Indiferenca e njerëzve dhe mungesa e veprimit të policisë përballë fenomenit të rrugës!

588
Para pak ditësh, në qendër të Tiranës pranë Bibliotekës kombëtare, ndodhi një ngjarje e pazakontë. Teksa kaloja aty pranë, para kësaj biblioteke, pashë që një grua dhe një burrë po ziheshin me njëri-tjetrin. Si fillim ata e nisëm me dhunë verbale, e më pas situata precipitojë, duke u përleshur me dhunë fizike. Ndërsa ata godisnin njëri- tjetrin, madje dhe me grushta, dëgjohej vetëm zëri i gruas teksa i thoshte burrit :- Më jep celularin që më vodhe në çantë. Burri i përgjigjej gruas: – Nuk ta kam marrë unë celularin. Ndërsa “përleshja” mes gruas dhe burrit vazhdonte, ky i fundit e godiste gruan me grushta dhe në fund fare i dha dhe një goditje me çadrën e tij, që mbante në dorë, pasi atë ditë po binte dhe një shi i imët. Pasi burri e gjakosi gruan me çadrën që e goditi, ky i fundit u largua në drejtim të paditur dhe pa i hyrë “gjemb” në këmbë. Ndërsa gruaja e gjakosur bashkë me një fëmijë të vogël që kishte me vete, u largua duke qarë në drejtim e saj, sigurisht atje nga ishte nisur. Gruaja e shkretë, jo vetëm që aparatin e telefonit celularë që i kishte vjedhur hajduti, nuk e mori, por ajo, madje u largua në drejtim të shtëpisë së saj, e gjakosur dhe e tmerruar. Teksa dëgjon për një ndodhi të tillë, në zemër të Tiranës, çdo kush, me siguri që do të befasohet. Por kur mëson se gjatë kësaj ngjarje, madje të trishtueshme, nuk ndërhyri askush, është me të vërtetë një maskaradë njerëzore. Edhe pse shumë njerëz, në momentin e ngjarjes ishin të pranishëm, jo vetëm që askush nuk e mori mundimin apo guximin për të ndërhyrë, por edhe policia nuk u njoftua, por qëndronin dhe bënin sehir në distancë, në rolin e spektatorit! Teksa njihemi me këtë situatë dhe me një rast flagrant, natyrshëm shtrohen dhe disa pyetje: Pse qëndrojnë kaq indiferent njerëzit në raste të tilla, dhe pse nuk ndërhyjnë? Pse nuk njoftojnë, të paktën policinë, për këto raste? Pse patrullat e policisë nuk qarkullojnë në mënyrë të vazhdueshme, në të gjitha rrugët e Tiranës, e aq më keq akoma, në qendër të saj? Pse krijohet frikë dhe tmerr, që femrat të mos jenë të sigurta të ecin rrugëve të Tiranës, e aq më keq akoma, në qendër të kryeqytetit? Pse kanë frikë njerëzit të ndërhyjnë në raste të tilla, a mos vallë ata nuk duhet t’i hapin telashe vetes? Ndërsa “përleshja” në fjalë, mbaroj, iu drejtuam një meso burri, që konstatuam se e kishte parë ngjarjen që cituam, e pyetëm se përse nuk ndërhyri askush për të shuar sherrin dhe pse nuk u njoftua as dhe policia? Ai u përgjigj: Kemi frikë nga personi, se na fikson dhe i hapim bela vetes. Nuk është ky rasti i vetëm që zihen apo konfrontohen njerëz të ndryshëm. Raste të tilla, madje dhe të shumta, ndodhin sidomos nëpër lokalet e natës, në kazino, në linjat e shërbimit urban, dhe në rrugë, si në rastin konkret, që cituam më lart. Pothuajse në të shumtën e rasteve, njerëzit nuk ndërhyjnë, por qëndrojnë indiferent dhe sehirxhinj. Arsyeja tashmë dihet: Ata kanë frikë se janë të pa mbrojtur nga shteti. Nëse një qytetarë ndërhyn apo njofton policinë për një zënkë në rrugë apo për një vjedhje në autobus, shteti duhet të marrë masa për mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së këtij qytetari, në raste se kërcënohet nga i “denoncuari”. Shteti ka detyrim kushtetues që të mbrojë shtetasit e vet, për çdo ngjarje, kanosje apo eventualitet, e aq më tepër për një ngjarje apo fenomen të rëndomtë rruge…
Ferit SHQEFNI
Sigal