Kryebashkiaku Dako uron “1 Qershorin”: Më tepër vëmendje për fëmijët në nevojë

96
Kryetari i Bashkisë Durrës, z. Vagjush Dako, ju bashkua aktiviteteve festive të organizuara në shkollën 9-vjeçare “e Re”, në lagjen numër 17, me rastin e festës së 1 Qershorit.

Së bashku me urimin për të gjithë fëmijët, kryebashkiaku i Durrësit bëri apel për të kthyer edhe më tepër vëmendjen tek fëmijët në nevojë duke theksuar se Bashkia që ai drejton ka qenë dhe do të vijojë të jetë në përkrahje të kësaj shtrese: “Ju falënderoj që na prisni me kaq dashuri në ditën më të dashur tuajën, 1 Qershorin, ditën kur ju kërkoni vëmendjen e të gjithëve ne, si prindër në radhë të parë por më së shumti si përfaqësues të pushtetit vendor apo qendror. Ndaj kjo ditë, veçse një ditë festive, është edhe një ditë reflektimi; është momenti i duhur që jo vetëm në përmbushje të detyrës sonë, por edhe në emër të humanizmit, të kthejmë sytë tek fëmijët në nevojë që vijnë nga shtresa sociale që kërkojnë përkrahjen tonë, për të zbutur sadopak plagët sociale të shoqërisë që jetojmë; dhunën, abuzimin, diskriminimin dhe shfrytëzimin e tyre në punë kur janë në moshë të mitur. Ndaj ne jemi sot këtu, krah jush, në përkrahje pa rezerva për ju, që të garantojmë e t’ju sigurojmë që të rriteni me gjithë të mirat, të lumtur e të rrethuar me dashuri”, u shpreh kryebashkiaku. z. Dako i dorëzoi stafit të kësaj shkolle edhe çmimin e fituar nga shkolla “e Re” në festivalin ndërkombëtar folklorik për fëmijë të organizuar në Rumani.