Përrenjas, bashkia harxhon fondin e pagave në fushatë, punonjësit 3 muaj pa rroga

570
Sigal

SITUATË KAOTIKE/ Punonjësit: Vetëm Kryebashkiaku paguhet, ne jo. Ngërç edhe në Këshillin Bashkiak

Bashkia e Përrenjasit është në krizë dhe këtë fakt e vërteton mos shpërndarja e rrogave në administratë. Sipas burimeve për “Telegraf” bëhet e ditur se, administrata e Bashkisë Përrenjas prej tre muajsh nuk ka shpërndarë rrogat e punonjësve. I vetmi i privilegjuar në këtë rast është Kryebashkiaku, sepse vetëm ai e ka marrë rrogën mujore ndërsa punonjësit jo. Punonjësit janë të shqetësuar, sepse nuk e dinë edhe sa do të zgjas ky ngërç që ka prishur ekuilibrat. Por ata të sigurt bëjnë të ditur se gjatë fushatës është përdorur edhe fondi i pagave të tyre.

Punonjësit

Punonjësit e Bashkisë së Përrenjasit të pyetur nga gazeta “Telegraf” deklarojnë se, kanë tre muaj pa marrë rrogat. Ata nuk dinë të japin një përgjigje sesa do të vazhdojë kjo situatë, sepse askush nuk u jep një përgjigje të saktë për problemin që kanë. Njëri prej punonjësve të bashkisë, i cili kërkon të mos identifikohet kë thotë: “Çdo ditë pyesim se kur do t’i marrim rrogat, por na thonë se nuk ka fonde. Më pas na thonë se bashkia është në krizë. Por unë si punonjës i brendshëm një gjë nuk kuptoj. Mirë ne të sektorëve të tjera, po fondet e punonjësve të sporti e kulturës ku shkuan? Ndërsa dje kur u interesova sërish më thanë se fondet e lekëve tona kanë shkuar në destinacione që vetëm i madhi i bashkisë e di”. Me të drejtë punonjësi e administratës ngre supet përpjetë dhe thotë se nuk kanë asnjë informacion se ku janë harxhuar lekët e tyre, por ata kërkojnë shpërndarjen e lekëve sa më shpejt, sepse për disa, ajo pagë është e vetmja e ardhur në familjet e tyre. Nuk e kuptojmë thonë punonjësit sesi vetëm bashkia jonë nuk ka fonde për rrogat tona, sepse ka edhe bashki më të vogla siç është p.sh Bashkia e Cërriku dhe rrogat i marrin çdo muaj. Gjithashtu, sipas burimeve as këshilltarët e Bashkisë së Përrenjasit nuk i kanë marrë lekët e muajit korrik, ku dhe këta shprehen të irrituar nga situata që është krijuar në këtë bashki dhe kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme të kësaj situate, pasi të gjithë këta punonjës me këtë rrogë mbajnë familjet.

Këshilli Bashkiak, tre muaj pa u mbledhur

Në Bashkinë e Përrenjasit dhe mbledhja e Këshillit Bashkiak ka plot tre muaj që nuk është mbledhur dhe nuk dihet, se cila është arsyeja e mos mbledhjes së tij. Sipas të dhënave thuhet se, këshilli nuk mblidhet se pas koalicionit PS-LSI kanë frikë se mos shkarkojnë kryetaren e këshillit dhe vendosin dikë tjetër nga koalicioni i majtë.