Pse merret me “cironkat” ambasadori amerikan?

732
Sigal

-Në pritje të një takimi me
diplomatin e lartë-

 

Nga Kristo Mërtiri

 

Kjo pyetje pa dorashka erdhi
natyrshëm në mjediset e njerëzve të thjeshtë, të cilët ngritën supet habitore
kur lëçitën intervistën e fundit të zotit Donald Lu. Shija e hidhur nuk fshihej
dot. Të kuptohemi mirë qysh në fillim: Nuk bëhet fjalë fare për gënjeshtra nga
protovjeshta! Se gjuha zakonisht shkon tek dhemb dhëmbi. Shumica e shqiptarëve
i kanë përshëndetur e mbështetur sinqerisht qëndrimet publike të këtij
diplomati të lartë amerikan. Veç të tjerave, shqipja e tij e pastër i rriti
shpejt kuotat e besimit, simpatisë e të vlerësimit, në qytete e fshatra. Aq më
tepër kur flet hapur dhe shpesh më acik se politikanët tanë. Por gjetkë e kemi
llafin dhe qylafin e problemit. Shkurt, “është i befasuar që brenda një viti
disa njerëz janë larguar nga politika”(?!). Dhe paska zbrazur me emra e llagape
7 a 8 kokrra që shumicën e tyre nuk e njeh as mëhalla ku banojnë. Përse e përkuli
kaq shumë shënjestrën, zoti Ambasador? Po e them që tani mendimin modest
personal: Nëse nuk do fliste, shkruante e lexonte gjuhën e vendit tim të
bekuar, sinqerisht do ua hidhja qyrkun e gabimeve kryesisht këshilltarëve e
asistentëve shqiptarë në rezidencën amerikane. Prandaj më lëvrijnë dyshimet
natyrshëm. Ndoshta falë edhe profesionit tim të dashur për 4 dekada në
Gazetari, profesion që nuk më ka lejuar ta ha asnjëherë sapunin për djathë apo
më keq të bëhem si ai sapuni mbi gunë. Kur të takohemi sy më sy, kam bindjen e
palëkundur se do të ftillohemi plotësisht të dy dhe nuk do të ndahemi me kokën
mënjanë. Përkundrazi. Aq më shumë që familja ime ka dhënë e po jep kontributin
e vet për shtetin e zotit Donala Lu. Megjithë këto, përse ta fsheh, unë mbaj
mbi krye Shqipërizën tonë hallemadhe, të bukur e shenjtore mbi çdo shenjtore të
kësaj bote! i tillë jam gatuar e nuk besoj hiç se mund të bëhem ndryshe ndonjë
ditë a natë perëndie. Aq më mirë që nuk jam rrogëtar a “honorarevjelës” i
dikujt, siç ka ndodhur e po ndodh me ca kolegë të vjetër e të rinj… Ditët e
fundit, diplomati i lartë paska deklaruar se ka biseduar me deputetët ballë për
ballë “siç bëhet në demokraci”. Po me cilët vallë, me ato cironka që përmendi
në intervistë?! Nëse është kështu, më vjen keq që e ka ulur kaq poshtë
“shënjestrën” apo nivelin e bisedimeve serioze diplomatike. Dëshiroj që
përqindja e besimit popullor shqiptar te SHBA, të mos bjerë asnjë milimetër. Në
të kundërt, do të pikojnë pikë-pikë ato pikat e zhgënjimit të pamerituar…Një parantezë:
Në mos në vigjilje, të paktën pas 21 Korrikut të sivjetëm më thonë se ai paska
lexuar edhe shkrimin tim “Zoti Kryeministër, e gëzofsh “fatligxhafërinë”! –
botuar në “Telegraf”, si letër publike pa zarf. Por unë nuk besoj plotësisht.
Sepse këtë dilemë qytetare e profesionale, ma ushqeu edhe “argumenti” qesharak
e trishtues me “cironkat” nëpër këmbët e politikës shqiptare pa pikë morali e
qytetarie. Kur njerëzit e thjeshtë shprehen prerë e troç se kjo klasë politike
duhet shporrur, kurrsesi nuk është inat provincial, fjalë në hava apo
fishekzjarr emocional i çastit. Sepse kaloi një çerekshekulli Tranzicion
rrokopujë e i paturpshëm mbi kurrizin e bërë shollë të popullit tim! Prandaj
lexuesit e shumtë irritohen natyrshëm përballë cironkave në detin e korrupsionit
plot dallgë hajdutërie. Kjo Shqipërizë e bekuar nga Perëndia dhe e mallkuar nga
Politika putanë, përmes varfërisë edhe qesh e tallet hidhur me ata peshq
vocërrakë që erdhën çuditërisht me firmën e Kryetarëve gjer në majat e
tempullit të Demokracisë, në Parlament. Sepse nuk janë nga ata sojlinj të
“ujërave të ëmbla”, por nga gjirizet erërënda të këtij tranzicioni alabak e
ulërak. Dhe ja ku arritëm: Në karrigen e nderuar të deputetit (majtas e
djathtas) ka mbi 3 vjet që ulen e vegjetojnë me tepricë vetëm biznesmenë të
kamur e të dyshimtë dhe policë të pashquar! Më thoni, ku janë intelektualët e
ditur të vendit tim, që varfëria ndoshta ua ka ulur kokën para këtyre cironkave
të paditura e kokëtule, njerëz me ca thasë parash të qelbura dhe pa asnjë…gram
dinjitet? Nuk është gjë e vockël që peshqit grabitqarë dhe peshkaqenët e
panginjur po ngelen të paprekshëm nga legjislatura në legjislaturë. Dhe notojnë
e relaksohen cehrengjallur nëpër vila, resorte e skafe luksoze bregut të detit
Adriatik e Jon, në apartamentet vezullonjëse brenda e në periferi të
Kryeqytetit dhe bëjnë “hajgarë” me fukarenjtë e ndershëm. Dhe shteti “ligjor” i
së Drejtës nuk e kap dot as me rrjeta e as me grepa çeliku këtë kupolë
korrupsioni të nivelit të lartë që po i merr firomën një brezi të tërë, vetë
progresit. Mos vallë nuk i ha macja cironkat, megjithëse i lakmon dhe shtiret
sikur nuk i pëlqejnë?! Sepse Al Kaponet shqiptarë po e lënë prapa të
shumënjohurin në SHBA e më gjerë…

-Na dëgjo pak, miku ynë. Bosët
realë të hajdutërisë e të krimit të organizuar janë strehuar në tavanin dhe çatinë
e shtetit pluralist. Prandaj nuk i kap asnjë grep çeliku dhe nuk bien ende nga
fiku. Mbajnë fort njeri-tjetrin, qofshin në mazhorancë e qofshin në opozitë. Në
fund të fundit, siç thoshte dikur me zë të lartë “shoku Zylo”, pinë ujë në një
govatë. Dhe hingëllijnë në kupë të qiellit për Reformën në Drejtësi! Mirëpo
popullit, siç theksoi saktë pardje zoti Lu, po i soset durimi. Përballë
“lidhjeve kriminale me politikën” shtohen përditë shpresëvrarët që realisht po
i mbajnë sytë dhe mendjen nëpër dhera të huaja në Europë e Perëndim. Kjo është
e vërteta therëse e ulëritëse, sidomos te brezi i ri që nuk po gjen rrugë
tjetër ngushëllimi e shpëtimi. Përrenjve të pafund me fjalime e premtime
hipokrite, tashmë ua kanë pirë lëngun. Fjala vjen, edhe peshkatarët më të zotë
zakonisht nuk kanë qejf të tregojnë e as bëhen mburravecë kur zënë ndonjë
cironkë në lumë a në det. Nuk dëshirojnë ta ulin pjacën e zanatit të lashtë.
Sepse s’janë grepa në çengel ose nga ata të kandarit dhe as nga ato shtizat me
majë të kthyer që thurin dantella, çorape, triko etj. Apo janë thjesht zhvatës
të pacipë që “ i vënë syrin dikujt dhe hedhin grepin për ta shtënë në dorë?

Kur diplomati i lartë amerikan i
binte hapur vetë kambanës së alarmit, politikanët shqiptarë i binin qemanes!
Pandëshkueshmëria shkelte syrin e nxirrte gjuhën përmes dy bulçive të zëna
keqazi nga makutëria e hipokrizia sa një mal. Shqip, po nuk u pastrua kupola e
lartë politike, sipas bindjes time të palëkundur, reformat e tjera gjëmimtare
do katandisen zero me xhufkë! Dhe ky nuk është një skepticizëm i rëndomtë.
Sidomos në Shqipërizën tonë. Edhe sikur të hidhen a të ngrihen rrjetat e
njohura, prapë cironka do të kapen, prapë cironkat do të mbushin qelitë dhe
sallat e gjyqeve pendëfryra. Sepse rrjetat e vërteta do i kenë në dorë
“kriminelët politikë” në Parlament dhe në qeverisjen lokale, kriminelë që
përzgjidhen e mbrohen drejtpërdrejt nga vetë Kryetarët mujsharë të thekur në
krye të partive që bëjnë diellin e shiun në mazhorancë e opozitë. Kjo lloj
rrjete e vjetruar e tepër djallëzore nuk është rrjetë merimange apo nga ato që
kapin flutura, as nga ato të volejbollit dhe as si e famshmja e Penelopës së
lashtësisë. Shkurt, as kurth ku mund të bien papritur në rrjetë peshkaqenët e
krimit e të korrupsionit. Rrokaqiejt e Politikës pisanjoze i bëjnë karshillëk
shtetit ligjor e njeriut të ndershëm dhe hedhin shtat mu në zemër të
Kryeqytetit nga lartësitë e pallateve qiejgërvishtës. Dhe çdo mëngjes rrethohen
nga të papunët që kërkojnë të shuajnë urinë e fëmijëve nëpër sheshet “Omonia”
përballë ish kinema “Partizani”, te Brryli ku qeveritë e djeshme e të sotme u
kanë vënë bërrylin, te Doganat etj. Në fund të fundit, edhe ata keqbërës të
pashpirt që përdorin llokume dinamiti a tritol brigjeve të Vjosës e Shkumbinit,
Erzenit, Bunës a Drinit, nuk sakrifikojnë thjesht për cironka e pasion çmendurak.
Është e vërtetë që “popullit shqiptar i ka ardhur në majë të hundës nga
kriminelët politikë”. Veçse kjo situatë serioze që nënvizoi zoti Donald Lu,
mendoj se nuk është kurrsesi “çështje cironkash”. Po ngecëm vetëm te Shukriu me
shokë, do plasim së qeshuri dhe do bëjmë… një vërë në ujë! Pyetja zhgënjyese në
titull të shkrimit, ndryshe do të mbetet varur në majë të thanës dhe pa
përgjigje rreth qafës së pandëshkueshmërisë çerek shekullore. Sapo më erdhi
ndërmend refreni i prokurorit trim e të pakorruptuar, mikut tim të vjetër,
Xhevat Hana: “Të kesh mëshirë për të ligjtë, do të thotë të lëndosh
padrejtësisht të mirët”. Ndërsa parmbrëmë një haber taze erdhi nga BE, pasi iu
tha sy më sy Kryeministrit tonë në Bruksel: “Reforma në drejtësi është
vendimtare. Nuk është vetëm votimi, por edhe implementimi. Kemi parë që janë
dhënë dënime për peshq të vegjël. Presim peshq të mëdhenj”!