Pranimet në universitete, UT rikuperon kuotat përmes kategorive të veçanta! Ja si do të bëhet ndarja

68
Sigal

Pas një rrudhjeje të lehtë pranimesh të reja, Universiteti i Tiranës, më i madhi në vend, ka vendosur të zgjerohet vitin e ardhshëm akademik 2021- 2022.

Senati Akademik ka miratuar vendimin me pranimet në ciklin e parë të studimeve bachelor, përfshi Drejtësinë që ofrohet prej pak vitesh si program i integruar 5-vjeçar. Nuk bëhet fjalë për një përqindje të lartë, por 126 të rinj më shumë, të cilëve iu jepet mundësia të fitojnë një program studimi. Kështu, nga 5766 vende të rezervuara për prurjet e reja një vit më parë, sivjet numri i pranimeve kap shifrën e 5892 kuotash.

Përfituesit më të mëdhenj të kësaj mundësie nuk janë të rinjtë brenda vendit që kandidojnë për të kapur një degë në UT, por ata të kategorive të tjera. Në shpërndarjen e kuotave për 2021- 2022 (sipas faksimiles shoqëruar shkrimit) përparësi u është dhënë studentëve nga trojet shqiptare, shtetasve të huaj që vijnë për studime në Shqipëri, ata të kategorive të veçanta, studentët që duan të transferohen nga një universitet në tjetrin si dhe atyre që aplikojnë për një program të dytë studimi.

Të gjithë këta tregues, në raport me të njëjtin vendim të marrë nga Senati Akademik i vitit të kaluar, kanë pësuar rritje të lehtë. Kjo, kundrejt trendit në rënie të viteve të fundit, si pasojë e shtrëngimeve për t’iu përmbajtur kushteve të studimit, raporti student/metër/ katror apo studentë me numër pedagogësh. Ky është vendimi i parë për pranimet, i firmosur nga rektori që u zgjodh mes polemikash verën e shkuar, Artan Hoxha.

Ndryshe nga vendimet e mëparshme, ky i fundit nuk është shoqëruar me tabelën e ndarjes në numrit të pranimeve në çdo program studimi, duke lënë mundësi për shkartisjen e pranimeve brenda dekanateve, me qëllim plotësimin e vendeve. Kujtojmë që tarifat për shkollimin janë e vetmja e ardhur kryesore që kanë universitetet, edhe shumica e të rinjve paguajnë vetëm gjysmën e tarifës vjetore, pjesa tjetër subvencionohet nga qeveria.

Pandemia globale ka ndikuar fuqishëm në dy drejtime sa u takon universiteteve. Së pari, prej një viti auditorët janë bosh, duke vështirësuar së tepërmi jo vetëm mësimet, por edhe diplomimet dhe punët praktike e laboratorike. Një tjetër pasojë është ajo e qëndrimit në vend të shumë studentëve ekselentë, që në pamundësi për t’u larguar në vitin e mbrapshtë, qëndruan në Shqipëri, duke plotësuar që në raundin e parë shumicën e kuotave të shumëkërkuara nga të rinjtë sot për sot.