Xhevat MUSTAFA/Kush është në të vërtetë sovran në Shqipëri?

546
Sigal

Sovraniteti apo plot-pushteti i popullit bie si një kështjellë prej rëre, menjëherë pas hedhjes së votës në kuti apo dhënies së verdiktit, siç thuhet zakonisht në ditë fushatash zgjedhore nga politika e nga mediat. Pas këtij akti ai që lajkatohet apo tallet me epitetin “sovran”, nuk ka më punë me votën, nuk di fatin e saj të mëtejmë, i ka humbur, në mos të gjitha, shumicën e fuqisë apo të pushtetit që i njeh ligji në letër.

Ligjërisht apo de jure, sipas nenit 2 të Kushtetutës, ky rol i njihet popullit. Në të vërtetë e de facto, llogaritur qysh nga 28 nëntori 1912, pra, për mbi 100 vjet, ai nuk ka qenë dhe nuk është në këtë piedestal. Në të vërtetë, populli, i cilësuar sovran në tekstet e shkruara të kushtetutës  dhe në deklarime dhe fjalime, e ka ndjerë veten disi vendimmarrës dhe përcaktues, deri sa ka pasur në dorë fletën e votimit dhe gjatë sekondave kur ka vënë shenjën përkatëse X apo plus. Sovraniteti apo plot-pushteti i popullit bie si një kështjellë prej rëre menjëherë pas hedhjes së votës në kuti apo dhënies së verdiktit, siç thuhet zakonisht në ditë fushatash zgjedhore nga politika e nga mediat. Pas këtij akti ai që lajkatohet apo tallet me epitetin “sovran”, nuk ka më punë me votën, nuk di fatin e saj të mëtejmë, i ka humbur, në mos të gjitha, shumicën e fuqisë apo të pushtetit që i njeh ligji në letër.

Ditën kur ka hedhur votën në kutitë e votimit populli ka kryer apo ka pranuar kalimin ose delegimin e sovranitetit të tij formal tek ata që zyrtarisht e formalisht quhen përfaqësues të tij. I mbetur vetëm me jehonën e cilësimeve “sovran” në fjalime elektorale apo nëpër media, populli i përkushtohet për 4 vjet të tjerë punëve dhe halleve të tij të mbijetesës së përditshme, duke harruar gjithnjë e më shumë të organizohet, të kundërshtojë e protestojë si qytetar evropian. Në të njëjtën kohë, shumica e atyre që kanë përfituar mandate, poste, pushtete dhe privilegje prej tij, i përkushtohen qëllimeve dhe angazhimeve të tyre për të pasur përfitime sa më të mëdha personale, familjare, klanore apo ortakërore si dhe për të kënaqur sa më shumë dëshirat dhe epshet e tyre. Milionerët apo miliarderët e demokracisë jepen kaq shumë pas këtyre punëve, qëllimeve, qejfeve dhe llogarive sa harrojnë shpesh e gjatë, të parët ata që i kanë falur  pushtete dhe mundësi të arta, pra qytetarët që i kanë zgjedhur, të cilët, të gjithë bashkë, pa ngjyrë partiake bëjnë sovranin. Disa që ekstazohen apo tërbohen nga kabinetet, pushtetet, privilegjet dhe imuniteti; nga milionat në zarfe, kasaforta e depozita; nga kazinotë e nga suitat luksoze të hoteleve me 5 yje, shkojnë edhe më tej e më thellë, harrojnë edhe gratë e fëmijët, detyrimet zyrtare e partiake. Harrojnë edhe shokët e miqtë e dikurshëm, shumicës së të cilëve u kanë mbetur në dorë apo në xhepa cilësimet propagandistike “i orëve apo ditëve të para”, militant, idealist, qëndrestar dhe u kanë borxh dhjetëra vota gjatë zgjedhjeve, nga 31 marsi 1991 deri tek ato të 23 qershorit 2013. Harresa e fyerja ndaj këtyre shkojnë deri aty sa u mbyllen në fytyrë dyert e zyrave apo në veshë sinjalet e celularëve.

Zhgënjimi dhe pakënaqësia e anëtarëve dhe qytetarëve të thjeshtë arrijnë kulmin kur kujtojnë se në aspektin kohor dhe të meritave, mund të jenë shumë më të hershëm dhe më me shumë kontribute për partinë se sa shefat e mëdhenj. Ikin nga këta dyer që zakonisht hapen vetëm për miq, shokë, ortakë dhe sekserë, duke u bindur edhe më shumë se luftërat e betejat i bëjnë idealistët dhe militantët, ndërsa frytet e fitoreve i gëzojnë pragmatistët, ata që nuk kanë vramendje për ideal, moral dhe për ruajtjen e imazhit të partisë, që lidhjet, dosjet dhe mëkatet e dikurshme i kanë ndihmuar të zënë poste të rëndësishme e shumë fitimprurëse në parti, parlament, në dikastere dhe institucione të tjera të larta shtetërore.

Pra, populli i thjeshtë, e gëzon cilësimin “sovran” krejt për propagandë apo për të qenë formalisht korrekt me ligjin, sepse në të vërtetë atij i mbeten në duar vetëm…çelësat e kashtës. Në këto kushte nuk ka pse të përjetohet si çudi, mëkat, pabesi e mosmirënjohje shitja e votës nga një pjesë e popullit që ka vetëm 22 vjet Demokraci e që bën zgjedhje, që mund të pranohen jo pa rezerva si të lira e të ndershme; që ka në gjirin e tij mijëra familje që mbijetojnë me mbështetje sociale mujore në shumën më pak se një dite pune për një deputet apo me pensione në rreth 100 euro. Po kështu, nuk ka pse të shihen si fajtorë për shitjen e votës me një shumë disa fish më të lartë se mbështetja e tyre sociale apo pensioni mujor, ata kryefamiljarë, që e sigurojnë pjesën tjetër të bukës  së gojës për gjithë familjen nga ata pak lekë që u sjellin fëmijët duke shitur gjithë ditën kaushë me bajame apo gështenja të ziera e të pjekura, çakmakë, stilolapsa, kapëse rrobash, kutia leukoplasti… Gjithashtu, nuk e meritojnë të cilësohen as matrapazë votash dhe as qytetarë të emancipuar e me vetëdije demokratike bashkëkohore, ata prindër, që i mbajnë familjet nga të ardhurat që u vijnë në darkë nga fëmijët që rriten duke lypur rrugëve apo duke vjedhur nëpër autobusë; duke rrëmbyer për skrap për furrat e shkrirjes së KURUM-it shinat e hekurudhës, pusetat, hekurat e Urës së Bunës në Shkodër, shtyllat e tensionit të lartë,  që masakrojnë pyjet e Lurës për gropat e çimentos përreth Krujës, që urinojnë përnatë ngjitur me sportelin e biletave të Teatrit të Operas dhe Baletit apo poshtë Urave të Lanës në Tiranë,…

Nga ana tjetër, për deri sa në listat e deputetëve kishte më shumë se në zgjedhjet e kaluara milionerë e miliarderë, “bosë të drogës e të trafiqeve”, duhet të ishte e pritshme se ata nuk do të luftonin për të fituar mandatin e deputetit me CV të pasura dhe merita të shumta, por me zarfe e premtime marramendëse, tepër joshës për mijëra xhepshpuar apo xhepabosh.

Përvoja rreth 22 vjeçare e pas-komunizmit, sidomos pas 1997-ës, si gjatë periudhave qeverisëse nga e djathta, ashtu dhe të atyre nga e majta,  ka treguar se pushtete sovrani në Shqipëri  kanë pasur dhe kanë kryetari dhe kryeministri i partisë në pushtet. Ata që kanë fatin të hyjnë në mendjen, zemrën dhe listën e emrave preferencialë apo të rekomanduar nga miq të fortë të binomit kryetar-kryeministër, bëhen ç`ti ketë shkuar në mendje e vesh dhe ç`ti dojë zemra atij, deri në President i Republikës. Ka ndodhur kështu edhe në ato raste kur anëtarësia e partisë dhe zgjedhësit ia kanë shprehur shqip se nuk i duan dhe nuk do ti votojnë. Të paktën në Kavajë, ky karshillëk apo sfidim ndaj anëtarësisë dhe elektoratit i ka kushtuar PD-së me humbjen e një bastioni dhe me dy disfata të rënda radhazi në betejat elektorale brenda 2 vjetëve. Në të kundërt, kush guxon të kundërshtojë dhe kritikojë publikisht binomin e frikshëm kryetar-kryeministër, përjashtohet nga partia, i humbet postet e privilegjet, përfundon në një ish apo edhe më keq, anatemohet me lloj-lloj cilësimesh të kohës së diktatorit Enver Hoxha. Mund të kujtojmë për këtë dukuri apo traditë rastet e freskët të Bamir Topit në PD e të Kastriot Islamit dhe Arben Malajt në PS.

Sipas këtij këndvështrimi dhe mbështetur në faktin e afirmimit të Edi Ramës si një lider autoritarist deri në absolutizëm apo si kopje e paraardhësve del logjikshëm përfundimi se më 23 qershor ndodhi më shumë rotacioni i sovranëve dhe “oborrtarëve” të tyre se sa i qeverisjeve. Në këto kushte, t’i bësh qefin popullit, duke e cilësuar sovran dhe votimin e tij më 23 qershor si “verdikt demokratik i sovranit”, si “ vendim plebishitar” apo si dëshmi e pjekurisë së tij demokratike, nuk është as e saktë dhe as punë e pastër. Përsëritja e shpeshtë, vend e pa vend e këtyre cilësimeve, mund ti kujtojë shumëkujt demagogjinë kriminale të periudhës enveriane, kur diktatura komuniste i kryente krimet e saj monstruoze duke u fshehur pas sloganit “Në emër të Popullit”.

Edhe t’ia hedhësh fajin dhe përgjegjësinë për humbjen asaj pjese të popullit që u shit apo ble më 23 qershor më shumë nga halli se sa nga vesi, dëshira dhe mosmirënjohja, nuk është as e drejtë dhe  as besueshme.

As shifrat apo statistikat nuk mbështesin se më 23 qershor patëm votim dhe verdikt plotësisht demokratik të sovranit. Siç dihet e sipas një statistike jo përfundimtare votuan rreth 1.744.261 qytetarë apo 53.50 % e zgjedhësve. Pra, mund të themi se ka votuar pak më shumë se gjysma e sovranit. Kësaj gjysme duhet t’i heqim 39.79% të votave që kanë qenë për Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim. Kështu mbetet që të thuhet se për qeverisjen e majtë kanë votuar dhe janë mbështetës rreth 57.88% apo duke e rrumbullakosur, rreth 58% e sovranit 53 përqindësh.

Nuk është në të mirën e vendit e të demokracisë së vërtetë, të së sotmes e të ardhmes sonë, në qoftë se nuk e vlerësojmë popullin tonë apo vetveten saktësisht e realisht, me të gjitha të mirat e të këqijat që trashëgojmë, ruajmë e kultivojmë. Do të kishim më shumë dëme se sa dobi nëse do të mashtronim veten dhe botën se më 23 qershor 2013 populli ynë ka votuar si sovran e si evropian i vërtetë. Në fund të fundit, duke u kapur edhe vetëm pas problemeve në qendrat e votimeve dhe kutitë në Lezhë, Shkodër e Kukës dhe duke mos i mohuar disa dukuri pozitive, sidomos për imazhin e vendit tonë e për procesin e marrjes së statusit të kandidatit për në BE, zgjedhjet e 23 qershorit ishin më shumë allashqiptare se sa sipas standardeve të përparuar e të konsoliduar evropiane-perëndimore.

Në kushtet e një gjendjeje apo tradite të tillë, kur anëtarët dhe qytetarët e thjeshtë shihen e llogariten si shifra në mitingje e zgjedhje dhe përfaqësuesit e tyre-deputetët si kartonë e si numra për miratim e bllokim, duket si një premtim i zakonshëm elektoral deklarimi i kryetarit dhe kryeministrit të ardhshëm të PS-së, Edi Rama, në fjalën e tij me rastin e 22 vjetorit të krijimit të kësaj partie se nuk do të jetë diktatori apo sovrani i radhës. Gjithashtu, ka shumë gjasa që edhe kryetari i ri i PD-së, Lulzim Basha nuk do ta ketë rrugën të shtruar me lule që të vërë në jetë platformën e harruar për 22 vjet, me anë të cilës bëhet e mundur vlerësimi i kontributit dhe mendimit të çdo anëtari të PD-së, nga themeluesit e deri tek më të rinjtë. Nëse do t’ia arrijë kësaj nënkuptohet se do të ketë fituar edhe sfidën tejet të vështirë për ta bindur Berishën se tani e tutje është vetëm një anëtar e një votë dhe jo me pushtetet e dikurshme, të krahasueshme me të një sovrani.

Fatmirësisht, ndryshe nga Berisha dhe Edi Rama, të paktën deri më sot, Lulzim Basha ka treguar se nuk ka mendësi, natyrë apo tip, ambicie dhe brumë për t’u bërë kopja e tyre apo e radhës.