Vidhet projekti i holandezëve, rrjeti i ri i Ujësjellësit në Vlorë, inekzistues

626
Sigal

SKANDALI/ Ekskluzive me drejtoreshën e Ujësjellësit të Vlorës, ing. Varvara Gjika: “Nuk u bënë lidhjet me rrjetin ekzistues”

Situata e furnizimit me uji të pijshëm në qytetin e Vlorës vazhdo të shfaqi problemet edhe pse u ndërtua rrjeti i ri i Ujësjellësit, një rrjet që asnjëherë nuk u lidh me rrjetin ekzistues. Kjo ka bërë që ky investim 24.5 milionë euro të mos vihet në funksion. Në një intervistë drejtoresha e Ujësjellësit në Vlorë, ing. Varvara Gjika shpjegon detajet e këtij mashtrimi.

Znj.Gjika, cila është situata e furnizimit me ujë për qytetin e Vlorës?

Sigurisht, duhet të pranojmë që Vlora nuk furnizohet  24 orë pa ndërprerje, por nga ana tjetër nuk ka pasur probleme, sikurse vitet e tjera, ku kanë ndodhur defekte, që kanë sjellë ndërprerjen e ujit të pijshëm në zona të veçanta. Sikurse dihet, me përfundimin e investimit të ri, orari i furnizimit me ujë të pijshëm është shtuar, por nuk u arrit premtimi që u dha përpara se të fillonte ky investim, se do të furnizonte Vlorën 24 orë me ujë.

Çfarë ka ndodhur është e pakuptueshme që të përfundojë investimi dhe të mos arrihet qëllimi. Ku është ngërçi, kemi të bëjmë me një mashtrim?

Gjëja e parë që dua të them është se investimi që u bë, për mua ngeli pothuajse i vdekur, pasi nuk u arrit që tubacionet e reja që u shtruan, të lidheshin me rrjetin ekzistues të qytetit të Vlorës. Më konkretisht duhet të saktësoj se nga 46 lidhje, që ishin planifikuar që të bëheshin, nuk u arrit të bëhej asnjë lidhje. Kjo është e pafalshme, por kjo është e vërteta. Projekti në total kap shumë 24.5 milionë euro, ku 12. 5 milionë euro ishte grand i qeverisë holandeze për qeverinë shqiptare, por që u dha për Ujësjellësin e Vlorës dhe 12 milionë ishte kredi e butë nga qeveria shqiptare, që i duhet ta shlyejë Ujësjellësi i Vlorës.

Ka mundur të bëjë ndonjë lidhje shoqëria ujësjellësit, që ju drejtoni?

Në momentet që kam marrë detyrën, vumë detyrë që të kryejmë disa nga lidhjet e mundshme, me qëllim që ta vëmë në punë këtë rrjet të ujësjellësit. Kjo, mbështetur në mundësitë tona financiare, duke nxjerrë një investim modest, për të bërë lidhjet me tubacionet e reja dhe për të nxjerrë jashtë pune tubacionet e vjetra, që janë kripur prej kohësh, që ndodheshin prej dekadash në nëntokë. Jo vetëm kaq, por kishin mbi 10 vjet që rridhnin, duke krijuar pasojë për shëndetin e qytetarëve. Pra është një paradoks, se tubacionet e vjetra qëndruan paralel, në funksion, përkrah tubacioneve të reja, duke sjelle humbje shumë të mëdha.

Me lidhjet që keni bërë, sa tubacione të vjetra keni nxjerrë jashtë pune?

Me investimin që bëmë, ne nxorëm jashtë pune tubacionin që ishte në anën perëndimore të rrugës Transballkanike, që ishte një ndër më problematikët, qoftë për cilësinë e ujit. Duhet të pranojmë se në tubacionet e vjetra, të dëmtuara, në momentet që ikën uji, futen edhe papastërtitë, që sjellin ndotjen e tij, por edhe pasojën në shëndetin e qytetarëve. Kur ujë rrjedh 24 orë në tubacione, është garant i pastërtisë së tij. Gjatë stinës së verës, në zonat më problematike, që patëm për furnizimin me ujë, bëmë të pamundurën që t’i lidhnim me tubacionet e reja dhe në të gjitha rastet që kemi bërë këtë lidhje, kemi arritur të përmirësojmë furnizimin me ujë të zonës përkatëse. Për mua ka edhe një gabim në projektin që u zbatua për Ujësjellësin e ri.

Cili është gabimi dhe a mund të korrigjohet?

 Në qoftë se ishte ndërtuar një linjë nga stacionet e pompave për të çuar ujë në depo, nuk do të ishte në këtë gjendje të furnizimit me ujë të qytetit. Ose të mendohej që zona e Ujit të Ftohtë të kish një tubacion më vete për të furnizuar pallatet dhe banesat e kësaj zone. E theksoj këtë fakt, se në mënyrën se si është bërë lidhja, kjo zonë na merr 40 për qind të sasisë së ujët, vetëm nga shpërdorimet që bëhen.

Në projektin që u zbatua, që kapte shumën prej 24 milionë euro, çfarë u ndërtua?

U ndërtua një stacion i ri që iu shtua Vlorës ajo sasi uji, u riparuan dy stacione ekzistues në qytet, respektivisht stacioni numër 4 dhe numër 6. Po kështu u ndërtua një depo dhe ndërtimin e një rrjeti shpërndarës, që sikurse e theksova, nuk u lidh me rrjetin ekzistues dhe është inekzistent.

Çfarë do të bëhet për të ndryshuar këtë situatë?

Kërkohet një investim iri, që sikurse citohet të kalojë në një tubacion më vete zona e Ujit të Ftohtë, të bëhet lidhja me tubacionet e reja dhe të vendosen matësat. Nëse do të arrihen këto tre gjëra, Vlora pa frikë merr ujë 24 orë.

Meqë ende punohet me tubacionet e vjetra, ka probleme me klorinimin?

Kur u bë ujësjellësi i ri, u bë edhe impianti i klorinimit, që funksionon në mënyrë automatike dhe përdoret klor i lëngshëm.