Luan Shtëpani: Si dhe kur u krijua specialiteti i elektronikës në Shqipëri  

749
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ing. Ramazan Cani tregon detaje rreth katedrës së elektronikës në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe radiolokacionit  në Shkollën e Bashkuar të Oficerave            

Specialiteti i elektronikës, fillimet e tij i ka tek specialiteti i “rrymave të dobëta”, i cili bënte pjesë në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ky specialitet  u hap në shtator të vitit 1961. Hapja e këtij specialiteti erdhi si domosdoshmëri e kërkesës për specialistë të lartë në sektorët e telekomunikacioneve dhe në sistemet  e radiondërlidhjes dhe radiolokacionit në ushtri. Kjo ishte një dëshirë dhe  domosdoshmëri, që erdhi pas prishjes së marrëdhënieve me ish BRSS dhe me shtetet e Europës Lindore. Mjaft studentë i kishin ndërprerë studimet në ish BS, Bullgari, RDGJ, Hungari, Çekosllovaki. Prandaj ishte e domosdoshme të krijohej specialiteti i elektronikës pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Kështu me vendim të ministrisë të arsimit u krijua departamenti i elektronikës ku do të dilnin inxhinierët e parë elektronikë. Kjo degë u krijua në saj të kërkesës, nevojave, që kishte telekomunikacioni në vendin tonë si dhe nevojave për kuadro të profilit radioteknik që kishte ushtria, sidomos sektorët e ndërlidhjes dhe radiolokacionit. Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim kanë dhënë Ing. Jorgji Kushi dhe Ing.Ramazan Cani. Pas një sërë konsultash me specialistë të profileve të ndryshme si dhe me pedagogët e degës elektrike u hartua programi mësimor për përgatitjen e inxhinierëve elektronikë si dhe u emërua përgjegjës i katedrës kuadri i përkushtuar, i palodhur dhe me vizion të gjërë në profilin e radiotenikës Ing.Jorgji Kushi.

Në ecurinë e këtij specialiteti dhanë kontribut të jashtëzakonshëm pedagogët e jashtëm: Ing.Ramazan Cani, Ing.Tofik Gjinali, Ing.Mihallaq Katundi, Ing.Emin Klosi, Ing.ThomaTamburi, Ing. Andon Tirana, Ing. Bedri Imami, Ing. Alfred Xhufka, të cilët kishin përfunduar studimet  në ish-BRSS dhe vënde të tjera. Mbështetje dhe kontribut të madh për funksionimin e këtij profili të ri kanë dhënë pedagogët e degës elektrike,  Prof. Bardhyl Golemi, Ali Dedej, Reis Çani, Dhimitër Lluka etj. Në vitin e parë akademik 1961-1962 dhanë mësim pedagogët, Ing. Jorgji Kushi në lëndën “Bazat teorike të radioteknikës” dhe  Ing.Tofik Gjinali në lëndën “Llambat elektronike”, Ing.Ramazan Cani në lëndën “Bazat teorike të radiolokacionit”. Me vështirësi u ngritën laboratorët e katedrës për lëndët llambat elektronike dhe të radioteknikës, ku veprimet i kryenin laborantët  H.Jazexhiu dhe Dh.Leshnja dhe kur  u  zgjeruan  laboratorët pas vitit 1964  në punimet laboratorike punonin laborantët S. Përnaska dhe N. Berberi. Puna e gjithanshme dhe me përkushtim të pedagogëve të katedrës dhe të atyre të jashtëm bënë të mundur të diplomohen inxhinierët e parë të specialitetit të elektronikës. Në qershor të vitit 1964 u diplomuan 28 inxhinierët e parë. Mbi bazën e specializimeve dhe zgjerimin e lëndëve radioelektronike, që mbulonte katedra u bë e mundur që në vitin 1974 të krijoheshin 2 katedra : a. Katedra e elektronikës së përgjithshme me përgjegjës katedre Ing. Jorgji Kushi më vonë nga Ing.Thoma Tamburi dhe më anëtarë pedagogët: Ing.H.Jazexhiu, Ing.N.Bardhi dhe tre pedagogë të jashtëm. b. Katedra e elektronikës së aplikuar me përgjegjës Ing.Emil Plumbi dhe me anëtarë T.Gjinali, A.Tirana, J.Agalliu, S.Likaj. Kontribut të veçantë në degën e elektronikës kanë dhënë profesorët Hasan Muçostepa, Pirro Cipo, Luan Karçnaj, Agim Budo, Xhemil Dautaj, Safet Likaj dhe pedagogët e jashtëm Ramazan Cani dhe Androkli Andrea. Puna prodhuese ishte një element i ri në planin mësimor, po kështu dhe praktika mësimore. Kështu lidhja e teorisë me praktikën në degën e elektronikës kishte rëndësi për përgatitjen e inxhinierëve elektronikë, për këtë shërbyen laboratorët e katedrave, uzina e prodhimit të radiove dhe televizorëve në Durrës, Uzina e radiolokacionit  dhe radiondërlidhjes në ushtri ku studentët rritnin aftësitë praktike. Me kalimin e kohës dhe duke parë domsdoshmërinë  e zgjerimit të njohurive u krijuan katedra e automatikës me përgjegjës katedre Gëzim Karapici dhe me antarë pedagogët  Ing.Petrika Marango, Ing.Maqo Lakrori, Ing.Jakup Agalliu, Ing.Dhimitër Lluka. Mbas vitit 1999 u  krijua departamenti i elektronikës, i cili drejtohej nga Prof. Nikolla Bardhi . Ky departament përbëhej nga seksionet: seksioni i bazave të elektronikës, seksioni i telekomunikacionit, seksioni i automatikës, seksioni i inxhinierisë së kompjuterave. Pas vitit 1994 ministria e arsimit e shkencës mbi bazën e propozimit të universitetit politeknik me inisiator Prof.Gëzim Karapici, krijoi sistemin e ri për vendin tonë-sistemin e edukimit në distancë. Programet e këtij sistemi përqendroheshin në lëndët e inxhinierisë së automatikës, informatikës, telekomunikacionit. Dega e elektronikës në universitetin politeknik të Tiranës do të kujtojë me shumë respekt themeluesit  e saj Prof.Jorgji Kushi, Tofik Gjinali, Andon Tirana, Emil Plumbi, Thoma Tamburi, Nikolla Bardhi, Haxhi Jazexhiu. Do të ruhet kujtimi dhe respekti i madh për punën e palodhshme, sakrificat në përgatitjen dhe edukimin e mijëra kuadrove  të specialitetit të elektronikës në vendin tonë.

Kontributi i i pedagogëve të elektronikës në Shkollën e Bashkuar të Oficerave

Për të bërë të mundur përgatitjen e specialistëve të lartë të radiolokacionit me urdhër të ministrit të mbrojtjes u krijua në shtator të vitit 1973 katedra e radiolokacionit në shkollën e bashkuar për të përgatitur kuadro me arsim të lartë në sistemin radiolokativ të ushtrisë. Përgjegjës i katedrës së radiolokacionit me urdhër të ministrit të mbrojtjes u caktua Ing.Ramazan Cani. Në këtë katedër bënin pjesë Ing.Ramazan Cani, Ing.Ferdi Skenduli dhe Ing.Baçahlla Havari si dhe pedagogët : Fahri Allushi, Rrahim Hallaçi, Dhimitër Gegeni, Diana Dedej, Anila Sina,Thanas Gjika, Besnik Hoxha, Mehmet Hoxholli dhe pedagogë të jashtëm: Pirro Kushi, Halo Nanaj, Nikolla Bardhi, Thoma Gjylameti dhe laborantët teknikë:Jorgji Gjoka dhe Edlira Sinani. Në veprimtarinë pedagogjike të mësimdhënies  pedagogët e katedrës,shumica e të cilëve kishin mbaruar studimet e larta në ish-BS përgatitën literaturën përkatëse në tre profilet e sistemit radiolokativ të ushtrisë. Në shkollën e lartë të oficerave bënte pjesë dhe katedra e radiondërlidhjes.  Në katedrën e radiolokacionit një pjesë e lëndëve kishin të njëjtën përmbajtje me lëndët respektive që zhvillohen në katedrat përkatëse të degës së elektronikës në universitetin politeknik. Në katedër jepeshin lëndët: elektronika,radioteknika,teknika impulsive,instrumentat matës elektronikë, automatika, matjet elektronike si dhe lëndët e sistemit tekniko-ushtarak. Sistemi mësimor ishte 3-vjeçar dhe më vonë 4-vjeçar ku përfshihej dhe praktika mësimore, që zhvillohej në uzinën e radiolokacionit, në uzinën e prodhimit të televizorëve në Durrës si dhe në sistemet radiolokative dhe aparatet e drejtimit radiolokativ, në postat radioteknike dhe në aparaturat e drejtimit radiolokativ dhe në aparatuarat e drejtimit elektronik të artilerisë kundërajrore. Në sektorin radiolokativ bënin pjesë edhe radiolokatorët e drejtimit të raketave kundrajrore si dhe radarët e drejtimit dhe të përcaktimit  të koordinatave të avicionit gjuajtës-bombardues.Të gjithë kuadrot që përgatiteshin në katedrën e radiolokacionit kishin një trajtim të veçantë dhe një pjesë kryenin specializime në Kinë dhe Vietnam. Ata ishin plotësisht në gjendje të drejtonin, të riparonin dhe të mbanin në gadishmëri të plotë teknikën luftarake. Katedra e radiolokacionit bënte pjesë në fakultetin e artilerisë të shkollës së lartë të bashkuar. Ing. Ramazan Cani respektohet  dhe nderohet nga bashkëkohësit dhe kolegët e tij për dije të gjëra në fushën e radiolokacionit dhe kontribut të spikatur në përgatitjen e oficerëve. Po ashtu dhe të kuadrove në Universitetin Politeknik të Tiranës,  sepse është një nga themeluesit e “Elektronikës”.

Ramazan Cani, sportist i talentuar

Ndërmjet të tjerave,  z. Cani tregon se ka qenë dhe sportist. Sipas tij, në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” ishte mbrojtës i skuadrës së futbollit. Këtë skuadër e kishte shumë për zemër e gjithë Ministria e Mbrojtjes. Në qershor të vitit 1950 në një ndeshje futbolli Shkolla “Skënderbej” fitoi ndaj Shkollës së  Bashkuar. Pas kësaj Ramazanin e dërgojnë së bashku me dy shokë të tjerë në Shkollën e Bashkuar. Në kampionatin kombëtar luan si mbrojtës i djathtë  i skuadrës së shkollës së bashkuar  “Luftëtari”. Transferohet në divizionin e parë dhe më pas shkon në ish Bashkimin Sovjetik . Atje  tregon se inkuadrohet në skuadrën përfaqësuese të akademisë, ku trajner ishte mjeshtri i madh rus Andresov. Ka marrë pjesë në kampionatin e akademive. Më pas kalon në skuadrën e garnizonit, ku mori  pjesë në kampionatin ushtarak të garnizoneve.  Si futbollist është i njohur me emrin “Aleksandër  Aleksandroviç Melnikov”. Sipas tij, në stadium vinin shumë shqiptarë për të parë ndeshjet. Njëri prej tyre vazhdimisht thërriste me të madhe në shqip “o Canooo.. bjeri fort ore”. Ishin momente emocionuese,- shprehet Ramazani i cili shton,- se është marrë me shumë lloje sportesh.  Me notin edhe në Shqipëri, edhe në Rusi në kampionatin e notit mes akademive. Ka marrë pjesë në festën e ushtrisë ( në dimër) ku organizohej gara për të kaluar në dy anët e lumit “Njeva” i njohur për gjerësinë e tij. Në 1957 ka dalë në vendin e 92-të,  në 1958 i 70-i, në 1959 i  60-i dhe në vitin 1961 më 22 shkurt zuri vendin e 7. Buzëqesh teksa tregon dhe diplomat. Ka dalë në vendin e parë në kampionatin e skive në 10 km, ku merrnin pjesë sportistë të mbi 13 akademive të Leningradit në ish BS.

Kush është Ramazan Cani

Ramazan Hysen Cani ka lindur më 31 dhjetor 1931. Arsim 7 -vjeçar e ka kryer në shkollën “Naim Frashëri” në Elbasan.

1946 -1950  Mbaroi Shkollën Ushtarake “Skënderbej”

1950-1952  Përfundon Shkollën e Bashkuar të Oficerave dhe titullohet oficer në specialitetin e ndërlidhjes.

Kualifikimi 1955 shkon në kualifikim në BRSS, në akademinë e lartë të inxhinierisë së ndërlidhjes dhe radiolokacionit  në Leningrad , të cilën e përfundon me rezultate shumë të mira.

Karriera personale

1952 -1954 komandant toge i Radios së Shtabit të D1K në Tiranë

1954-1955 Shef  i ndërlidhjes së artilerisë të repartit 1105 (Brigada e Kryeqytetit)

1961-1969 caktohet shef  i  laboratorit qëndror të radiolokacionit për riparimin e aparateve radiolokative.

1969- 1973 emërohet kryeinxhinier i Regjimentit R/teknik (Vainit)

1973 – 1991 shef  i Katedrës së Radiolokacionit në Shkollën e Lartë të Bashkuar  të Oficerave ( për specialitetin e zbulimit të largët radiolokativ, radiolokacionit të zbulimit të drejtimit të AKA dhe në specialitetin e ADZAKA-së ( specialist për aparatet e drejtimit të zjarrit të AKA-së)

Veprimtaria – kërkimore – shkencore- botuese

Tekste mësimore

Libri “Matjet elektronike”,  libri “Aparaturat matëse elektronike”,  libri  i “Elektronikës së aplikuar”, libri “Zbulimi i largët radiolokativ”, libri “Teknika impulsive”

Studim aplikativ

Studimi i doktoraturës për vlerën dhe rëndësinë, që kishte për kohën , me urdhër të MMP-së nr 5, dt. 01 03. 1989 me grup pune, u realizua në praktikë , duke  modifikuar radarin japonez JMA-825. Tema studimore , nën drejtimin e autorit, u vu në zbatim konkret në repartet dhe njësitë e FA pasi kishte karakter të mirëfilltë aplikativ. Ka përgatitur ciklin e plotë të leksioneve të procesit mësimor në shkollën e lartë të bashkuar të oficerave për vitet  1973 -1991.

Është drejtues i disa temave për mbrojtjen e diplomave të studentëve ushtarakë, të specialitetit të radiolokacionit, e AKA-së.  Ka udhëhequr disa tema studimore të studentëve të Katedrës së Elektronikës të  Universitetit Politeknik të Tiranës. Ka botuar një sërë artikujsh studimorë,  në revistat ushtarake . Ka udhëhequr me sukses të plotë tre disertacione për mbrojtjen e gradës shkencore “ Doktor “.

Veprimtari pedagogjike

Nga viti 1963 deri në vitin 1992 ka qenë pedagog i jashtëm i Katedrës së elektronikës të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Grada shkencore “ Doktor”

Ka mbrojtur disertacionin me temë : Rritje e efektivitetit të zbulimit radiolokativ të objektivave ajrore, që fluturojnë në lartësi të ulët në drejtimin bregdetar të Republikës së Shqipërisë”. Juria e ngritur nga Universiteti Politeknik me vendim të caktuar në vitin 1988  i dha gradën shkencore ‘” Doktor”.

Grada ushtarake

Doli në rezervë pa gradë ushtarake, me 30 korrik të vitit 1991.

Dekorata

Medalje e shërbimit ushtarak 1955

Gjuhë të huaja

Rusisht, mbrojtur me dëshmi në UT, FGHH, para vitit 1988.