KLD: Problem vonesat e gjyqeve, të rishikohen detyrimi ligjor për të shmangur pritjen

492
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, përmes një skaneri që u ka bërë gjykatave në vend për procedurat e hedhjes së shortit të dosjeve gjyqësore, ka konstatuar problematika të shumta, çka duket se vënë në pikëpyetje jo pak vendime të firmosura nga gjykatësit. Në një raport tematik të miratuar nga KLD-ja, theksohet fakti se në shumicën e gjykatave në vend, rezulton të jetë shkelur afati prej 7 ditësh për hedhjen e shortit elektronik për çështjet gjyqësore. Në raportin prej 248 faqesh, theksohet fakti se në Gjykatat e Apelit në vend, në fenomen shqetësues është kthyer lista e pritjes, çka nënkupton se deri në shqyrtimin e çështjes, palëve në proces u duhet të presin edhe me muaj. 
Kjo veprimtari administrative e kryetarëve të gjykatave – theksohet në raport – është e lidhur drejtpërdrejt me efiçencën e sistemit të drejtësisë, me dhënien e drejtësisë pa influenca të papërshtatshme dhe me masën e besimit publik te gjyqësori si një i tërë. Lidhur me procedurat e hedhjes së shortit për çështjet gjyqësore, inspektorati i KLD-së ka konstatuar jo pak problematika. Konkretisht, në 29 gjykata, kryetari thuhet se ka nxjerrë urdhër formal për periodicitetin e shortit. “Në 15 gjykata, është konstatuar se urdhri ka qenë formal, pasi në të mungonte data apo ora e paracaktuar; apo mungonte forma elektronike e zhvillimit të tij”, evidentojnë inspektorët. 
Këshilli i Lartë i Drejtësisë rekomandon që të rishikohet vendimi “Për procedurat e ndarjes së çështjeve me short” dhe të përcaktohen me saktësi detyrat e kryetarit të gjykatës. Këshilli rekomandon që në gjykatat me volum të lartë çështjesh procedura e hedhjes së shortit të përcaktohet dhe kryhet më shpesh se një herë në javë. Sipas KLD-së, kryetarët e gjykatave duhet të detyrohen që shortin ta kryejnë vetëm në mënyrë elektronike, si dhe të publikojnë kopjen e urdhrit të shortit. Gjithashtu, KLD-ja rekomandon se krerët e gjykatave duhet të dokumentojnë saktësisht rastet e shmangies së shortimit të çështjeve nga orari i përcaktuar, si dhe rastet e përjashtimit të gjyqtarëve nga shorti. KLD-ja i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që të rishikojë detyrimin ligjor, për të përmirësuar legjislacionin për kompetencat e kryetarëve të Gjykatave të Apelit, për të shmangur fenomenin e listës së pritjes.
Sigal