Lajme të reja për shqiptarët e prekur nga zjarri në Greqi, ambasada raporton detajet

264

Ambasada e Shqipërisë në Greqi ka raportuar këtë pasdite disa detaje të reja lidhur me situatën e qytetarëve shqiptarë të prekur nga zjarri.

Përmes një postimi në rrjetin social, Ambasada shprehet se janë raportuar dy raste të reja për dy shtetas shqiptarë të plagosur nga zjarri në zonën e Matit, e cila mbetet dhe pjesa më e prekur nga zjarret masive në Athinë të Greqisë.

Sipas Ambasadës, dy shqiptarët fatmirësisht janë lënduar lehtë dhe ndodhen në gjëndje të mirë shëndetësore. Ambasada sqaron se dëmet materiale janë tejet të mëdha dhe se të mbijetuarit janë dërguar në një kamp pushimi.

Për më tepër lexoni njoftimin e plotë të dhënë nga ambasada shqiptare:

Në vijim të njoftimeve tona mbi situatën pas zjarreve shkatërruese në rajonin e Atikës, Ambasada ka vijuar gjatë ditës së sotme inspektime në terren nga ku rezulton se:

– Në zonën e Matit raportohet për dy shtetas shqiptarë të lënduar lehtë në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, përsa i përket pjesës tjetër të komunitetit raportohet se janë djegur banesat ku jetonin disa prej tyre, si dhe disa automjete personale. Banorët e prekur janë transferuar përkohësisht në një kamp pushimi të zonës i cili është kthyer në strehë banimi të përkohshme.

– Në zonën e Rafinës raportohet një shtetas shqiptar i minoritetit grek që ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Evangelismos, ndërsa familjarët e tij gëzojnë shëndet të plotë.

– Për zonat e tjera të prekura më së shumti nga zjarri, si Kokkino Limanaki dhe Ano Voutsa, Ambasada vazhdon të jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet greke për të marrë informacione në vijim.

Ripërsërisim se për çdo informacion ose nevojë për ndihmë mund të na kontaktoni në 24orë në nr. +306941658183.

Kujtojmë se deri më tani zyrtarisht një shtetase shqiptare ka humbur jetën si pasojë e zjarrit. Mbrëmjen e djeshme u raportua viktima e parë, një grua me origjinë nga Saranda e identifikuar si Nica Leka. Shqiptarja u gjet e shkrumbuar në banesën e saj. Ndërkohë këtë të mërkurë një tjetër rast u raportua. Fjala është për një shtetas shqiptar të minoritetit grek, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Evangelismos.