Nesër nis muaj i shenjtë i Ramazanit për besimtarët myslimanë

524
Besimtarët myslimanë në mbarë vendin nisin nesër, (me 18 qershor) muajin e madhërueshëm të Ramazanit. Në bazë të fesë islame, çdo besimtarë mysliman, është i detyruar të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfërit si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët. Pas 30 ditëve agjërim, myslimanët festojnë Bajramin e Madh. Për besimtarët myslimanë Ramazani është muaji i faljes, i dashurisë, i mëshirës,i ndihmës dhe sakrificës. Ramazani ka për qëllim kryesor devotshmërinë e njeriut, pastrimin shpirtëror dhe edukimin e tij me vlera dhe aspirata të larta. Ky muaj na nxit agjëruesit që të jenë gjithmonë të gatshëm që të bëhen më humanë dhe udhërrëfyes për të mirën e përgjithshme. 
Agjërimi dhe rregullat e tij
Ashtu si te adhurimet e tjera, edhe te agjërimi, janë bërë përgjegjës për të agjëruar personat që kanë zotëruar kriteret e kërkuara tek ta. Këto mund t’i radhisim:
1) Personi duhet të jetë mysliman. Që dikush ta ketë detyrim agjërimin duhet të jetë mysliman. Personat që nuk janë myslimanë nuk mund të detyrohen të agjërojnë.
2) Personi duhet të ketë mbushur moshën e pubertetit dhe të ketë zhvillim mendor normal. Që dikush të jetë i detyruar për të kryer adhurimet që përmban Islami, duhet të plotësojë edhe këto dy kushte si më sipër: Të ketë arritur moshën e pubertetit dhe në të njëjtën kohë, të ketë zhvillim mendor normal. Në Islam, personat që nuk e kanë mbushur ende moshën e pubertetit, nuk konsiderohen fetarisht përgjegjës për të kryer adhurime të caktuara. Konkretisht, fëmijët dhe personat me të meta mendore janë përjashtuar nga detyrimi i agjërimit. 
3) Personi duhet të jetë i shëndetshëm për të agjëruar dhe duhet të jetë vendas. Që dikush ta ketë për detyrë agjërimin, duhet të jetë fizikisht i shëndoshë (të mos ketë të meta trupore që e bëjnë të paaftë për të agjëruar), duhet të jetë klinikisht i shëndoshë, pra të mos jetë i sëmurë dhe të jetë vendas, pra jo në udhëtim. Ndërkaq, po qe se këta persona, megjithëkëtë agjërojnë, agjërimi i tyre është i vlefshëm. Por po qe se e përdorin lejen që u është dhënë dhe nuk agjërojnë, ditët e paagjëruara i zëvendësojnë në një kohë më pas.
Kush nuk agjëron
1. Udhëtari. Në një situatë të tillë, për shkak të vështirësive të udhëtimit, njeriu mund ta ketë të vështirë për të mbajtur agjërim. Për këtë arsye Kurani, myslimanët në gjendje udhëtimi i ka lejuar të mos agjërojnë. Ai që nuk ka mundur të agjërojë duke qenë në udhëtim, ditët e paagjëruara i agjëron si kaza më pas. Por ata që dëshirojnë, mund të agjërojnë edhe kur ndodhen në udhëtim.
2. Sëmundja. Personat e sëmurë që nuk mund të agjërojnë, janë përjashtuar nga përgjegjësia e agjërimit. Këta, pasi të shërohen, agjërimet e pambajtura i mbajnë kaza. Kurse të sëmurët me sëmundje të rënda, me ecuri të gjatë ose të pashërueshme, të cilët nuk mund të agjërojnë, duhet të japin shpërblim. Kurani thotë: “Agjërimi përbëhet prej ditësh të caktuara (të numëruara). Kush është i sëmurë ose udhëtar gjatë atyre ditëve, ditët e paagjëruara i agjëron më pas. Ata që nuk agjërojnë dot, duhet të paguajnë shpërblim (fidje). Fidja është masa (monetare ose ushqimore) sa për të ushqyer një të varfër. Kush e rrit masën e fidjes për të bërë mirësi, sigurisht e ka për dobi të vet. Megjithëkëtë, po ta dini të vërtetën, mbajtja e agjërimit është më e mbarë për ju!
3. Pleqëria. Islami u ka dhënë leje për të mos agjëruar personave me pleqëri të rënduar, që nuk mund të agjërojnë me kusht që për çdo ditë të paagjëruar të ushqejnë një të varfër.
4. Gratë me arsye. Gratë me të përmuajshmet, lehona, shtatzëna ose në periudhën e laktacionit (me fëmijë në gji), me qëllim që të mos dëmtohen vetë si dhe fëmijët e tyre, përfitojnë nga leja për të mos agjëruar. Ato i agjërojnë më vonë kaza ditët e paagjëruara.
5. Uria dhe etja e thellë. Po qe se personi që agjëron përballet me një etje ose uri të rëndë dhe po qe se frikësohet se mos agjërimi do t’ia prekë në përmasa serioze shëndetin trupor dhe psikik, ose po qe se mjeku i jep raport për të mos agjëruar, ky person përjashtohet nga detyrimi i agjërimit në këto kushte dhe, pasi të fitojë shëndet të plotë, e plotëson këtë adhurim duke i zëvendësuar ditët e paagjëruara.
Çfarë e prish agjërimin
Në këndvështrim të përgjithshëm agjërimin e prishin:
Marrëdhëniet seksuale mes burrit dhe gruas nga agimi deri në perëndimin e diellit.
Ngrënia, pirja apo përdorimi i ilaçeve
Pirja e duhanit, thithja e thellë e tymrave, avujve etj.
Përtypja e çamçakëzit.
Hyrja në trup e diçkaje nga goja, hunda, veshi etj.
Dalja e gjakut nga goja dhe gëlltitja e tij, etj.
Si për çdo adhurim, edhe për agjërimin e muajit të Ramazanit që mbahet një herë në vit, ka një sërë rregullash që duhen respektuar. Këto rregulla kanë të bëjnë me tri lloje situatash në të cilat gjendet personi që agjëron:
1. Situatat që e prishin agjërimin, por kërkojnë vetëm (kazanë), zëvendësimin e tij. Këto situata ndodhin kur agjëruesi pa dashje me shkujdesjen e tij, ose duke gabuar pa qëllim, e prish agjërimin. Në këto lloj rastesh, personi vetëm atë ditë e kompenson pas muajit të Ramazanit.
2. Situatat që e prishin agjërimin dhe kërkojnë edhe kazanë, edhe (kefaret) kundërshpërblimin e tij. Kjo ndodh kur agjëruesi e prish agjërimin pa arsyet e caktuara, me qëllim dhe vetëdije të plotë. Ai që e prish me dashje agjërimin e Ramazanit, duhet të agjërojë ditën ose ditët që ka prishur, si dhe gjashtëdhjetë ditë radhazi pa ndërprerje si ndëshkim. Në pamundësi për këtë duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër.
3. Situatat që nuk e prishin agjërimin kur ndodhin në harresë. Kur agjëruesi në harresë e sipër e prish agjërimin, prej tij nuk kërkohet gjë tjetër veç të vazhdojë agjërimin. 
Sigal