Me trukimet, mediatikisht po “luajnë” faktorët VIP

557

Koment/ Skënderbeu u “vra” nga UEFA, pse duan ta “rivrasin” edhe
ata që kanë bashkëpunuar me të?!


Nga Agron KAJA

 

Të flasësh sot për Kategorinë Superiore të futbollit shqiptar është e
pamundur që të anashkalosh së pari, atë çka po ndodh në ambientin mediatik me
disa presidentë e drejtues klubesh, lidhur me zbardhjen e disa ndeshjeve të
trukuara nga skuadra e Skënderbeu në sezonin e kaluar në Kategorinë Superiore,
në Ligën e Kampioneve dhe në ndeshje miqësore. Në fakt, këtë zbardhje me detaje
e ka bërë vetëm UEFA me mbi 50 ndeshje të manipuluara si të trukuara nga
Skënderbeu, dhe shumë mirë bëri, por pse pas saj po na dalin në skenë
pretendime të reja për trukime, për heqje titulli kampion korçarëve, apo edhe
për individë të tjerë që kanë ndikuar në trukimin e ndeshjeve të veçanta? Kjo
është një hallakatje all-shqiptarçe, me ose pa dashje, nga padituria se çfarë
po bëjnë si “kofini pas të vjelit”, apo edhe nga injoranca për të goditur aty
ku shënjestra është goditur nga tjetër kush. Duke lexuar e dëgjuar të tilla
akuza të ndërsjella, ka momente keqardhjeje për ndonjërin prej këtyre aktorëve,
që tradicionalisht kanë qëndruar korrektë në marrëdhëniet e tyre me futbollin
shqiptar në tërësi, por edhe me individët e këtij futbolli në veçanti.
Skënderbeu u “vra”, pse duan ta “rivrasin”?! Çfarë duhet kuptuar me këtë
shprehje, prej së cilës nënkuptimi historik është shumë larg. Realisht këtë
Skënderbe e ka “vrarë” UEFA me dënimin që i dha pas akuzave në trukimin e
ndeshjeve, ndërkohë që debatet e faktorëve të tjerë në Superiore duken sikur
duan ta rivrasin të vdekurin, ta zhvarrosin atë për ta degdisur sa më larg! Kjo
kësisoj nuk duket logjike, nuk ka as kuptim juridik. Kështu po bëhet vetëm
politikë “portofolash” (presidentë e sponsorë skuadrash), dhe aspak një debat
real që ti shërbejnë drejtësisë sportive dhe vetë futbollit tonë. Trukimet as
nuk i shpiku Skënderbeu dhe as nuk i ka privatizuar kjo skuadër me drejtuesit e
saj. Nëse në kohë kthehemi dhe kujtojmë fenomenin e trukimeve në futbollin
shqiptar të paktën në 15 vitet e fundit (ose edhe vetëm në periudhën 2010-2016
ku UEFA është përqendruar tek trukimet e Skënderbeut), aty në atë kazan “ziejnë”
sa e sa skuadra të djeshme e të sotme në Kategorinë Superiore, sa e sa emra të
djeshëm e të sotëm në këtë kategori, por që tani me duart e UEFA-s kërkojnë të
lajnë duart për të mbuluar ndonjë nga bëmat e tyre ndër vite. Veç sinqeritet e
burrëri nuk ka kjo hallakatje, se po fole mediatikisht për gjëra të pathëna të
cilat dënohen edhe penalisht, bëhesh kështu dëshmitari i parë në hetim, gjykim
e vendim. Nëse s’ka prova që drejtësia sportive i kërkon, atëherë hyn vetë aty
ku e mendove kundërshtarin. Kështu duket se po ndodh edhe në këtë rast që realisht
nuk i shërbehet as drejtësisë, por as edhe futbollit. Prandaj duhet të ndalen
këto akuza e kundërakuza në formën mediatike, më pas ato të zbardhen jo në një
e dy media, por edhe në 100 të tilla nëse do të ekzistonin në vendin tonë. Këtu
nuk është fjala pse mediat kanë publikuar deklarata e fakte trukimesh,
absolutisht jo! Sepse në këtë qiell gri të këtij fenomeni, vetëm gazetat
sportive e televizionet kanë zbardhur fakte e debate, brenda misionit të tyre.
Por, nëse vetë këto media do të kishin bërë investigime profesionale të
dedikuara, atëherë do të thoshim që këtu profesionalizmi gazetaresk i shërben
më pastër drejtësisë dhe futbollit. Sikundër po stiset ky debat trukimesh, na
krijohet përshtypja sikur Superiorja shqiptare është luajtur si “sallon basti”.
Kësisoj është shumë e rëndë për ta besuar, e më pas për të kuptuar se çfarë ka
ndodhur. Dhe nëse në mbyllje do të kujtojmë se në këto ditë jemi në Festën e
Kurban Bajramit, ndoshta duhet që të gjithë aktorët e faktorët e këtij debati
mediatik ta respektojnë këtë festë, e cila kërkon më shumë paqe, mirëkuptim, vëllazërim
e respekt. Edhe futbolli e kërkon këtë qetësi, sepse kur drejtësia punon, të
tjerët heshtin (shqip, të mbyllin gojën).

 

 

Duke lexuar e dëgjuar të tilla akuza të ndërsjella, ka momente keqardhjeje
për ndonjërin prej këtyre aktorëve, që tradicionalisht kanë qëndruar korrektë
në marrëdhëniet e tyre me futbollin shqiptar në tërësi, por edhe me individët e
këtij futbolli në veçanti. Skënderbeu u “vra”, pse duan ta “rivrasin”?!

 

 

Faktet e UEFA-s

Në publikimet që UEFA i ka bërë ndeshjeve të trukuara nga skuadra e
Skënderbeut gjatë periudhës 2010-2016, janë edhe 16 skuadra të tjera të
futbollit shqiptar të dyshuara si “bashkëvuajtëse” në trukime, me të cilat
skuadra korçare është përballur në këtë periudhë. Me Laçin 7 ndeshje, me
Kastriotin 5, me Vllazninë 4 ndeshje, me Dinamon, Shkumbinin e Kukësin 3
ndeshje, Bylis, Elbasani e Tirana 2 ndeshje, ndërsa nga 1 herë janë cekur edhe
Tërbuni, Pogradeci, Teuta, Partizani, Apolonia, Kamza e Flamurtari.

 

 

10 ndeshjet më të dyshuara

12.12.2010 Skënderbeu-Shkumbini    1-0

06.02.2011 Kastrioti-Skënderbeu      
0-0

15.04.2011 Dinamo-Skënderbeu        2-3

31.01.2015 Skënderbeu-Laçi              0-0

21.07.2015 Krusaders-Skënderbeu     3-2

25.08.2015 Dinamo Z-Skënderbeu     4-1

16.10.2015 Skënderbeu-Teuta            2-2

22.10.2015 Sporting L-Skënderbeu    5-1

22.11.2015 Skënderbeu-tërbuni          4-0

10.12.2015 Skënderbeu-Lokomo M   0-3

 

 

Titulli i Partizanit? FSHF-ja duhet të flasë

Sigal

Ky duhet të jetë diskutimi kryesor dhe më njerëzor që mund të bëhet pas
kësaj hallakatjeje me deklarata për trukimet e ndeshjeve nga skuadra e
Skënderbeut, më pas edhe për ndeshje të tjera të trukuara. Është e drejta e
Partizanit që ta kërkojë këtë (sipas tij), duke marrë për bazë dy momente
domethënëse: Skualifikimin e Skënderbeut nga ndeshjet e Ligës së Kampioneve për
trukime ndeshjesh, si dhe kalimin e Partizanit si nënkampion i Superiores për
sezonin e kaluar në ndeshjet e Turit të Dytë të Champions Ligë. Këtu duhet të
flasë më qartë e më seriozisht institucioni i futbollit shqiptar, FSHF-ja, së
cilës në këtë rast, UEFA zyrtarisht duket se ja ka lënë “dopio gjashtën në
dorë”. Nëse në Rregulloret e Futbollit nuk ka ndonjë përcaktim të veçantë për
këto raste trukimesh sa i përket titullit (kur një skuadër del kampione, por që
akuzohet për trukim ndeshjesh), atëherë lind nevoja e një vendimi të veçantë
nga KE-ja i FSHF-së, si organi i vetëm ligjbërës e vendimmarrës në futbollin
shqiptar. Është koha që të flasin juridikisht dhe me rregulla, ndryshe
rregullat e ligjet sportive në Shqipërinë e futbollit kanë rënë.