Mbarojnë targat për automjetet në të gjithë vendin, tenderi ka dështuar dy herë

81

DURRËS/ Flet drejtori i Ndërmarrjes së Prodhimit të Targave dhe Shtypshkrimeve, Asllan Gjeta dhe drejtori i Financës, Halit Kola

Prej disa vitesh nuk kishte ndodhur kjo situatë, ku mungon letra për leje qarkullimi të patentës ndërkombëtare, certifikatë pronësie për automjetet, që regjistrohen, nuk ka letër për të marrë certifikatën e pronësisë së automjetit, madje në ditët e ardhshme, qytetarëve do mbetet edhe pa targa. Një situatë e pazakontë kaosi ka përfshirë Drejtorinë e Prodhimit të Targave dhe Shtypshkrimeve në Durrës, e cila ka si detyrim shpërndarjen e targave në 12 Qarqe të vendit. Kjo drejtori në varësi nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, ka katër muaj që nuk prodhon as 10% të 200 artikujve të transportit rrugor, të domosdoshme për shërbimin ndaj automjeteve.

Tenderi

Dy herë ka dështuar tenderi i targave dhe për herë të tretë është realizuar, ndërsa nga informacionet rezulton se prej kësaj jave, nuk ka më targa mjetesh, për qytetarët që regjistrojnë automjetet e tyre nga fillimi, por edhe ta që janë në procedurë të ndërrimit të targave të vjetra me ato të reja. Në Drejtorinë e Regjistrimit të Mjeteve në Durrës, targa ka edhe për 3 ditë, pasi në dispozicion janë edhe 200 targa, 50 prej të cilave do të mbahen në rast emergjente për shërbimin diplomatik, apo persona të rëndësisë së veçantë. Burimet saktësuan se 140 targat e fundit janë dhënë për personat që kanë kryer procedurat, ndërsa prej kësaj jave, puna rrezikon të ndërpritet plotësisht. Në Durrës, mesatarisht çdo ditë regjistrojnë automjetet për targa të reja 50 deri në 70 qytetarë, dhe pas 3 ditësh targat mbarohen, çka do të thotë, se puna ndërpritet, ndërsa në Tiranë janë rreth 150 automjete në ditë që regjistrohen për targa të reja.

Reagimi

“Tenderat zhvillohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, tani kanë përfunduar, kontratat janë lidhur, firmat duhet të kishin sjellë materialet në shtypshkronjë”, kështu pohoi drejtori i Financës i kësaj ndërmarrjeje, Halit Kola. “Në fakt tani është realizuar tenderi në Drejtorinë e Përgjithshme për letrën kimike dhe të kartonit dhe pritet lëvrimi i mallit, nga firma fituese. Kontrata është lidhur, por malli merret jashtë shtetit. Administrimi i kësaj sasie që ka qenë me pakicë deri në ardhjen e sasisë tjetër dhe problemi ishte se tenderi dështoi dy herë në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Automjeteve. Ndërsa ecuria e targimit të mjeteve është në varësi të kërkesave. Ne kemi 200 palë targa në këtë moment që flasim. Sipas sasisë që është do të bëhet shpërndarja për rrethet, këtu për Tiranën dhe Durrësin. Ne nuk kemi patur problem më parë, tenderi për kartonin, lejen e qarkullimit ndërkombëtar dhe patentën ndërkombëtare ka element sigurie dhe është e vështirë për tu realizuar tenderi. Mangësi vumë re në 2 artikujt kryesore patentë ndërkombëtare dhe certifikatë pronësie për shkak të kërkesës së lartë nga na e qytetarëve që lëvizin jashtë shtetit. E rëndësishme është që tenderat u zhvilluan dhe ne presim lëvrimin e mallit”, tha Kola.