Këshilli Bashkiak kalon ngërçin, miratohen disa projekte e vendime

68

SARANDË/ Bashkimi PS-LSI miraton vendimet me shumicë, zgjedh dhe Sekretaren e Këshillit Bashkiak

Është mbledhur në mesditën e së premtes Këshilli Bashkiak i Sarandës, i njohur kohët e fundit për ngërçet institucionale të krijuara pas prishjes së koalicionit PD-LSI, duke miratuar njëkohësisht ndihmën sociale për familjet në nevojë dhe një sërë projektesh në infrastrukturë, deri tani të bllokuar nga lufta politike e bashkiakëve. Megjithëse pati kontestime nga ana e këshilltarëve të PD-së e aleatëve në minorancë, përballë shumicës PD-LSI, u arrit të kalohet ngërçi disa mujor dhe të rikthehet normaliteti në punën dhe aktivitetin  njësisë vendore. Kjo erdhi pas dështimeve të dy mbledhjeve të para. Në mbledhjen e djeshme, falë shumicës së votave, u zgjodh sekretarja e Këshillit Bashkiak, kandidaturë e propozuar nga LSI.

VENDIMET E PROJEKTET

Këshilli ka miratuar edhe ndihmën sociale për muajin Tetor për 138 familje me një fond prej 332400 lekë. Po ashtu, pas diskutimeve nga këshilltarët për shoqërim projektesh, është miratuar edhe projektvendimi për “Një ndryshim të Vendimit të Këshillit Bashkiak në zërin e investimeve”, i cili ka të bëjë me kërkesën e sektorit të shërbimeve publike të bashkisë, për arsye emergjente,të bëhet transferta e fondit prej 2.350.000 lekë për rikonstruksionin e rrugës “Telat Noga”, fond që do shkëputet nga ndërtimi i infrastrukturës së rrugës së pestë. Është rrëzuar dhe është shoqëruar me debate kërkesa nga Drejtoria e Planifikimit dhe e Kontrollit të Zhvillimit të Territorit pranë bashkisë së Sarandës për miratimin  e lejeve të përdorimit të strukturave të ndërtuara me shkelje të kushteve të lejeve të ndërtimit përpara fillimit me efekte të plota të ligjit Nr.10119 datë 23/04/2009 “Për planifikimin e territorit” të ndryshuar, në zbatim të Ligjit Nr 8652 datë 31/07/2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”, neni 32, “Akt normativ Nr.1 datë 6/02/2013 “Për miratimin e lejeve të përdorimit të strukturave të ndërtuara me shkelje të kushteve të Lejes së ndërtimit”. Kjo ka qenë pika më e nxehtë e mbledhjes. Ajo është rrëzuar dhe 40 subjekte që shoqëronin listë-kërkesën do të presin mbledhjen e radhës.

PROBLEMET

Siç u reflektua edhe dje në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, qyteti turistik bregdetar i Sarandës ka dhe shumë probleme të tjera, për të cilët duhet vendim marrje e forumit më të lartë vendor. Ndërkohë, LSI-ja nuk heq dorë nga deklarata e sajë e fundit për kërkesat ndaj PS në ndarjen e pushtetit në bashki. Nuk dihet fati i mëtejshëm i vendimeve dhe i formatimit të komisioneve në Këshillin Bashkiak të Sarandës, lidhur me këtë problematikë të gjerë që nuk u bë objekt i mbledhjes së djeshme. Gjithsesi, duhet përshëndetur mbledhja e djeshme, e cila u shoqërua me frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit. Por duket se toleranca ka qenë e sipërfaqshme, pasi problemet, në rast mosplotësimi të kërkesave të LSI-së, do të acarojnë klimën në Këshillin Bashkiak të Sarandës. Por kjo i takon së ardhmes.