Kryetari i KPP i jep koncesionin e “Rrugës së Kombit”,firmës ku familja e tij është n/kontraktore

569
Sigal

Përparim HALILI

 Pasojat e rrjetave nepotike që janë instaluar dhe po
funksionojnë si në pronë private, kanë mbërthyer edhe sektorin e zhvillimit të
tenderëve dhe sektorin e kundërshtimit të tyre. KY sektor ku firmat ankohen për
korrupsion e padrejtësi në tendera, quhet Komisioni i prokurimeve Publike dhe
drejtohet nga Gentian Keri. Pikërisht ky komision ka anuluar këto ditë
koncesionin e miratuar për të mirëmbajtur “Rrugën e Kombit”. Pas garës për këtë
koncesion me afat 30-vjeçar, garë e zhvilluar me peripeci e debat publik,
Ministria e Transporteve shpalli fituese kompaninë turke “Vendeka Bigli”.
Mirëpo edhe pse gara u mbyll në tender, nuk u mbyll me ltra përfundimtare,
mbasi një firmë tjetër e përbërë nga dy ortakë, u ankua në Komisionin e
Prokurimeve Publike (KPP) i cili ligjërisht është “gjykatë apeli” për trajtimin
e ankesave që subjektet bëjnë për procedurat e tenderëve që zhvillohen nga
Komisionet e subjekteve shtetërore. Kështu u veprua edhe me ftuesin turk të
koncesionit të “Rrugës së Kombit”. Çështja u fut ne procedurë të përshpejtuar
në “gjyqin” e KPP. Pas shqyrtimit të ankesës së bërë në Komisionin e Prokurimit
Publik, nga bashkimi i kompanive të dyta në garë për këtë rrugë “Catalys and
Salillari”, për skualifikim të padrejtë, KPP vendosi të pranonte ankesën dhe
vendosi të shfuqizoj Vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të
Autoritetit Kontraktues për skualifikimin e ofertës së paraqitur nga Bashkimi i
Operatorëve Ekonomik “Catalys and Salillari” dhe të korrigjojë shkeljet duke e
kualifikuar atë si fitues, pra duke i hequr të drejtën e koncesionit kompanisë
turke “Vendeka Bigli”. Zyrtarisht e ligjërisht, ky vendim i dhënë prej
Komisionit të prokurimit Publik (KPP) duket i drejtë! Por brenda tij, qëndron
skandali i padrejtësisë së marrjes së vendimit që shpalli fitues firmën humbëse
“Salillari”. Çfarë ka ndodhur? Ku fshihet skandali me këtë vendim të KPP? Përse
duhet quajtur i pavlefshme dhe i paligjshëm ky vendim anulimi i koncesionit?
Nuk e kemi fjalën për shkelje procedurash prej Komisionit të Vlerësimit të
ofertave (KVO) të autoritetit kontraktor (Ministria e Transporteve dhe Rrugët)
që shpalli fituese të koncesionit kompaninë turke “Vendeka Bigli”, por për një
shkelje të rëndë në “statusin” ligjor të komisionit që firmosi këtë vendim
anulimi! Skandali me abuzim të plotë ligjor në vendimin e anulimit të fitusit
turk “Vendeka Bigli”. dhe shpalljen fitues të humbësit “Salillari, qëndron në
këtë fakt skandalzo, totalisht në shkelje të ligjit të konfliktit të interesit:
Drejtuesi i Komisionit të Prokurimit Publik, që ka vulosur e firmosur këtë
vendim anulimi, ka shpallur fituese kompaninë “Salillari”, nënkontraktore e së
cilës në 80% të koncesioneve të rrugëve kryesore të vendit në mirëmbajtje
fizike, ndërtim, siguri e sinjalistikë rrugore e autostradash në Shqipëri është
firma në pronësi të familjarëve të kreut të Komisionit të Prokurimit Publik.
Kjo firmë, pronë dhe biznes direkt i familjes së kreut të KPP, sipas letrave të
konfirmuara zyrtare e publike dhe në procese gjyqësore e kontrata të lidhura si
nënkontraktore me kontraktorë privatë, rezulton se ka marrë prej firmës
“Salillari” kryerjen e punimeve në shumë akse kryesore rrugore të vendit, duke
u regjistruar si nënkontraktore e vetme e punimeve të tenderëve të fituar prej
firmës që 3 ditë më parë iu dha edhe koncesioni i “Rrugës së Kombit”. Sipas
letrave të zyrës së “Gjendjes Civile, rezulton se Kryetari i Komisionit të
Prokurimeve Publike (KPP), pasi ka eliminuar firmën turke,
koncesionin e rrugës së Kombit, ia ka dhënë kompanisë së
ndërtimit të rrugëve, ku xhaxhai i tij është nënkontraktor rrugësh, por siç
thuhet edhe kushëri me drejtuesin e firmës që tashmë ka marrë koncesionin e
radhës e që sipas zërave, thuhet se firma e familjes së drejtorit të Komisionit
të Prokurimeve Publike, do të jetë përsëri nënkontraktor i punimeve… dhe
mbledhës i taksës së kësaj rruge.