OFL sekuestron pesë automjete në Berat, në shënjestër të aksionit dhe 30 ‘të fortë’ të tjerë

131

Operacioni Forca e Ligjit ka sekuestruar pesë mjete luksoze në Berat, në sajë të aksionit për të goditur eksponentë të krimit, të ardhurave të të cilëve vijnë nga veprimtaritë kriminale.

Këto mjete janë nisur drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Tiranë. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë Berat konfirmojnë se të pesta mjetet e bllokuara nga policia janë autovetura me proceduara të përfunduara “sekuestroje”.

Gjatë aksionit për transportimin e mjeteve të sekuestruara, policia e Beratit ka marrë të gjitha masat për lirimin e kalimit të eskortës së policisë me mjetet në të gjitha akset brenda qytetit të Beratit si dhe në aksin nacional Berat-Tiranë, ku janë vendosur forca të shumta policie në çdo rrugë.

Të njëjtat burime konfirmojnë se subjektet nën hetim, që iu janë sekuestruar këto mjete, janë objekt i Operacionit Forca e Ligjit, i cili u ka dërguar ditë më parë edhe shkresën për deklarimin e pasurisë së tyre brenda 48 orëve.

Po kështu, mësohet se Operacioni Forca e Ligjit ka piketuar për hetim në Berat rreth 30 subjekte, të cilëve do t’u dërgohet në ditët në vijim shkresa zyrtare për deklarimin e pasurisë, të cilën duhet ta plotësojnë e ta dorëzojnë brenda 48 orëve.