë euro). Në vitin 2015, të ardhurat nga parkimi ishin vetëm 71 milionë lekë. “Arkëtimi i tarifës së parkimit ka një rritje të dukshme, si rrjedhojë e riorganizimit të strukturave, mënyrës së arkëtimit dhe evidentimit në kohë të përdoruesve të parkimit në rrugët me pagesë por dhe në sheshet e miratuara për parkim”, thuhet në relacionin e Bashkisë. Nga taksa e përkohshme për infrastrukturën Arsimore pritet të arkëtohen 892 milionë lekë, me një rritje të lehtë prej 1.2% me bazë vjetore. Gati 40% e kësaj shume do të paguhet nga familjarët dhe pjesa tjetër nga bizneset. Të ardhurat nga kjo taksë e përkohshme do të përdoren për projektin e ri të ndërtimit të 19 shkollave të reja, thotë Bashkia në relacion. Të ardhurat nga tarifa për zënien e hapësirës pritet të vijnë në ulje, pas rritjes së ndjeshme që pësuan dy vitet e mëparshme. Ky zë pritet të jetë 490 milionë lekë, me një ulje prej gati 20%. Me rënie prej 10.5% janë dhe të ardhurat që pritet të mblidhen nga tarifa e pastrimit, që parashikohen në 2.1 miliardë lekë.
Sigal