Mbyllen minierat, banorët i rikthehen vreshtarisë

574
Sigal


PËRRENJAS/Specialisti Shefqet Vila: Në 5 vite u dyfishua prodhimi. Është biznes për mbijetesë

Për shkak të mbylljes së minierave dhe kufizimet e punësimit në administratë, banorët e zonës së Përrenjasit i janë rikthyer investimit në vreshtari e frutikulturë, traditë e njohur kjo në të kaluarën në këtë zonë. Sipas konfirmimeve të gazetës “Telegraf” në zyrat rajonale të bujqësisë, vetëm në harkun e 4-5 viteve të fundit, sipërfaqja me vreshta e pemëtari në këtë zonë është dyfishuar. Këto shifra si dhe përpjekjet e fermerëve për investime në këtë fushë, i konfirmon dhe Shefqet Vila, specialist i bujqësisë në këtë zonë.

VRESHTARIA

Minierat e njohura në Përrenjas e zonat periferike, pas vitit 1990, erdhën duke e reduktuar aktivitetin nga viti në vit. Prej 5-6 vjetësh, ato pothuaj e kanë ndërprerë prodhimin. Shumë prej galerive të braktisura janë kthyer objekte, ku punëtorët punojnë ilegalisht për mineral apo për skrap. Kjo ka bërë që herë pas here, nga rrënimi i galerive të shënohen aksidente të rënda me humbje jete. Në këto kushte, për shkak edhe të strukturës së tokës (jo efektive për kulturat bujqësore), banorët i janë rikthyer vreshtarisë dhe pemëtarisë. Specialistët pohojnë se, vreshtaria, është burimi kryesor i të ardhurave për banorët, duke zëvendësuar kështu misrin grurin e kulturat e tjera bujqësore. Gjatë vitit 2013, në krahasim me vitin e kaluar ka një rritje të sipërfaqes së mbjella me vreshtari dhe pemë frutore. Madje dhe një rritje të rendimenteve të prodhimtarisë, kjo falë dhe kujdesit në trajtimin me pesticide në luftimin e sëmundjeve, si dhe përzgjedhjen e varieteteve që i përshtaten zonës. Zona e Përrenjasit shquhet për prodhime cilësore në këtë fushë, ndërkohë që fermerët janë bërë mjeshtër të kultivimit.

FERMERËT E SPECIALISTËT

Një nga banorët, Xhemal Bregu thotë se, ai synon që së shpejti, sipërfaqen me vreshta dhe pemë ta çojë në 1 hektarë. “Zona e Përrenjasit ka qenë një nga zonat më prodhuese të rrethit të Librazhdit dhe një ndër furnizueset kryesore të rrethit më këto prodhime. Investimin kryesor unë e kam bërë në pemë frutore, kumbulla, qershi dhe kryesor në vresht. Kultivoj rrush të varieteteve të ndryshme si për verë ashtu dhe për tavolinë. Për këtë këshillohem dhe me specialistë të mirëfilltë”- shton Bregu për “Telegraf”. Kështu, në Rashatan të Bashkisë së Përrenjasit, megjithëse një vend që i mungon uji, fermerët i janë përkushtuar totalisht investimit në bujqësi, kryesisht vreshtari dhe frutikulture. Banorët thonë se shtimi i vreshtarisë është një ogur i mirë dhe për shtimin e të ardhurave  pasi siç dihet  ku qytet është shume i varfër dhe shumë njerëz janë të pa punësuar  kështu që  të paktët janë vetë punësuar shumë njerëz.

Ndërsa specialisti i bujqësisë Shefqet Vila thotë: “Zona e Përrenjasit ka një interesim më të mirë në krahasim me zonat e tjera të Librazhdit në drejtim të kultivimit të pemëtarisë dhe vreshtarisë, është një zonë shumë punëtore. Fermerët kanë arritur rezultate për faktin se janë më të rregullt dhe të interesuar për  varietet që do të kultivojnë, si dhe shërbimet që ju duhen bërë këtyre kulturave, duke përdorur dhe këshillat e specialistëve e luftimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve të ndryshëm që këto duhen trajtuar”.