Ligji i dekriminalizimit largon nga detyra 116 zyrtarë dhe drejtues në Elbasan

598
Sigal
Ishte data 24 dhjetor 2014, kur pozita dhe opozita u takuan dhe “buzëqeshën” para ndërkombëtarëve, pasi arritën në marrëveshjen, që në thelb synonte, të kryente procesin e dekriminalizimit. Ky proces që paraprihet nga një projektligj, nënkupton faktin se në administratën e lartë shtetërore, në parlament dhe deri në institucionet e tjera vendore në rrethe, nuk do kishte më njerëz me të shkuar kriminale dhe që kishin pasur “punë” me organet e drejtësisë. Kush e besoi atë marrëveshje, ka menduar se diçka do të ndryshonte, por pasi palët u rikthyen në Parlament, nisën konfliktualitetin e zakonshëm. Por, duket se nuk është e largët dita kur ai projektligj do të miratohet, pavarësisht se projektligji për dekriminalizimin, deri tani është krejtësisht i dështuar. Sinjalet e para të mosmarrëveshjeve dolën që në diskutimet, në komisionet parlamentare, duke akuzuar njëri-tjetrin, se nuk ishin të interesuar për miratimin e draftit. PD-ja shigjetoi, se e majta nuk ishte e interesuar për këtë draft, pasi sipas saj nuk paraqiti asnjë propozim të sajin, duke kërkuar që të mbajë në politikë persona me të shkuar kriminale. Ndërsa kundërpërgjigja e PS-së ishte, se e djathta kërkonte të mbronte individë me rekorde kriminale. Duket sikur nuk u intereson një ligj që do pastronte nga themelet çdo të shkuar kriminale të personave, që sot kanë kapur vende të rëndësishme në institucionet e shtetit. 

Miratimi i ligjit largon nga detyra 116 drejtues dhe zyrtarë në Elbasan

Në rastin më të mirë të miratimit të ligjit të dekriminalizimit, vetëm në Elbasan largohen automatikisht nga detyra rreth 116 zyrtarë dhe drejtues. Tek ai kontingjent futen drejtorë, zv/drejtorë, shefa, juristë, ekonomistë, që ligji për “Dekriminalizimin” i prek dhe i largon nga detyra, që mbajnë prej 2 vitesh. Duke njohur disa nene të projektligjit konstatoj se, nga miratimi i tij preken edhe dhjetëra zyrtarë dhe drejtues lokalë edhe në Elbasan. Kjo për faktin se ka shumë prej atyre që sot mbajnë poste drejtorësh, zv/drejtorësh apo edhe zyrtarësh të nivelit të dytë në ndërmarrje dhe institucione, që e pakta kanë pasur “punë” me organet e drejtësisë në periudha të ndryshme kohore. Kjo natyrisht nuk i lejon ata që të vazhdojnë të mbajnë postet dhe ofiqet e tyre, dhe të gëzojnë edhe të mirat materiale që marrin çdo ditë prej tyre. Diskutimi dhe nevoja e miratimit të projektligjit mbi dekriminalizimin, nxjerr jashtë loje edhe një pjesë të politikanëve lokalë, të cilët veç postit në degët e partive të tyre, mbajnë poste edhe në disa institucione dhe ndërmarrje nacionale. Miratimi i ligjit mbi dekriminalizimin, do të ishte shpëtimi i vetëm i mjaft institucioneve të shtetit edhe në Elbasan, të cilat janë mbushur me të emëruar që kanë “cene” në biografinë (apo CV) e tyre, dhe që prej vitesh kanë ditur ta mbulojnë dhe të vegjetojnë padrejtësisht. Madje këta të fundit, janë pikërisht njerëzit që mbrohen me “zjarr” nga deputeti, ministri, politikani, pikërisht se janë elementët e duhur për t’u mbajtur nën kontroll, dhe për t’i shfrytëzuar për punët dhe ujdirat e pista. Janë pikërisht ai kontingjent, që ka ditur të mbulohet mirë ndaj rreziqeve, duke kapur poste në administratë e duke dirigjuar sot procese delikate, nga të cilat fitojnë si “shefat” në Tiranë ashtu edhe ata që janë në Elbasan.