Ringjallja e krishtit, sot Besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë Pashkët

621
Besimtarët katolikë kremtojnë sot Pashkët, Ringjalljen e Krishtit. Dhjetëra besimtarë i janë drejtuar mbrëmë Katedrales së “Shën Palit” për të marrë pjesë në meshën e shenjtë që nisi në orën 23:00 pak para mesnatës.
Ora 10:20 Lulzim Basha: Ju uroj nga zemra Gezuar Pashket!
Kreu i Partisë demokratike, Lulzim Basha ka uruar besimtarët katolikë përmes rrjetit social “Facebook”.
Ora 10:00 Nishani uron besimtarët Katolikë
Presidenti Bujar Nishani ka uruar paraditen e sotmne Besimtarët Katolikë për ditën e Pashkëve. “Kjo e kremte shënon ditën kur shpresa ringjallet, kur besimi ripërtërihet edhe më i fuqishëm, kur bekimi hyjnor përkëdhel dhe zbut shpirtrat e besimtarëve të krishterë katolikë dhe jo vetëm anembanë rruzullit, duke na mundësuar që përjetimi i së sotmes dhe i të nesërmes të jetë më i kthjelltë.”- shprehet nishani ndër të tjera 
Urimi i plotë i Presidentit Nishani 
“Të dashur, të nderuar e të respektuar besimtarë katolikë!
Është një kënqësi e veçantë që në cilësinë e Kreut të Shtetit të shpreh urimet më të mira në ditën e Pashkëve, në këtë festë e cila mbart në vetvete thelbin e kuptimit të besimit të krishterë si dhe vlerën e vërtetë dhe magjike të ringjalljes.
Dëshiroj që t’ju uroj nga zemra një ditë të gëzuar Pashkësh, të mbushur plot hare, shpresë, forcë dhe ripërtëritje ëndrrash! Kjo Festë na ringjall jo vetëm besimin tek i Plotfuqishmi, por edhe bindjen se vetëm nëpërmjet përjetimit dhe zbatimit të dlirtë e të vërtetë të vlerave të pastra njerëzore dhe parimeve të shëndosha moralo-etike, shoqëria jonë mund të kapërcejë çdo vështirësi e sfidë si dhe të ecë përpara drejt begatisë, duke përjetuar paqe dhe harmoni mes nesh.
Kjo e kremte shënon ditën kur shpresa ringjallet, kur besimi ripërtërihet edhe më i fuqishëm, kur bekimi hyjnor përkëdhel dhe zbut shpirtrat e besimtarëve të krishterë katolikë dhe jo vetëm anembanë rruzullit, duke na mundësuar që përjetimi i së sotmes dhe i të nesërmes të jetë më i kthjelltë.
Harmonia, bashkëjetesa dhe toleranca fetare hijeshojnë plot nur shoqërinë tonë dhe këtë e vuri në pah edhe Ati i Shenjtë, Papa Françesku gjatë vizitës së tij të paharrueshme historike në shtator. Ndaj edhe urimi im është që këto virtyte dhe veti karakteristike shqiptare jo vetëm t’i ruajmë e t’i forcojmë nën frymën e kësaj Feste Pashkësh, por edhe t’i pasurojmë e konsolidojmë edhe më tej, për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm dhe kombeve të tjerë.
Dita e bekuar e Pashkëve këtë vit e ka gjetur Shqipërinë edhe më afër familjes evropiane dhe kjo përbën një tjetër dëshmi se shpresa jonë nuk shuhet, por ringjallet si Krishti me më tepër fuqi, se e mira nuk gjunjëzohet e venitet para së keqes, por triumfon mbi të krenare dhe se gjithashtu e ardhmja do të jetë akoma edhe më e ndritur për ne si shqiptarë.
Duke ju uruar edhe njëherë secilit prej jush si dhe familjeve e të dashurve tuaj sa më tepër paqe, dashuri, mirësi dhe besim të palëkundur tek e mira: Gëzuar dhe përshumëvjet Festën e Pashkëve!” – theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit shqiptar.
Imzot Rrok Mirdita uron Pashkët 
Paraditen e djeshme Imzot Rrok Mirdita i është drejtuar me një mesazh urimi gjithë besimtarëve në prag të kremtimit të Pashkëve katolike. Sipas tij, ringjallja e Krishtit është mesazhi i besimit dhe shpresës për gjithë njerëzimin.
“Ati i dashur qiellor që na ka krijuar të jemi të lumtur nuk na ka braktisur në mjerimin top në por kur na duket se gjithcka ka marrë fund dhe asnjë pushtet nuk mund të ushtrojë autoritet mbi ne në këtë natë të mrekullueshme të pashkëve ai e thërret Krishtin nga vdekja në jetë dhe bashkë me Krishtin thërret cdo njeri në ringjallje.” 
Sigal