Frank SHKRELI/100-vjetori i coptimit të Shqiperisë

786
Sigal

29 Korriku, 2013 shënoi 100-vjetorin e Konferencës së Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha europiane të kohës mbajtur në Londër më 29 Korrik 1913.  Disa historianë mund ta shikojnë këtë datë si një datë e miratimit përfundimtar të pavarësisë së Shqipërisë, por në të vërtetë, është 100-vjetori i vendimeve të copëtimit të trojeve shqiptare, i cungimit  të Shqipërisë natyrale,  ashtu sikur shqiptarët me mijëra vjet në trojet e tyre autoktone,  të ishin plaçkë tregu në duart e fqinjëve të mbështetur nga fuqitë e mëdha të kohës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia.  U vendosën kufijtë krejtësisht artificial, duke hedhur poshtë dhe duke mos marrë në konsideratë faktet historike, etnike, linguistike dhe gjeografike të shqiptarëve.  Konferenca e Ambasadorëve në Londër, këputi për gjysmë kombin shqiptar, i fali Greqisë Çamërinë me kryeqytetin e saj historik Janinën.  Kosova dhe trojet shqiptare në Maqedoni i jepen Serbisë dhe Mali i Zi merr Ulqinin, Tivarin, Plavë e Guci dhe ndanë Malësinë e Madhe për gjysmë duke i falë  Knjazit pjesë të mëdha të Malësisë megjithëse nuk kishte asnjë sllav malazias në ato anë.

 Por, megjithëse, duke jetuar në trojet e veta me shekuj, shqiptarët autoktonë të  Kosovës  dhe Shqipërisë veriore, përveç përpjekjeve të suksesshme diplomatike të fqinjëve për të asgjësuar kombin shqiptar duke e copëtuar dhe duke e ndarë midis tyre, ata njëkohësisht me diplomacinë e ndyrë të tyre, filluan spastrimin dhe ndërmorën një gjenocid kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre.   Ishte kjo edhe periudha e propagandës serbe e greke në gazetat e asaj periudhe që përpiqej ti tregonte botës për “egërsinë” e shqiptarëve  dhe  si të tillë, sipas tyre,  ata duheshin ”kulturuar” nga “kultura” serbe dhe greke, ose të zhdukeshin fare si popull.  Këtë ata e bënë me efikasitetin më të madh, duke djegur dhe  shfarosur fshatra të tëra shqiptarësh, siç vihej në dukje në një raport të entitetit humanitar amerikan, Carnegie të vitit 1913.

Siç ndodhi fund shekullin e kaluar me tragjedinë e Kosovës,  ashtu edhe 100-vjet më parë, ishte Amerika ajo që me këtë raport i hoqi maskën dhe zgjoi ndërgjegjen e botës së atëhershme, mbi krimet dhe gjenocidin e bërë kundër fisit më të lashtë të Ballkanit, shqiptarëve.    Raportin i vitit 1913 i përgatitur dhe botuar nga Instituti Carnegie, i cili kishte dërguar  një delegacion në Kosovë dhe në Shqipërinë e  Veriut për të parë gjendjen për së afërmi se ç’po ndodhte atje, dërguar Lidhjes së Kombeve, ndër të tjera,   përshkruan atë që kishin parë anëtarët e komisionit:  “Djegie shtëpish e fshatrash, vrasje me grumbuj mbi popullsinë e çarmatosur e të pafajshme shqiptare, përdhunime që nuk janë parë kurrë më parë, rrëmbime dhe brutalizime të të gjitha llojeve.  Këto janë mjetet që përdorin trupat serbe dhe malazeze -dhe po përdorin gjithnjë – me qëllim për ta ndryshuar fizionominë etnike krahinave që banohen prej shqiptarësh”.

Edhe sjelljet e  grekëve në jug të Shqipërisë dhe në Çamëri, sipas Edith Durham që kishte vizituar ato zona,  nuk ndryshonin për nga brutaliteti kundër popullsisë shqiptare të këtyre trojeve, duke vrarë e prerë pa mëshirë dhe duke përdorur barbarizmat, vrasjet dhe djegiet e shtëpive dhe fshatrave shqiptare, ashtu siç bënin sllavët në  anë e mbanë trojeve shqiptare në veri.

Historia e kombit shqiptar ka pësuar tragjedi të papërshkruara, por rrënjët e tij, megjithë tundjet e rënda shekullore, kanë qëndruar të patundura. Kjo, falë patriotëve të mëdhenj të kombit, të cilët megjithë vështirësitë nuk humbën kurrë drejtimin dhe të cilët me largpamje u kanë qëndruar besnikë vlerave dhe bashkimit të kombit.

Ndonëse vetëm 100-vjet më parë u krijua shteti gjysmak shqiptar, sipas Naim Frashërit: ”Bota që kur është zënë, Shqipërija gjallë ka qenë”. Në këtë përvjetor, u takon autoriteteve të sotme kombëtare të jenë të ndërgjegjshëm dhe njëkohësisht mbi ta bie përgjegjësia  politike dhe morale për të kultivuar një besim të patundur për një të ardhme më të mirë për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ashtu që të bashkuar, të tejkalohen problemet kombëtare të së kaluarës dhe me guxim e vendosmëri të  shkohet kah e ardhmja përballë rreziqeve dhe furtunave që mund të dalin përpara.  Për liri e pavarësi, shqiptarët kanë luftuar gjatë gjithë historisë. Por a kanë qenë të bashkuar.  Kurrë si në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbe.  Andaj, duke nderuar dhe kujtuar të kaluarën, të shkohet me besim të patundur përpara, por pa tradhtuar të kaluarën, pa nëpërkëmbur kultin e shqiptarizmit.  Megjithë hallet e tyre, shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të lirë se sot dhe më vetvendosës për fatin e tyre se sot.   Prandaj, ky realitet i ri, le të shërbej si premtim për të ardhmen, për t’u renditur me nder në radhën e kombeve të përparuara.   Kjo është përgjegjësia e vet shqiptarëve dhe e udhëheqësve të tyre dhe jo  e konferencave anti-shqiptare  ose e vendimeve të autoriteteve të ndryshme ndërkombëtare. Por shqiptarët nuk do të  jenë të vetëdijshëm për një të ardhme më të mirë për veten, në qoftë se nuk e kuptojnë me të vërtetë historinë  si dhe natyrën dhe origjinën e tyre kombëtare.

Përpjekjet the thirrjet nga jashtë për të rishqyrtuar me qëllim për ta bërë ndryshime në historinë e kombit shqiptar  dhe flirtimet në vet radhët e shqiptarëve, nga njëherë edhe në nivele të larta politike si në nivel Parlamenti, që kanë përfunduar  me deklarata të papërgjegjshme kohët e fundit, duke mohuar historinë dhe heronjtë kombëtarë të Shqiptarëve si Gjergj Kastrioti – Skënderbe. Këto përpjekje dhe tendenca, sidomos në radhë të vet shqiptarëve, janë aq të rrezikshme për ekzistencën e kombit shqiptar dhe për ndryshimin e fizionomisë së tij,  sa ishte edhe Konferenca e Londrës 100-vjet më parë, qëllimi i së cilës ishte që më në fund, nëpërmjet copëtimit të trojeve shqiptare, të zhdukej kombi shqiptar si entitet dhe si fisi më i vjetër i Ballkanit.   Siç duket, ky është gjithnjë objektivi i disa elementëve të jashtëm dhe i fqinjëve të shqiptarëve, të cilët nga ana e tyre, 100-vjet e këndej, nuk kanë pushuar kurrë përpjekjet e tyre për të zhdukur racën shqiptare nga faqja e dheut dhe për të ndryshuar fizionominë e shqiptarëve, në çfarëdo qoftë, ashtuqë ajo të mos mbetet ajo që është: Shqiptare. Vet shqiptarët nuk duhet të bien pre e këtyre armiqve të kombit dhe influencave të huaja, të cilët gjatë gjithë historisë i kanë paraqitur shqiptarët si një grumbullim organizimesh primitive.

Është kritike që forcat e shëndosha të kombit, sidomos ato me përgjegjësi politike, kulturore dhe fetare të jenë të vetëdijshëm mbi përçarjet serioze që ekzistojnë dhe të njohin natyrën e këtyre forcave që kanë çuar kokë kohët e fundit dhe të cilat siç duket kanë për qëllim për të gërryer dal ngadalë nga vlerat, nga mirëkuptimi dhe nga bashkimi shpirtëror dhe aktual kombëtar i shqiptarëve.  Kjo është me rëndësi për vet shqiptarët, por edhe para syve të botës.  Është detyrë dhe përgjegjësi personale e çdo shqiptari, por sidomos e atyre që sot kanë në dorë fatin e kombit – që me energji morale dhe guxim civil — të promovojnë NJË dhe të vetmin identitet kombëtar të të gjithë shqiptarëve, besimin e plotë në të, nëpërmjet unitetit kombëtar dhe të promovojnë politika kombëtare, si dhe vetitë etnike të kombit dhe heronjtë e tij, që do të forcojnë identitetin e kombit dhe do të nderojnë gjakun shqiptar, anë e mbanë trojeve tona.

At’ Gjergj Fishta, i cili në veprat e tij u këndon gjithmonë hidhërimeve dhe gëzimeve të historisë së shqiptarëve, këngën e fundit të “Lahutës së Malësisë” ia kushton “Konferencës së Londrës”, duke hyrë në temën e konferencës dhe megjithë pasojat e rënda të vendimeve të saja, At’ Fishta gjen arsye të këndojë me optimizëm duke thënë se 100-vjet më parë, mbi kalatë e Shqipërisë valëvitet Flamuri Kombëtar, “Porsi fleta e Engjllit të Zotit”.  Brohorisin, thotë poeti kombëtar, fusha e male, sepse,

                                        “Për inat të Shkjeve të Ballkanit

                                         Për gazep të atij Sulltanit,

                                         Si premtue kish Perendija

                                         Prapë zojë m’vedi duel Shqipnia”.

Në këtë 100-vjetor të copëtimit të trojeve shqiptare dhe cungimit të tokave të Arbërit, dëshira e të gjithë shqiptarëve është që Shqipëria të jetë gjithmonë Zojë më vete, dhe që shqiptarët të jenë të bashkuar me një ide, të një mendjeje dhe një qëllimi. Ashtu qoftë mot pas moti.