Procesi i legalizimeve do të mbyllet brenda 4 viteve, problemet e mbatura

774
Drejtori i përgjithshëm i ALUZNI-t, Artan Lame, thotë se po trajtohen zonat me konflikte mes qytetarëve
Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, tha se sfida e qeverisë dhe e institucionit që ai drejton në 4 vitet e ardhshme është që t’i jepet fund procesit të legalizimeve. “Sfida e këtij mandati për institucionin e ALUIZNI-t dhe për qeverinë është përmbyllja e procesit të legalizimeve si një histori e së shkuarës. Unë e kam bërë si batutë që do të doja të isha drejtori i fundit i ALUIZNI-t, nuk e di në do vërtetohet kjo apo jo Në këtë mandat mbyllet historia e fjalës legalizimeve”, tha ai në një intervistë për “Ora News”. Artan Lame nënvizoi se problematikë kryesore mbeten legalizimet e pallateve të braktisura, një proces që ka nisur që në janar. 

“Tani vjen një pjesë shumë më e vështirë, që do të thotë përgjithësisht zonat informale e mbyllën procesin e legalizimeve dhe zonat informale vërtet ishin shumë dhe masive, por ishin dhe disi më të thjeshta. P sh në Bathore, është një zonë informale që ka shumë pak probleme konfliktesh mes qytetarëve, në një kohë kur futesh në qytet, futesh brenda problematikave të qyteteve tradicionale, problematikat bëhen më të paimagjinueshme. Një problematikë e këtij lloji ishte ajo që ne filluam dhe vumë rrugën e zgjidhjes në janar, që ishte legalizimi i pallateve të braktisura”, u shpreh drejtuesi i Agjencisë së Legalizimit e Urbanizimit të Zonave e Ndërtimeve Informale.

Numri një i ALUIZNI-t, i rikthyer në detyrë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, tha se ky institucion renditet i fundit nga të gjitha institucionet për denoncimet për korrupsion. “Ia lë qytetarit të gjykojë, ia lë ju gazetarëve. Më thuaj sa herë në emisionet tuaja investigative janë trajtuar çështje të legalizimeve, mund të numërosh në këto 4 vjet 2 ose 3”, tha Lame. Sipas tij, në denoncimet për korrupsion, institucioni që drejton nuk është ndër kryesorët, pavarësisht rasteve të bëra publike në ditët e fundit. “Unë e them me përgjegjshmëri që institucioni i ALUIZNI-t pas 4 vjetësh mund të jetë i fundit në radhën e institucioneve të renditura për këtë problem. Kjo është krenari jo për mua, por për të gjithë ata punonjës që punojnë në këtë institucion”, tha Lame. Ai nënvizoi gjithashtu, se legalizimet nuk janë përdorur për efekte elektorale. “Nuk u përdor kurrë për efekte elektorale. Një nga gjërat që listoi opozita kur kërkoi pjesë në qeveri ishte ALUIZNI, duke menduar që këtu, kjo ishte e gjitha një histori që bëhej për të bërë efekt elektoral. Por puna që ishte shpërndarë në 4 vjet tregonte që nuk ka të bëjë me çfarë do bësh në dy muaj”, u shpreh drejtori Lame.

Lehtësohet aplikimi për pronat e legalizimet
Më pranë qytetarëve me sportele online. E-Albania vijon shtimin e shërbimeve të reja elektronike, duke mos u ndalur në asnjë çast në misionin e vet për të qenë në funksion të plotë të qytetarit dhe biznesit shqiptar. “Shumë shpejt në portën e vetme online të qeverisë mund të gjeni shërbime të Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe ALUIZNI-t kushtuar qytetarëve, të cilët kërkojnë të sqarohen rreth problematikave të tyre apo të marrin një dokumentacion shtesë. Çështja e pronave mbetet ende mjaft e ndjeshme dhe në sportelet fizike të Agjencisë së Trajtimit të Pronave mbërrin një numër i konsiderueshëm kërkesash që kërkojnë të marrin përgjigje. Posaçërisht, online në portalin e-Albania qytetarët e interesuar mund të kryejnë shumë shpejt dërgimin e një kërkese për informacion në lidhje me ecurinë e shqyrtimit të dosjeve të ndjekura nga ATP-ja”, thuhet në njoftimin e E-Albania.

Si do të jetë procedura?
Me anë të dërgimit online të kërkesës për marrjen e informacionit, vetë ATP-ja, përmes personave përgjegjës, kryen shqyrtimin e kërkesës bashkë me dokumentacionin shoqërues. Në rastin kur kërkesa është e rregullt, ajo trajtohet nga specialistët dhe brenda 30 ditësh qytetarit të interesuar i kthehet përgjigjja online përmes e-mail-it si dhe te seksioni “Hapësira ime” në portalin e-Albania. Në rast se përgjigjja kërkohet edhe në letër, atëherë qytetari duhet të paraqitet fizikisht pranë sporteleve të ATP-së. Edhe kur aplikimi për kërkesën nuk është sipas rregullave të paracaktuara, sërish njoftimi i qytetarit bëhet me e-mail, duke shmangur çdo lloj keqkuptimi të mundshëm. E njëjta procedurë ndiqet edhe nëse qytetari ka ankesa në lidhje me shqyrtimin e dosjeve të ndjekura nga ATP-ja.

ALUIZNI është një tjetër institucion që pret një fluks kërkesash çdo ditë dhe ndodhet në përpjekje të vazhdueshme për sqarimin dhe rrugëzgjidhjen e problematikave nga më të ndryshmet. Një spektër i gjerë shërbimesh lidhur me pronat ndodhet në portalin e-Albania, ndërsa shumë shpejt pritet të jetë aktiv shërbimi elektronik që i mundëson çdo qytetari të aplikojë për t’u pajisur më pas me një vërtetim që provon se ndërtimi i tij është në proces legalizimi. Qytetarët e interesuar, mund ta dërgojnë aplikimin menjëherë dhe pa vonesa, por më parë duhet të kenë vetëdeklaruar ndërtimin informal, pasi shërben edhe si dokumentacion për plotësimin e formularit. Më tej procedura është mjaft e lehtë dhe mbetet në përgjegjësinë e ALUIZNI-t që të verifikojë saktësinë e dokumentacionit. Nëse çdo gjë rezulton e rregullt atëherë qytetari merr elektronikisht vërtetimin e kërkuar. Kur ka mangësi, elektronikisht njoftohet aplikanti dhe udhëzohet për të përfunduar me sukses procedurat.
Sigal