Jahjaga s’lejohet të hyjë në Serbi: Beogradi vijon politikën e viteve ‘90

488
Edhe pse kishte planifikuar pjesmarrjen në dy aktivitete në Serbi, ish-Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, i është ndaluar hyrja në territorin serb, ndërsa veprimi është dënuar nga ish-kryetarja e shtetit përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Jahjaga shkruan se kishte marrë leje për vizitën e saj në Serbinë përputhje me dialogun e Brukselit dhe se me këtë veprim Beogradi ka shkelur marrëveshjet që janë arritur mes palëve.

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk është lejuar që të kalojë kufirin e Serbisë edhe pse kishte planifikuar të merrte pjesë në një aktivitet për promovimin e një libri si dhe mbajtjen e një fjalimi për viktimat e dhunës seksuale gjatë periudhës së luftës.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Jahjaga, e cila përmes një postimi në rrjetin social Facebook e ka dënuar veprimin, duke u shprehur se Beogradi po vijon politikën e viteve 90-të.

Sipas saj, leja është marrë në përputhje me dialogun e Brukselit dhe se nuk sheh asnjë arsyetim për këtë bllokim.

“Hyrja ime në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd.

Përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë.

Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë me marrëveshje, por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time.”

Jahjaga shkroi gjithashtu se pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara.
Sigal