‘Jeta jonë, skëterrë’! Dëshmia e dy prindërve të gjyqtares Hafizi

401
Dy prindërit e gjyqtares Fildeze Hafizi të vrarë nga ish-bashkëshorti i saj Fadil Kasemi, janë thirrur në prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku kanë treguar konfliktet që kanë pasur me ish-dhëndrin e tyre tashmë të arrestuar.
Benjamin dhe Nafije Hafizi, janë paraqitur ditën e Premte tek prokurori Dritan Prençi, ku kanë dhënë shpjegime dhe njëherësh janë interesuar lidhur me fatin e hetimeve që kjo prokurori po kryen lidhur me vrasjen e vajzës së tyre.
Nga sa mësohet prokuroria është në fazën përfundimtare të hetimit kundër Fadil Kasemit dhe se të premten ka kryer veprimet e fundit proceduriale, duke pyetur dy prindërit e viktimës dhe njëherësh duke i vënë në dijeni ata se dosja kundër ish-dhëndrit do të shkojë në gjykatë.
Mësohet se burrë e grua i kanë treguar prokurorit Prençi, konfliktet që ka pasur vajza e tyre me burrin, divorcin që zhvilloi me të dhe së fundi, kërcënimet me vrasje gjatë kohës kur Fadil Kasemi ka qënë në burg dhe pasi ka dalë. “…Jeta jonë është mbuluar nga skëtera…, që nga momenti kur lindën konfliktet mes ish-dhëndrin dhe vajzës…”-mësohet ti kenë dhënë prokurorit Prençi, dy prindërit e gjyqtares Fildeze Hafizi. Pak kohë më parë prokuroria e Krimeve të Rënda u njoh dhe me vendimin përfundimtar të tre ekspertëve psiqikë, të cilët në konkluzjonin e tyre e kanë nxjerë Kasemin si person i aftë mëndërisht.
Kasemi akuzohet dhe për pengmarrje
Fadil Kasemi, menjëherë pasi ka qëlluar me plumba ish-gruan e tij është larguar me ndadalë nga vendi i ngjarjes. Nga krismat e armës, shumë banorë të zonës janë larguar me vrap, ndërkohë Kasemi ka dalë në mes të rrugës dhe nën presionin e armës ka detyruar shoferin e një furgoni të ndalojë në mes të rrugës automjetin e tij. Kasemi ka hipur brenda në furgon dhe sërisht nën kërcënimin e armës e ka detyruar drejtuesin e mjetit që ta nxirte jashtë Tiranës, menjëherë.
Por dëshira e tij për tu larguar nga vendi i krimit duke shpresuar të humbte gjurmët për policinë nuk ka zgjatur shumë, pasi ai është arrestuar rreth 800 metra larg vendit të krimit, brenda në furgon. Ndalimi i tij është bërë pranë komisaritit nr.1 në Tiranë. Në momentin e arrestimit Kasemit, nuk i është gjendur arma e krimit. Por ka qënë shoferi i furgonit ai që ka njoftuar policinë se personi që kishin arrestuar kishte hedhur armën brenda në furgon.
Prokuroria injoroi kallëzimin e gjyqtares
Hafizi ka paralajmëruar vrasjen pasi i është drejtuar edhe Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë me kallëzim për ndjekje penale të të pandehurit Fadil Kasemi për veprën penale të “dhunës në familje” dhe “Kanosja” duke pretenduar se Fadili,ka ushtruar ndaj saj në mënyrë sistematike dhunë psikologjike duke i cënuar integritetin psiko-social. Në këtë kallëzim është pretenduar se Fadili ka patur një pistoletë të cilën e ka nxjerrë nga xhepi, por pa kryer veprime të tjera me të.
Por për këtë kallëzim, prokuroria e Tiranës nuk e ka vënë “ujin në zjarr” dhe ka vendosur mosfillimin e procedimit penal më datën 13 prill 2015.Të dhënat e ofruara nga dokumentet gjyqësore tregojnë se 39-vjeçarja Hafizi ndodhej prej më shumë se dy vitesh nën kërcënimin e vazhdueshëm të ish-bashkëshortit të saj, Fadil Kasemi dhe ndonëse e kishte denoncuar në gjykatë dhe prokurori, nuk ia doli të parandalonte fundin e saj tragjik.