Plani i ri i menaxhimit nxit akuza se Butrinti do të jepet ‘me koncesion’

84

Më 15 tetor, në një ceremoni simbolike të mbajtur në Ministrinë e Kulturës, drejtori i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, AADF, Michael Granoff – i shoqëruar nga ambasadorja Victoria Nuland i dorëzoi Ministres së Kulturës, Elva Margariti draftin e Planit të Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrint.

Në një deklaratë për mediat, Ministria e Kulturës nënvizoi se ky plan menaxhimi ishte produkt i një bashkëpunimi 10 vjeçar me AADF dhe synonte të projektonte menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit gjatë dekadës që vjen.

“Ligji i ri për trashëgiminë kulturore dhe muzetë specifikon krijimin e fondacioneve të posaçme, ku Ministria e Kulturës është pjesë e fondacionit dhe është drejtuese e fondacionit,” tha Margariti.

“Ajo çfarë ne krijojmë në partneritet me fondacione të tjera, të cilat shkrihen më pas në një dhe krijojnë një fondacion të ri i posaçëm, ku siç thashë, ministria është në krye të saj, lind pikërisht në bazë të një plani menaxhimi, të një plani biznesi, fillojmë të flasim për herë të parë për plane menaxhimi dhe plane biznesi me një afat të paktën 10-vjeçar,” shtoi ajo.

Projekti i planit të menaxhimit është hartuar nga firma britanike ‘Prince & Pierce’ me një financim prej 250 mijë USD nga AADF. Gjatë takimit, drejtori i bordit të AADF, Granoff deklaroi se ky projekt ka qenë një nga më afatgjatët ku është përfshirë fondacioni, duke aluduar që AADF kishte ndikuar dhe në hartimin e ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

“Ajo që kuptuam është që kyçi për zgjidhjen e çështjes së Butrintit nuk ishte të hidhnim më shumë para, por që të eksplorohej një ide tërësisht e re për menaxhimin e këtij parku, për shkak të kompleksitetit dhe të madhësisë,” tha Granoff. “Kjo na çoi tek një ligji i ri dhe një legjislacion që do ta bënte të mundur një plan të tillë menaxhimi,” shtoi ai.

Prezantimi i draftit dhe deklaratat e Margaritit dhe Granoff janë shoqëruar me reagime të ashpra nga disa përfaqësues të komunitetit të arkeologëve, të cilët i ka shqetësuar përfshirja e një fondacioni privat në menaxhimin e parkut të Butrintit dhe sidomos në ndikimin që fondacioni mund të ketë mbi punën shkencore.

Madje, disa nga zërat më kritikë si arkeologu Neritan Ceka, e kanë cilësuar planin e menaxhimit të integruar të parkut si një mjet për të dhënë me koncesion administrimin e tij.

“E gjithë procedura jo vetëm ka qenë jotransparente dhe antiligjore, kur pretenduesi për koncesion (nuk është PPP!), përgatit vetë termat e referencës dhe e merr koncesionin pa garë,” tha Ceka.

I banuar që nga periudha prehistorike, Butrinti ka qenë në të shkruarën një koloni greke, një qytet romak dhe një dioqezë peshkopi. Qyteti shënoi një periudhë lulëzimi gjatë periudhës bizantine dhe regjistroi gjithashtu një pushtim të shkurtër Venecian. Qyteti antik u shpall për herë të parë si monument kulture në vitin 1948 dhe në vitin 1999 u bë pjesë e listës së trashëgimisë botërorë të UNESCO. Në vitin 2003, kompleksi ligatinor, përfshirë dhe pjesën e lagunës dhe zonën bregdetare të Butrintit – Kepin e Stillos – u shpallën Zonë Ramsar dhe Park Kombëtar.

(Gjatë ceremonisë së prezantimit të planit të ri të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit. Foto: AADF.)

Ligji i ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë i miratuar në vitin 2018, parashikon administrimin e pasurive kulturore në mënyrë direkte nga institucionet shtetërore ose në formë indirekte nëpërmjet fondacioneve të posaçme.

Sipas ligjit, personat juridikë jofitimprurës të bashkëthemeluar ndërmjet institucioneve shtetërore, të përfaqësuar nga ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, dhe personave fizikë ose juridikë privatë, vendas apo të huaj, mund të marrin në administrim pasuri kulturore me qëllim mbrojtjen, ruajtjen, restaurimin, vlerësimin e pasurive kulturore dhe dhënien në përdorim të drejtpërdrejtë.

Projekti për hartimin e planit të menaxhimit të integruar u shpall më 2 tetor 2018 në një nga ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, por disa ekspertë vendas besojnë që puna për këtë plan filloi qysh në vitin 2016, kur po përgatitej ligji i ri për trashëgiminë kulturore – për të krijuar mbështetjen ligjore për partneritet me privatin.

Dyshimet për privatizimin e parkut, u shfaqën menjëherë pas shpalljes së projektit për hartimin e planit të menaxhimit të integruar një vit më parë. Ka qenë Forumi i Trashëgimisë Kulturore – një organizatë që lobon për ruajtjen e trashëgimisë në vend prej më shumë se një dekade, i cili ka dalë kundër planit të hartuar nga AADF që në gjenezën e tij.

Nëpërmjet katër pikave, Forumi shprehu një vit më parë shqetësimin për “përjashtimin e ekspertëve shqiptarë të trashëgimisë kulturore nga hartimi i planeve të së ardhmes së Parkut Kombëtar të Butrintit; ishte kundër ndërhyrjes së privatëve në menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, në formën e kafeve, restoranteve, PPP-ve, apo fondacioneve, pavarësisht nga emri dhe kontributet jotransparente që ofrojnë për ministritë.”

Forumi propozoi formimin e një fondacioni publik, sipas modelit të ‘British Heritage’ në Angli – fondacion i cili duhet të marrë përsipër menaxhimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, “të keqtrajtuar, shpërdoruar, shkatërruar dhe shitur nga grupe të pandërgjegjshëm burokratësh, që kanë drejtuar Ministrinë e Kulturës në tri dekadat e fundit.”

Sipas arkeologut Neritan Ceka, ajo që ngjall më shumë habi në këtë plan menaxhimi, është dhe eksperienca e limituar në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore e kompanisë zbatuese “Prince & Pierce”.

“Me sa di kanë bërë edhe një plan menaxhimi ambiental të Volorekës, një punë studentësh, që e kishin ekspozuar në Muzeun Kombëtar atë ditë,” tha Neritan Ceka, jo pa shpoti për eksperiencën e kompanisë britanike.

“Ndërkohë Butrinti është një nga projektet kryesore të Institutit të Arkeologjisë në bashkëpunim me Universitetin e Maçeratës, ku prej disa vitesh punojnë një grup prej gjashtë arkeologësh dhe arkitektësh,” shtoi ai.

Ceka ka qenë një nga themeluesit e Parkut Arkeologjik të Butrintit në vitet 1969-1975, si dhe drejtues i ekspeditës shqiptaro-greke në vitet 1991-1993 dhe 2004-2005. Sipas të dhënave të bëra publike në faqen e saj në internet, përveç projektit që i referohet Ceka, kompania Prince & Pierce ka qenë e përfshirë në paktën dy projekte të tjera në fushën e arkeologjisë në Angli: ‘Lancaster City Council Funding Consultants Framework’ dhe ‘Herefordshire Museum Service,’ që është një muze lokaliteti.

Ndryshe nga Ceka, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita ka një opinion më të moderuar për kompaninë britanike ‘Prince& Pierce,” me të cilën ekspertë vendas kanë mbajtur konsultime për hartimin e planit të menaxhimit. Sipas Përzhitës, përfaqësuesit e kompanisë britanike kanë bërë rreth 2-3 takime me grupin e punës që po punonte për draftin dhe madje njerëzit e AADF-së u ftuan në mbledhjen e Këshillit Shkencor të Institutit të Arkeologjisë, ku u debatua për draftin, në aspektin e kërkimit shkencor.

“Ata ranë dakord dhe madje i pranuan të gjitha vërejtjet tona, pasi drafti momentalisht po hedh linjat e përgjithshme të planit të menaxhimit të parkut, kurse në hapin e dytë do të gjykohet për mendimet e ndryshme, si edhe këto prej arkeologjisë,” tha ai.

Instituti i Arkeologjisë posedon shumë asete në Butrint, pronë e saj me vendim të Këshillit të Ministrave. Mes tyre ndodhet një laborator, salla të përpunimit të qeramikës, depo të magazinimit të qeramikës dhe gjetjeve arkeologjike, por edhe disa salla me funksion studimi.

“Ne kemi disa bashkëpunime atje, madje një me Universitetin e Bolonjës dhe një me Universitetin e ‘Notre Dame’ të Amerikës, dhe asetet tona i shërbejnë këtij qëllimi,” tha Përzhita. “Problem është se këto do të llogariten në këtë draft si pjesë e parkut të Butrintit, kur t’i hiqen nga pronësia Institutit të Arkeologjisë,” shtoi ai.

Sipas drejtuesit të Institutit të Arkeologjisë drafti i paraqitur i planit të menaxhimit, nuk është shumë i qartë mbi kërkimin shkencor, si edhe rolin e Institutit të Arkeologjisë në kërkimin shkencor që do të kryhet në parkun e Butrintit.

“Ne si institucion, kemi debatuar me formuluesit e draftit sa i përket kërkimit arkeologjik,” tha Përzhita.

“Bashkëbisedimet që kemi hasur lidheshin me kërkimin arkeologjik, i cili përbën shqetësimin tonë në kushtet e një drafti të paraqitur për zhvillimin dhe menaxhimin e parkut,” përfundoi ai.