KLSH kallëzon në Prokurori kryetarin e Bashkisë së Kavajës

58
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 226/1, datë 16.03.2015, i ndryshuar, ka kryer auditimin e Bashkisë Kavajë, për periudhën e ushtrimit të veprimtarisë së kësaj bashkie nga Janari 2013 deri më 31 Dhjetor 2014, në përfundim të të cilit Kryetari i KLSH-së, me Vendimin nr. 107, datë 31.08.2015, ka miratuar Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe masat përkatëse të rekomanduara për përmirësimin e gjendjes.
Nga auditimi u konstatuan një sërë parregullsish dhe shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në fushën e urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike, të shoqëruara me një dëm ekonomik në vlerën prej 33 milion lekë, mbi bazën e të cilave KLSH me shkresat nr. 266/13, datë 31.08.2015 dhe nr. 266/14, datë 31.08.2015, ka depozituar pranë organit të Prokurorisë dy kallëzime penale për Kryetarin e Bashkisë Kavajë dhe 10 drejtues e punonjës të kësaj bashkie, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 248 dhe 258 i Kodit Penal. Më konkretisht, nga auditimi rezultuan këto shkelje:
Shkelje në fushën e prokurimeve
Në 2 raste, në procedurat e prokurimit; “Ndriçimi i shëtitores Indrit Cara” dhe “Rikonstruksion i Rrugës Dhimitër Pjeshkazini”, është përdorur një standard i dyfishtë përsa i përket vlerësimit të operatorëve ekonomik pjesëmarrës në tender, ku për të njëjtat parregullsi apo mungesa në dokumentacion janë skualifikuar operatorët ekonomik me oferta më të ulëta dhe janë kualifikuar dhe shpallur si fitues operatorë ekonomik me oferta më të larta ekonomike. Pra KVO jo vetëm që ka vepruar me dy standarde por ka kualifikuar dhe shpallur si fitues operatorë ekonomik të cilët nuk plotësonin kushtet për kualifikim, veprime këto të kryera në kundërshtim me përcaktimet e bëra në Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”.
Në 3 raste, në procedurat e prokurimit: “Rikonstruksion i rrugës Çezmja e Sharrës”, “Rikonstruksion i Rrugës Besa” dhe “Rikonstruksion i Rrugës Skuraj (faza e II ndriçimi)”, janë skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes gabim të ofertës ekonomike anomalish të ulët disa operatorë ekonomik të cilët duhet të ishin shpallur fitues, veprime këto të kryera në kundërshtim me DST, pika 3, nënpika 3/1 si dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”, Kreu V pika 4, shkronja “ë”.
Në 3 raste, në procedurat e prokurimit: “Blerje karburanti(naftë)”, “Mbjellje pemësh dekorative përgjatë Shëtitores Josif Budo” dhe “Ndriçimi i shëtitores Indrit Cara”, nuk është anulluar procedura e prokurimit edhe pse asnjë prej operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në procedurat përkatëse nuk ka plotësuar kriteret për kualifikim, veprime këto të kryera në kundërshtim me nenin 46 dhe nenin 53 të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”.
Në 1 rast, në procedurën e prokurimit: “Mbjellje pemësh dekorative përgjatë shëtitores Josif Budo”, është skualifikuar padrejtësisht një operator ekonomik me ofertën ekonomike më të ulët, jo mbi bazën e kritereve të përcaktuara në DST por mbi perceptimin e vetë KVO-së, veprime këto të kryera në kundërshtim me nenin 55, pika 2, të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”.
Në 1 rast, në procedurën e prokurimit: “Rikonstruksioni i rrugës Dhimitër Gjergo”, është shpallur fitues operatori ekonomik i renditur i dyti në klasifikim, veprime këto të kryera në kundërshtim me nenin 58 të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”.
Në 1 rast, në procedurën e prokurimit: “Rikonstruksioni i rrugës dalëse (Princat Topia)”, janë modifikuar, 3 ditë para hapjes, dokumentet e tenderit, pa miratimin e specialistëve të fushës, duke vendosur kritere kualifikuese të cilat nuk kanë lidhje me llojin dhe punët që kërkohen për realizimin e prokurimit, veprime këto të kryera në kundërshtim me nenin 20 dhe nenin 23 pika 2, të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, si dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”, Kreu III, pika 3, Kreu V, pika 2.
Në 1 rast, në procedurën e prokurimit: “Rikonstruksion i Rrugës së Tironsve”, për të mos anulluar procedurën e prokurimit janë kualifikuar pa të drejtë të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës, edhe pse nuk plotësonin kriteret për kualifikim, pra tenderi duhej të përsëritej, veprime këto të kryera në kundërshtim me VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimin publik”, kreu VII, pika 1.
Në 1 rast, në procedurën e prokurimit: “Rikonstruksioni i shëtitores Josif Budo dhe Lulishtes Indrit Cara”, janë vendosur kritere kualifikuese të cilat nuk kanë lidhje me llojin dhe punët që kërkohen për realizimin e prokurimit, në kundërshtim me nenin 20, neni 23 pika 2, të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, si dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007, “Për rregullat e prokurimin publik”, Kreu III, pika 3, Kreu V, pika 2 dhe VKM nr. 42, datë 16.01.2008, Kreu IV.
Shkelje në fushën e urbanistikës
Në 12 raste të miratimit të strukturës ndërtimore për objekte private, nuk ishin zbatuar distancat nga kufiri i pronës, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në pikën 1 e 3 të nenit 70/33/1, të Ligjit nr. 110, datë 01.04.2013 “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar, si dhe me shkronjën “e” neni 3, shkronja “ll” pika 3 të nenit 39 dhe shkronja “a” pika 8 të nenit 40, të VKM nr. 502, datë 13.07.2011 “Për miratimin e Rregullores uniformë të kontrollit të zhvillimit të territorit”, të ndryshuar.
Në 20 raste të miratimit të lejeve zhvillimore të ndërtimit për punime në infrastrukturë, nuk ishte plotësuar dokumentacioni përkatës teknik e ligjor, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 70/1 dhe pikën 1, 2, 3, të nenit 70/14, të Ligjit nr. 110, datë 01.04.2013 “Për planifikimin e territorit”, si dhe nenin 14 e 19, të VKM nr. 502, datë 13.07.2011.
Nuk ishte ngritur qëllimisht Këshillit Teknik i Bashkisë, organi kryesor në drejtim të kualifikimit dhe certifikimit të lejeve zhvillimore apo dhe leje përdorimi, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në pikën 3 neni 10, të Ligjit nr. 110, datë 01.04.2013 “Për planifikimin e territorit” dhe nenin 45, të VKM nr. 502, datë 13.07.2011 “Për miratimin e rregullores uniformë të kontrollit të territorit”.
Nuk ishin hedhur qëllimisht të dhënat e aplikimeve për leje zhvillimore në Regjistrin e Planifikimit të Territorit, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 51, 52, 53, 56, 57 dhe 58, të Ligjit nr. 10119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar, ku përcaktohet që: “Botimi në regjistër, kur nuk është përcaktuar ndryshe me ligj, është kusht i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për hyrjen në fuqi të aktit”, si dhe VKM nr. 460, datë 16.06.2010 “Për organizimin dhe funksionimin e Regjistrit të planifikimit të territorit”.
Nuk janë zbatuar kërkesat ligjore në hartimin dhe miratimin e Instrumentit të Përgjithshëm Vendor, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 3, të Ligjit nr. 110, datë 01.04.2013 “Për planifikimin e territorit”, i ndryshuar.
Janë miratuar leje zhvillimore të ndërtimit në objekte private dhe publike, pa u miratuar Instrumenti i Përgjithshëm Vendor, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 4, të Ligjit nr. 110, datë 01.04.2013 “Për planifikimin e territorit”.
Nuk është vënë në përdorim portali web i sistemit GIS, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 52, të Ligjit nr. 10119, datë 23.4.2009 dhe VKM nr. 459, datë 16.6.2010 “Për miratimin e standardeve të përbashkëta gjeodezike dhe GIS”.
Nuk janë dërguar në Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit, kopjet e lejeve zhvillimore të ndërtimit, si dhe nuk janë dërguar në Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit informacionet në lidhje me zhvillimin e tokës si dhe raportet vjetore në lidhje me çështjet administrative të territorit, veprime këto në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 70/12, të Ligjit nr. 110, datë 01.04.2013 “Për planifikimin e territorit”, si dhe pikën 3 dhe 4 të nenit 80, të Ligjit nr. 10119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”.
Sa më sipër, për të gjitha shkeljet e konstatuara nga auditimi në drejtim të mosrespektimit të dispozitave përkatëse ligjore e nënligjore në dispozitave ligjore e nënligjore në fushën e urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike, KLSH me shkresat nr. 266/13, datë 31.08.2015 dhe nr. 266/14, datë 31.08.2015, ka depozituar pranë organit të Prokurorisë dy kallëzime penale për E.Rr, Kryetar i Bashkisë Kavajë; F.L, në cilësinë e Drejtorit të Planifikimit të Territorit; dhe E.B. dhe J.M, në cilësinë e ish-Drejtorëve të Planifikimit të Territorit; Th.D, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore; F.K, me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Urbanistikës; A.M dhe E.A, me detyrë Përgjegjës Sektori; D.H, me detyrë Jurist; D.M, me detyrë Inxhinier Mekanik; dhe M.D, me detyrë Specialist, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 248 dhe 258 i Kodit Penal.
Në total, bazuar në shkeljet e konstatuara në këtë auditim, KLSH ka rekomanduar dhënien e masave të ndryshme disiplinore dhe administrative, për 56 punonjës të Bashkisë Kavajë, si “Largim nga shërbimi Civil”, “Zgjidhje e Kontratës së Punës”, “Mbajte deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë 6, deri në 12 muaj”, “Vërejtje deri në largim nga shërbimi civil”, “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”, nga të cilat në 10 raste masat e rekomanduara janë për Drejtues të Nivelit të Lartë dhe në 5 raste për Drejtues të Nivelit të Mesëm/Përgjegjës.