Konferenca e Veteranëve që solli në kujtesë LANÇ-in

672
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Bashkuar në mënyrë masive me luftëtarët e lirisë
Ditë më parë në Muzeun Historik u zhvillua Konferenca XI Kombëtare e Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të popullit shqiptar. Dihet nga të gjithë shqiptarët kudo në botë se LANÇ-i ishte një nga luftërat më të mëdha, më të organizuara dhe më të rëndësishme të historisë së re të Shqipërisë. Populli shqiptar i kapërceu ndarjet krahinore, kulturore e fetare dhe u bashkua i tëri, nga veriu në jug, në një betejë, që ishte betejë e përbotshme, duke u vendosur në krahun e duhur të historisë. Si kurrë më parë edhe gruaja shqiptare u bë pjesë e historisë , duke iu bashkuar në mënyrë masive radhëve të luftëtarëve të lirisë. Rreshtimi i Shqipërisë në Koalicionin e Madh Antifashist i detyrohet Luftës Antifashiste të popullit shqiptar. Me qëndresën e armatosur kundër pushtuesve italianë shqiptarët u vunë në krye të rezistencës antifashiste në Evropën e pushtuar nga fashizmi. Organizmin e saj në nivel kombëtar e mori përsipër Fronti Antifashist Nacional Çlirimtar, një organizatë me përbërje pluraliste e gjithëpërfshirëse e themeluar në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, si reflektim i parë antifashist në Shqipëri në përputhje me Deklaratën e “Kombeve të Bashkuara” të janarit 1942. Programi i Frontit parashikonte organizimin dhe zhvillimin e kryengritjes së armatosur për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, vendosjen e një rendi demokratik në Shqipëri, të drejtën e popullit shqiptar për të përcaktuar, pas çlirimit, me vullnetin e tij, formën e regjimit politik. Pjellë e kësaj konference ishte e gjithë qëndresa antifashiste që pati jehonë dhe mbështetje prej kombeve antifashiste e sidomos prej Fuqive të Mëdha aleate: Anglisë, BRSS, SHBA, qeveritë e të cilave në dhjetor 1942, me deklaratë zyrtare, njohën kontributin e popullit shqiptar në luftën e përbashkët kundër fashizmit.

Rezistenca shqiptare angazhoi forca të mëdha ushtarake
E nisur me forma të thjeshta, me veprimet e grupeve atdhetare e njësiteve guerile, çetave e batalioneve, me krijimin e UNÇSH, ajo u shndërrua në një ushtri të rregullt, që numëronte dhjetëra-mijëra luftëtarë. Rezistenca shqiptare i detyroi të angazhonte në territoret e vendit tonë forca të mëdha ushtarake dhe i shkaktoi atij humbje të konsiderueshme. Fakti që ushtria gjermane e pushtimit organizoi dy operacione masive kundër UNÇSH, fletë më së miri për forcën e madhe sulmuese të kësaj të fundit. UNÇSH ishte e vetmja forcë e armatosur në Evropë që e çliroi vendin me forcat e veta. Nisur nga momenti historik, për nga detyrat që shtroheshin, pjesëmarrja, karakteri dhe së fundi nga rezultati, LANÇ mbetet një luftë çlirimtare, e me karakter popullor, e cila solli në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore, çlirimin e atdheut nga zgjedha e huaj, ripohoi pavarësinë kombëtare të Shqipërisë. Kur flasim për Luftën Antifashiste e humbjet e shqiptarëve, sigurisht, duhet të kuptojmë se Lufta Antifashiste nuk ishte vetëm epopeja e luftëtarëve në formacionet partizane. Ajo shtrihej në formacionet territoriale apo Komandat e Vendit, me kontributet e grupeve nacionaliste në luftën kundër nazifashistëve, në rezistencën e guximshme të burgosurve e të internuarve nga fashistët Italianë e në kampet e përqendrimit gjerman, me viktimat e shumta të pushkatuara e masakruara nga agresorët, angazhimet e ushtarakëve të ushtrisë mbretërore në qëndresën antifashiste, bile dhe të pjesëtarëve nga Ushtria e rregullt të ringritur nga okupatorët, që dhanë ndihmesë në frontin e madh të Luftës kundër fashistëve në luftën italo-greke e më pas. Në formacionet partizane u rreshtuan me qindra ushtarë italianë, gjermanë e të kombësive të tjera, që së bashku me partizanë shqiptarë shpesh u shquan për veprime të guximshme dhe shpirt heroizmi. Në luftën e përbashkët kundër bishës nazi-fashiste, luftëtarët shqiptarë ndjenë nga afër praninë dhe ndihmën e misioneve aleate anglo-amerikane, të cilët ndanë me ta zjarrin e betejave dhe gëzimin e fitoreve. Kontributi, sakrificat dhe të rënët nga radhët e të huajve, që luftuan kundër nazi-fashizmit në tokën shqiptare, janë pjesë e pandashme e kontributeve sakrificave dhe e të rënëve të popullit shqiptar që sollën fitoren mbi pushtuesit.

Veteranët e bënë detyrën e tyre
Në konferencën e veteranëve të LANÇ-it, u kujtua ajo plejadë e shkëlqyer idealistësh atdhetar, që e krijuan dhe e formësuan UNÇSH dhe që e rreshtuan në koalicionin e lavdishëm antifashist, te heronjtë e martirët e vërtetë, te drejtuesit, mjeshtër të fjalës e të veprimit, emrat e nderuar që kanë ndriçuar rininë progresive e rrugën e tyre për emancipim, liri e demokraci. Këto personalitete të shkëlqyera nuk lakmonin asgjë nga jeta materiale, përveçse një investimi te populli liridashës, me përpjekje të qarta, dimension njerëzor, dinjitet dhe sfidën për liri. Ata e bënë detyrën e tyre. Misionarë fisnikë dhe pena të ndritura bindshëm kanë vlerësuar se UNÇSH ishte një forcë e fuqishme goditëse, e organizuar dhe shumë e disiplinuar, se partizanët ishin shumë të ndershëm… shumë seriozë në përpjekjet e tyre. Për veteranët përvjetorët e çlirimit dhe të datave historike të kësaj lufte janë kujtesë për peshën e lirisë përballë sfidave të njerëzimit, dhe ditë përkujtimore për atë gjithçka fisnike që bënë heronjtë e martirët e vërtetë. Fashizmi si lëvizje apo formë qeverisje thellësisht reaksionare nuk i përket vetëm së kaluarës. B. Breht do të shprehej se “barku që nxori kafshën e përbindshme, mund të pjellë akoma”. Është fakt se, për fat të keq, këto paralajmërime për rrezikshmërinë e fenomeneve, që çuan drejt shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, i shohim të përsëriten edhe sot para syve tanë, në rezultatet jo të dëshiruara “të përsëritjes së historisë” në rajon dhe në pika të tjera të planetit, me rreziqe e kërcënime serioze për paqen e lirinë, etj. Kuptohet sigurimi i një shteti është shqetësim i të gjithëve që del nga dijenia e të gjithë qytetarëve, sepse Havel thekson se “vlerat mbi të cilat shteti i tyre është ndërtuar nuk janë një dhuratë për rezultatet e përpjekjeve kolektive dhe e bindjes së ndërgjegjes së cilitdo dhe të gjithëve”.

Veteranët dhe shqiptarët kanë me çfarë të krenohen
Historia e fitores mbi fashizmin përcjell bindshëm mësimin se idealet njerëzore i paraprijnë një mosbindjeje të përhershme, universale ndaj së keqes. Kjo është ajo që ideuan dhe luftuan themeluesit e Koalicionit Antifashist Botëror. Veteranët dhe shqiptarët kanë çfarë të krenohen, frytet e së cilës përvijohen në koalicione të tjera moderne, modele të sigurisë bashkëpunuese etj. Ideali i lirisë që frymëzoi ata qindra mijëra të rinj në vitet e Luftës Antifashiste, mbeti i gjallë dhe në dekadat që sollën fillimin e Luftës së Ftohtë dhe përfshirjen e Shqipërisë në kampin socialist. Kjo ishte hallka që mbajti gjallë lidhjet e shqiptarëve me botën demokratike dhe që solli ndryshimin e regjimit; dhe dekada e parë e këtij fillim shekulli mbarti me vete edhe përmbushjen e aspiratës gati një shekullore të popullit shqiptar. Kosova me mbështetjen e SHBA dhe të BE fitoi Pavarësinë, ndërsa Shqipëria u anëtarësua në Aleancën më të madhe demokratike që ka njohur njerëzimi që nga krijimi i tij. Anëtarësimi në NATO, na jep një mundësi unike, një herë në jetë sot, për të ndërtuar sigurinë tonë mbi themele gjaku dhe lirie. Ndihmesa e personaliteteve të spikatura, zbulimi i dokumenteve të reja në arkivat e huaja dhe puna e historianëve të rinj e të talentuar, që i kanë hyrë rrugës për rivlerësimin e historisë së Shqipërisë gjatë luftës, po përcjellin bindshëm të vërtetat e mëdha të historisë botërore, se luftën e provokuan fuqitë e bllokut fashist dhe demokracia Perëndimore i konsideroi agresionin fashist dhe ideologjinë e tij fashiste si armiqtë më të rrezikshëm që kërcënojnë njerëzimin dhe ndihma që u dhanë formacioneve partizane të partive komuniste të vendeve të shtypura të Evropës, ishte tejet e motivuar. Disfata e Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore, që u duk e pashmangshme nga fundi i vitit 1943, tregoi se orientimi tek ajo për zgjidhjen e çështjes kombëtare, ishte i gabuar etj, duke çuar radhë të caktuara në rolin e kuislingëve e kolaboracionistëve, që nuk morën në konsideratë as paralajmërimet e aleatëve se “pas lufte do të dalin para gjyqit si kriminel lufte”. Siç paralajmëron dhe R. Luraghi, anëtar i rezistencës Antifashiste i Luftës së Dytë Botërore, një nga personalitetet më të fuqishme të Historiografisë Botërore dhe mik i Shqipërisë, më në fund do të hartohet një histori e kësaj ngjarje epike dhe tragjike, siç qe lufta antifashiste. Mesazhi është i qartë. Kuptohet parë në retrospektivë, jo gjithçka është zgjidhur gjithmonë drejtë. Por në këndvështrimin njerëzor ne nuk do i lejojmë kurrë vetes të jemi qortues të gjyshërve e prindërve tanë. Jemi të ndërgjegjshëm, sepse ne nuk jemi veçse gjykatës të dobët të vështirësive dhe përpjekjeve mbinjerëzore që bën luftëtarët antifashistë, se gjatë vendimeve të tyre ata u ndodhen përballë problemesh e vështirësish për mbarëvajtjen e Kombit, se këto probleme janë ende përpara nesh dhe që akoma kërkojnë përgjigje. Ndërsa atë ditë të Konferencës XI Kombëtare të Veteranëve të LANÇ-it, munguan TV shtetërore dhe figura të politikës shqiptare, mos vallë ky është respekti për luftëtarët antifashistë shqiptarë?
Sigal