Puna dhe mirënjohja, e kanë bërë të pavdekshëm veteranin Todi Vasil Bozo

1281
Jovan BIZHYTI
Është në nderin e shoqërisë tonë, që veteranët e Luftës dhe të punës, heronjtë e këtyre dy fronteve që nxjerrin në pah vlerat e karakterin e njeriut, pavarësisht se kanë ikur nga kjo jetë, kujtohen ende në memorien e në kujtesën e brezave me emrin dhe veprën e tyre. Një i tillë mbetet veterani Todi Vasil Bozo, myzeqari që hodhi pushkën në krah për çlirimin e vendit që në adoleshencën e tij, që iu dogj shtëpia si bazë e Luftës Nac. Çl. dhe babai i tij ra dëshmor në përpjekje me bandën kriminale të Isa Toskës, kur dogji fshatin Kolonjë në prill 1943. Ai që mbas çlirimit të vendit, mori mbi vete përgjegjësi për drejtimin e vendit në pushtetin lokal në Lushnjë dhe më pas si drejtues në sektorin e rëndësishëm të bujqësisë, që Myzeqeja e kishte frontin e saj kryesor.

Bashkimi i krahëve të punës në krijimin e kooperativave të para bujqësore në Myzeqe, kërkonte një mbështetje dhe nga mekanika bujqësore që sapo hodhi bazat e para në vitet e pasçlirimit. Jo vetëm kaq, por tokat dhe terreni bujqësor në Myzeqe ishin shumë të aksidentuara nga moçalet e kënetat, nga shtretërit e vjetër të lumenjve, që ishin kthyer në pellgje moçalore, e fole shekullore e mushkonjave që infektonin vit pas viti sëmundjen tashmë shekullore të malaries.

Traktorët e makineritë bujqësore që erdhën në vitet e para të pasçlirimit nga ndihmat e BS, u përqendruan aty ku ishte fronti kryesor i bujqësisë, në Myzeqe. Si rezultat i kësaj, u ngrit ndërmarrja e parë e mekanikës bujqësore në Shqipëri, në Lushnje, që u quajtë SMT, (Stacion Makinash e Traktorësh). Todi Vasil Bozo, ishte nga kuadrot e parë që drejtoi këtë front të madh të mekanizimit të bujqësisë.

Duheshin njerëzit për t’i drejtuar këto makineri dhe Todi me stafin drejtues të ndërmarrjes, dërguan në shkollat e në kurset profesionale shumë djem e vajza të reja myzeqarë, që vite më pas u bënë mekanizatorë të zotë, u bënë traktoristë të talentuar që bonifikuan e sistemuan hapësirat pa fund të fushave e kodrinave, duke krijuar kushte për shtimin e sipërfaqes së tokave bujqësore dhe rritjen e rendimentit të kulturave bujqësore në Myzeqe. Drejtori i SMT-së, Todi Bozo, ishte i kudo ndodhur, ditën e natën, në shi, në diell e në acarin e dimrit pranë traktoristëve, pranë njerëzve të bujqësisë, të cilët e ndjenin nga afër mbështetjen e inkurajimin e tij dhe në komunikim me të, nuk i thoshin shoku drejtor, as shoku Todi, por “Xhaje”, si njeriu më i afërt familjar. Ai njihej në vitet 50-60 të shekullit që shkoi në gjithë Myzeqenë e Lushnjës si, “Xhaja i SMT-së”.

Bonifikimi i Myzeqesë, sistemimi i tokave dhe rrjeti perfekt vaditës e kullues ishte një investim e arritje e madhe për sektorin e bujqësisë në Myzeqe dhe kjo ishte mendja e puna e njerëzve të palodhur të këtij fronti, ku përfshihej dhe “Xhaja i SMT-së”, Todi Vasil Bozo, për punën e të cilit shkruanin vazhdimisht gazetat e kohës. Në një nga numrat e gazetës “Bashkimi” të atyre viteve shkruhej: “Todi Bozo, një kuadër i pa përtuar, i lidhur ngushtë me masat e popullit, tek të cilët ai gëzonte respekt e dashuri”. Për merita të veçanta si organizator e drejtues në sektorin e bujqësisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë në vitin 1969, e nderoi Todi Vasil Bozon me titullin e lartë: “Hero i Punës Socialiste” dhe për tre legjislatura ai ka mbajtur mandatin e deputetit të Kuvendit Popullor si përfaqësues i popullit të Myzeqesë së Lushnjes.

Vdiq papritur në moshën 57 vjeçare nga një sëmundje e rëndë në 18 shtator 1983. Populli i Lushnjës e përcolli atë me nderime shumë të veçanta. Megjithëse u nda shpejt nga jeta, ai la pas emrin e tij si njeri i nderuar i punës, la mirënjohjen ndaj njerëzve që u është gjendur pranë edhe në ditë të vështira dhe që bamirësia shpesh e ka bërë atë të pavdekshëm.

Një ditë, u ndodha në qytetin tim të lindjes, në Lushnjë. Një miku im i atyre viteve, mu lut të pinim një kafe. Lushnja sot ka ndryshuar shumë, me pallate goxha të larta, të bukura e komode, me rrugë, sheshe e lulishte të sistemuara. U ulëm në një nga bar-kafet e shumta që shihen kudo. Aty përballë kaluan dy gra disi të moshuara. Njëra prej tyre ishte Vali Bozo, mësuese në pension, vajza e veteranit të ndjerë, Todi Bozo. Ajo u bë shkak që të hapej biseda për këtë njeri, emri dhe mirënjohja që ka lënë pas, e kujtojnë dhe e bëjnë atë të pavdekshëm.

-Punoja në ato vite si nëpunës në një zyrë të pushtetit lokal,- më tha miku që kisha karshi.- Papritur më larguan nga zyra dhe më thanë të shkoja punëtor në fermën bujqësore, pasi më ishte arratisur jashtë shtetit ato kohë një djalë i xhaxhait. U ndjeva keq! Nuk e përballoja dot punën e krahut në bujqësi se isha dhe i sëmurë. Një ditë vendosa të shkoja në zyrë tek “Xhaja” në SMT. Më priti mirë.

-Çfarë halli ke?- më tha.
-Më kanë pushuar nga puna si ekonomist, për arsye se më është arratisur djali i xhaxhait. Ai na njihte si familje, kemi qenë të lidhur me luftën Nac. Çl., ku babai im ishte dhe partizan. Por ja që na ndodhi kjo fatkeqësi që ne nuk e prisnim,- i thashë dhe u përlota.

-Mos u mërzit,- më tha. Në prezencën time thirri shefin e kuadrit dhe i dha porosi, që unë të filloja punë si llogaritar e normist në një brigadë traktoriste këtu pranë qytetit.
-Mos të vë në vështirësi,- i thashë,- pasi unë tani jam me biografi të keqe!

-Ti je njeriu ynë,- më tha,- familja e juaj ka luftuar për çlirimin e vendit dhe arratisja e djalit të xhaxhait nuk e errëson biografinë tuaj. Dhe unë që të nesërmen fillova punë në SMT.

Ky ishte “Xhaja”, ky ishte Todi Bozo, hero i punës, njeri me zemër të madhe, me iniciativë, njeri që njerëzve në nevojë u gjendej pranë në momentet më të vështira të jetës. Ai po mbush 34 vjetorin e vdekjes, por mirënjohja dhe vepra e punës që ai ka lënë pas, e bëjnë atë të pavdekshëm, e bëjnë të kujtohet edhe në brezat që vijnë.
Sigal