Sigal

Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen nga ky post. Sot, ai është shfaqur për herë të parë në publik, në krah të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Xhafaj shoqëroi Veliajn gjatë një takimi në njësinë numër 10, duke vijuar fushatën elektorale, edhe pse zgjedhjet për kryetar bashkie duan edhe pak muaj.

Gjatë fjalës së tij, Xhafaj tha se puna e Veliajt tregon shumë, prandaj sipas tij, kryebashkiaku e meriton votën për të marrë një mandat të dytë.

“Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kangur që kanë kapur një karrige. Ka njerëz që marrin një pushtet dhe janë të lumtur që marrin një pushtet. Ka njerëz që vijnë për të shërbyer, që kanë një mision dhe që duan të lënë një gjurmë përmes mundësisë që u jep pushteti, dhe ky është Erion Veliajn. 4 vite më parë kam folur shpesh me ju, pasi do duhej të flisja për kandidatin e ardhshëm, Veliajn. E di që ka pasur skeptikë ndër ju, sidomos ata të partisë sonë. Rezultatet dhe puna e tij sot janë treguesi më i mirë. Erion Veliaj hyri për një mision dhe po kërkon një mandat të dytë për ta çuar në fund këtë mision. Gjeja më e mirë e tij është puna”, tha Xhafaj.