I vunë flakën azilit e filmuan dhe e hodhën në rrjetet sociale, jepet dënimi për shqiptarët

534
Sigal

Ditën e sotme dy shtetas shqiptarë, që i vunë flakën qendrës së azilit në Gjermani dhe më pas filmimet i hodhën në rrjetet sociale, kanë marrë dënimin nga një gjykatë në Bon.

Ngjarja e rëndë ndodhi në gusht të vitit të shkuar. Personi që vuri flakën u dënua me 4 vite burg dhe ai që e filmoi me tre vite e gjysmë.

Dy të rinjtë kishin shkuar në Gjermani vitin e kaluar në prill. Por brenda pak ditësh iu ishte refuzuar kërkesa për azil. Të zemëruar, ata vendosën t’i vënë flakën qendrës së azilit, ku ndodheshin 250 persona, mes tyre edhe 43 fëmijë. Ngjarja shkaktoi shumë zemërim te gjermanët dhe mund të kishte përfunduar në tragjedi.

Prokurori tha se videoja e ngjarjes ishte e tmerrshme. Të pandehurit kanë një arsimim të ulët dhe mund të mos e kenë kuptuar çfarë kanë bërë, tha gjyqtari.

Gjithashtu shtoi se askush nuk e kupton si mund t’i vënë flakën godinës vetëm pse janë të stresuar.

Dy të rinjtë shqiptarë dukeshin të dëshpëruar gjatë vendimit. Ata do deportohen pasi të kryejnë dënimin. Gjykatësi tha se nëse vënë këmbë sërish në Gjermani, do të kyçen në qeli sërish.