Ja njësitë vendore që kanë abuzuar më shumë me paratë e shtetit

747
Sigal

KLSH ka konstatuar shkelje financiare në shifra marramendëse gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti

 Në zbatim të programit vjetor të kontrollit për administrimin dhe regjistrimin e pronës dhe në fushën e urbanistikës

Në zbatim të programit vjetor të kontrollit, kapitulli për administrimin dhe regjistrimin e pronës dhe në fushën e urbanistikës, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka ushtruar dhe ka evaduar deri më tani kontrollet në Këshillin e Qarkut në Korçë, Komunën e Dajtit, ZVRPP ne Vlorë, Bashkinë e Orikumit dhe Këshillin e Qarkut në Vlorë.

I. KËSHILLI I QARKUT NE KORÇË

Në këtë subjekt janë konstatuar shkelje financiare me dëm ekonomik në vlerën 1.742.713 lekë, ndër të cilat përmendim dëmet ekonomike të shkaktuar:

1. Nga mosvjelja e t.v.sh.-së dhe tatimit në burim, në kundërshtim me pikën 1.4.1, të udhëzimit nr. 5, datë 30.01.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat”, ligjin nr. 7758, datë 12.11.1993 “Për dokumentimin e mbajtjen e llogarive për tatimet” dhe pikën 1.2, të udhëzimit nr. 2, datë 01.08.2006 “Për procedurat tatimore”, në vlerën 813.530 lekë.

2. Nga mospagimi i 1% të vlerës së investimit në kundërshtim me nenin 51, të ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, në vlerën 629.986 lekë. Për përmirësimin e gjendjes, kemi propozuar 3 masa organizative, 4 masa disiplinore, nga të cilat: 3 vërejtje me shkrim dhe 1 largim nga shërbimi civil. Në bazë të nenit 54, të ligjit nr. 7829, datë 01.06.1994 “Për noterinë”, i kemi propozuar ministrit të Drejtësisë, që në bazë të nenit 8/ç të ligjit nr. 7829, datë 01.06.1994 me ndryshime, të largojë nga detyra e noteres për një periudhë deri në 5 (pesë) vjet, noteren e Dhomës së Noterisë ne Korçë, për redaktimin dhe noterimin e aktit të shitblerjes së sipërfaqes prej 3000 m2 truall pronë publike, në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi. Ndërkohë, i kemi kërkuar ministrit të Drejtësisë, ndërhyrjen e Avokaturës së Shtetit, për zgjidhjen e kontratës së shitblerjes së këtij trualli, pronë publike e ndodhur në Qytetin e Korçës.

Gjithashtu, për ish-kryetarin e Këshillit të Qarkut në Korçë, KLSH ka bërë kallëzim penal, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor ne Korçë, për shitjen e  sipërfaqes tokë truall 3000 m2, pronë publike e ndodhur në Qytetin e Korçës, në kundërshtim me ligjin nr. 7980, datë 27.07.1995 “Për shitblerjen e trojeve”, neni 3, dhe ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, neni 28.

II. KOMUNA E DAJTIT

Shkeljet financiare me dëm ekonomik të konstatuar në këtë subjekt janë në vlerën 148.852.528 lekë, ndër to veçojmë.

1. Vlerën prej 136.978.665 lekë, shkaktuar nga mospagimi i 1% të vlerës së investimit “për financimin e studimeve urbanistike”, në kundërshtim me nenin 51, të ligjit nr. 8405, datë 25.07.1998 “Për urbanistikën”, ndryshuar me ligjin nr. 8501, datë 16.6.1999, neni 2; me ligjin nr. 8982, datë 12.12.2002 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore”; vendimeve të Këshillit Komunal nr. 82, datë 19.08.2003 “Për miratimin e tarifës për leje ndërtimi prej 2%”, nr. 61, datë 28.07.05 “Mbi ndryshimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, që rrit nivelin e taksës nga 2% në 3% dhe nr. 109, datë 20.09.2005 “Për ndryshimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”.

2. Vlerën prej 1.734.831 lekë, në fushën e shpenzimeve të telefonisë celulare dhe në dhënien e shpërblimeve, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

3. Vlerën 8.528.758 lekë, shkaktuar nga mosvjelja e taksës për ndërtesën dhe taksës për tokën bujqësore.

Nga kontrolli ka rezultuar se nga ish-komisioni i tokës, për fshatin Linzë,  është ndarë për tokë “arë” sipërfaqja prej 35350 m2 e cila sipas librit të ngastrave figuron në zërin kadastral “pyll”, veprime këto në kundërshtim me ligjin nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën” dhe vendimin e KM nr. 256, datë 2.8.1991 “Për ndryshimin dhe kalimin në gjendjen e tokave dhe detyrat e kadastrës”.

Gjithashtu rezulton se në formularin nr. 6, përveç emrave të tjerë që kanë përfituar tokë bujqësore, është shënuar edhe një person, i cili ka përfituar “për tokë bujqësore” sipërfaqen prej 2300 m2 e cila është “pyll”.

Për përmirësimin e gjendjes, kemi rekomanduar 17 masa organizative, një masë masë administrative gjobë në shumën 100.000 lekë dhe 3 masa disiplinore “zgjidhje e kontratës individuale”, për 3 punonjësit e Zyrës së Urbanistikës së Komunës.

Meqenëse, shkeljet e konstatuara në ndarjen e tokës bujqësore në këtë Komunë po verifikohen nga grupi i kontrollit të KLSH-së në ZVRPP e Tiranës, në përfundim do të vlerësohen masat që duhen rekomanduar.

III. ZVRPP E VLORËS

Nga kontrolli në këtë subjekt janë konstatuar regjistrime të kryera në kundërshtim me urdhrin nr. 44, datë 13.07.1998 “Për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme në raste të veçanta”, për 19 raste me sipërfaqe totale prej 157810 m2. Me qëllim mosbllokimin e tregut të pronës kemi kërkuar që:

1. Regjistruesi t’i drejtohet zyrtarisht Këshillit të Qarkut dhe Bashkisë se Orikumit, për plotësimin e dokumentacionit ligjor për përfitimet nga regjistrimet e parregullta dhe të njoftojë përfituesit e akteve (qytetarët) mbi shkeljet dhe parregullsitë e konstatuara në regjistrimin e tyre.

2. Regjistruesi me plotësimin e secilës nga praktikat dhe konstatimit, rast pas rasti, të përputhshmërisë së tyre me aktet për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, t’i dërgojë për kompetencë kryeregjistruesit miratimin e praktikave të regjistrimit ose fshirjen e tyre.

Krahas sa më sipër, për fshatin Radhimë dhe Tragjas, pas regjistrimit fillestar të kryer nga ZRVPP, në bashkëpunim me Agjencinë Topografike ATA, kanë rezultuar të regjistruar sipërfaqe toke më tepër se dokumenti ligjor “Akti i Marrjes të Tokës në Pronësi” (AMTP) në shumën 1282328 m2.

Për këtë, KLSH ka kërkuar që ZVRPP të trajtojë të gjithë përfituesit (fermerët) në sasinë e kufirit ligjor përcaktuar në AMTP, duke bërë dhe rregullimet përkatëse në Kartelën e Pasurive të Paluajtshme, deri në zgjidhjen ligjore të këtyre përfitimeve pasurore të paluajtshme, nga Komisioni Qeveritar i Tokës, pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së Drejtësisë, si dhe institucioneve të tjera shtetërore të cilat administrojnë pasuritë publike.

IV. KËSHILLI I QARKUT NE VLORË DHE BASHKIA NE ORIKUM

Nga kontrolli në Zyrën e Administrimit, Menaxhimit dhe Mbrojtjes së   Tokës (ZAMMT), Bashkia Orikum dhe në Seksionin e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (SAMT) pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, ka rezultuar se në to nuk gjendej dokumentacioni bazë për procesin e ndarjes së tokës, dhe konkretisht:

– Origjina e  pronës e vitit 1945;

– Regjistri i bashkëthemeluesve të kooperativës bujqësore;

– Certifikata e trungut familjar 1945-1956;

– Certifikata e trungut familjar e vitit 1991;

– Deklaratat e ish-punonjësve të cilët kanë hequr dorë nga e drejta e marrjes së tokës etj.

Nga Komisionet e Ndarjes së Tokës:

-Janë dhënë Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi apo Përdorim për sipërfaqen 123.14 ha, për fshatrat Orikum, Tragjas dhe Radhimë, të ndara në zonë me përparësi zhvillimin e turizmit, në kundërshtim me vendimin e KM nr. 88, datë 01.3.1993.

 – Janë dhënë Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi apo Përdorim për sipërfaqen 255610 m2, në një kohë kur sipas librit të ngastrave nuk figurojnë në zërin kadastral “arë” dhe nuk janë objekt i ligjin nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”.

 – Janë ndarë më tepër 157000 m2 tokë bujqësore se sa sipërfaqja që kanë patur parcelat në fakt.

Gjithashtu:

– Janë konstatuar 27 raste, ku Aktet e Marrjet së Tokës në Pronësi janë me mbivendosje, deri në tre pronarë, me të njëjtin lloj akti dhe për të njëjtën parcelë dhe

– Raste për një sipërfaqe totale prej 965146 m2 me parregullsi të theksuara në  dokumentacion si mungesë në formularin nr. 6, korrigjime në formular dhe në aktet e marrjes së tokës, korrigjime të përfituesve etj.

Duhet theksuar se, janë dhënë  Akte të Marrjes së Tokës në përdorim, për sipërfaqen 121229 m2, në qytetin Orikum, për 31 raste, ndërkohë që këta përfitues kanë marrë tokë (normë të plotë) në Dukat me një sipërfaqe prej 406854 m2.

Propozimet për kallzim penal

Për përmirësimin e gjendjes në këto subjekte, KLSH ka rekomanduar 33 masa organizative, 2 masa disiplinore, ndërkohë që është përgatitur kallëzimi penal:

– Për 3 ish-kryetarë të Komisionit të Ndarjes të Tokës, në Bashkinë e Orikumit;

– Për 2 ish-kryepleq dhe anëtarë të Komisionit të Ndarjes të Tokës, në fshatin Radhimë;

– Për ish-kryetarin e Komisionit të Ndarjes të Tokës, për fshatin Tragjas;

– Për 2  ish-përgjegjës të SAMT – Këshilli i Qarkut ne Vlorë dhe

– Për ish-kryetarin i Bashkisë se Orikumit.

Institucionet e kontrolluara nga  KLSH dhe masat disiplinore:

Në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë: KLSH  ka propozuar 1 përmirësim ligjor, 19 masa organizative; 7 raste zhdëmtimi në shumën 1,431 mijë lekë; 6 masa disiplinore (1 “shkarkim nga detyra”, 1 “kalim në një detyrë të një niveli apo klase më të ulët pë një vit”, 1 “vërejtje me paralajmërim”, 2 “vërejtje me shkrim” dhe 1 “këshillim”.

Në Qendrën e Publikimeve Zyrtare: KLSH  ka propozuar 2 përmirësime ligjore, 18 masa organizative; 1 rast zhdëmtimi në shumën 133 mijë lekë; 2 masa disiplinore “vërejtje me shkrim”; gjithashtu i është kërkuar APP shqyrtimi dhe dhënia e 9 masave disiplinore (1 “kalim në një detyrë të një niveli apo klase më të ulët për një vit” dhe 8 “vërejtje me shkrim”, nga të cilat 2 për punonjës të larguar nga puna). Gjithashtu, grupi ka konstatuar se, nga shpërndarja falas të fletores zyrtare dhe botimeve të tjera, si dhe shitja e botimeve me çmime më të ulëta se kostoja e prodhimit, është shkaktuar një mungesë në të ardhurat në shumën 22,553 mijë lekë.

Në Administratën e Presidentit të Republikës : KLSH  ka rekomanduar 1 propozim për përmirësim ligjor në legjislacionin në fuqi dhe 4 masa organizative.

Në Autoritetin Rrugor Shqiptar: KLSH ka propozuar 3 përmirësime ligjore, 7 masa organizative; dhe 9 masa disiplinore “vërejtje me shkrim”. Gjithashtu, si pasojë e llogaritjes së gabuar të analizave teknike të çmimeve, grupi ka konstatuar një efekt negativ ekonomik në shumën 200 milionë lekë, kurse nga rritja artificiale e fondit limit në disa raste 85,788 mijë lekë.

Në DPSHTRR: KLSH  ka propozuar 1 përmirësim ligjor, 12 masa organizative; 5 raste të shpërblimit të dëmit në vlerën 17,934 mijë lekë; dhe 10 masa disiplinore “vërejtje me shkrim”.

Në Bankën e Shqipërisë: KLSH ka rekomanduar 3 propozime për përmirësime ligjore në legjislacionin në fuqi dhe 9 masa organizative.

Në Ministrinë e Drejtësisë: KLSH  ka propozuar 4 masa organizative dhe 1 masë zhdëmtimi në vlerën 880 mijë lekë.

Në Agjencinë Telegrafike Shqiptare: KLSH konstaton se është shkelur çdo lloj afati i përcaktuar në rregulloren e brendshme të KLSH për përgatitjen dhe evadimin e materialeve të auditimit. KLSH  ka propozuar 1 përmirësim ligjor; 2 masa organizative; 2 masa për shpërblimin e dëmit në vlerën rreth 1,168 mijë lekë; dhe 3 masa disiplinore “vërejtje me shkrim”.

Në KQZ: KLSH ka rekomanduar 5 masa organizative dhe dy masa për shpërblim dëmi në shumën 1,079 mijë lekë.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë: KLSH konstaton  se nuk janë respektuar afatet e përcaktuara në rregulloren e brendshme të KLSH për përgatitjen dhe evadimin e materialeve të auditimit. Ky grup ka propozuar 5 masa organizative dhe 1 masë zhdëmtimi në vlerën 146.5 mijë lekë. Gjithashtu, Grupi ka konstatuar se, për ndërtimin dhe rehabilitimin e ujësjellësave, vlera e kontratës është parashikuar më e madhe në vlerën 13,756 mijë lekë.

Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, KLSH  ka rekomanduar 8 masa organizative; 1 masë për shpërblim dëmi në shumën 541 mijë lekë; 6 masa administrative drejtuar Inspektoratit të Ndërtimit pranë Bashkisë Shkodër për 6 mbikëqyrës punimesh dhe kolaudatorë “gjobë në shumën 50 mijë lekë për person”, gjithsej 300 mijë lekë; dhe 7 masa disiplinore (2 “vërejtje me paralajmërim” dhe 5 “vërejtje me shkrim”.

Në SHISH,  kontrolli i KLSH ka filluar në 15 mars 2012, dhe rezulton se janë respektuar afatet e përcaktuara në rregulloren e brendshme të KLSH për përgatitjen dhe evadimin e materialeve të auditimit. Ky grup ka rekomanduar 4 masa organizative.

Në Inspektoratin Shtetëror të Punës: KLSH ka filluar investigimin në 12 shtator 2011, dhe rezulton se nuk janë respektuar afatet e përcaktuara në rregulloren e brendshme të KLSH për përgatitjen dhe evadimin e materialeve të auditimit. Ky grup ka propozuar 19 masa organizative.

Në Shërbimin Social Shtetëror rezulton se përgjithësisht janë respektuar afatet e përcaktuara në rregulloren e brendshme të KLSH për përgatitjen dhe evadimin e materialeve të auditimit. KLSH  ka propozuar 20 masa organizative dhe 1 masë zhdëmtimi në vlerë 5 mijë lekë.

Në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë,  rezulton se janë respektuar afatet e përcaktuara në rregulloren e brendshme të KLSH për përgatitjen dhe evadimin e materialeve të auditimit. KLSH ka propozuar 16 masa organizative dhe 5 masa zhdëmtimi në shumën 60,103 mijë lekë. Duhet pasqyruar se, masat disiplinore dhe kallëzimin penal, Grupi e ka lënë në kompetencë të Drejtores së ISSH, pas saktësimit të vlerës së dëmit ekonomik.

Në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm në MF   rezulton se janë respektuar afatet e përcaktuara në rregulloren e brendshme të KLSH për përgatitjen dhe evadimin e materialeve të auditimit. KLSH ka propozuar 14 masa organizative, disa prej të cilave janë kundërshtuar nga subjekti i audituar, me argumentin se janë jashtë kompetencave të tij.

Në DPD, auditim performancë në fushën e shkeljeve doganore dhe sanksionet e zbatuara, me Përgjegjës Grupi Livan Hoxha dhe auditues Alfred Zylfi dhe Sali Agaj, filluar në 15 shtator 2011, rezulton se nuk janë respektuar afatet e përcaktuara në rregulloren e brendshme të KLSH për përgatitjen dhe evadimin e materialeve të auditimit, kryesisht si pasojë e ngërçit të lartpërmendur. Në përfundim të këtij auditimi janë propozuar vetëm 3 masa organizative.