Helmësi i zjarreve partizane

75
“Do që të shkruash për Kongresin e Helmesit, më thotë një ditë një nga veteranët e Skraparit, – shko atje dhe në vendin e ngjarjes në atë shesh të bukur ku është mbledhur Kongresi I BRASH dhe ajri do të flasë e t’i flasësh, edhe guri e druri,edhe zogjtë dhe gjethet kuvendojnë ndryshe me njeriun, me historinë”.Nuk e harrova fjalën e atij veteranit që i doli nga shpirti si uji i burimit dhe bëmë këmbë në ato rrugë mali për të shkuar atje ku ia desh zemra veteranit. Rrugës të rrok syri pamje mahnitëse. Kjo krahinë ashtu si i gjithë Skrapari të josh e të befason me historitë, me kulturën dhe traditat atdhedashëse, por mbi të gjitha patriotizmin, atdhedashurinë dhe bujarinë e kanë në thellësinë e shpirtit. Kësaj treve të Skraparit nuk i kanë munguar kurrë brezat fisnikë e burrërorë që bien në gjunjë vetëm përpara flamurit dhe dëshmorëve të atdheut. Mbërrijmë në qendrën e komunës në Potom. Diku të zë syri një lapidar me emrat e atyre që dhanë jetën për çlirimin e këtyre anëve nga pushtuesit. Një tufë me lule dhe nderim të rënëve për liri. Përballë Qafa e Martës së gdhendur në gur në histori. Kapedani Lace Backa me shokë, krahëhapur si shqiponja. Një lapidar i madh! Lufta e vitit 1914 kundër grekëve. Kapedani doli përpara duke thënë “Jam Lace Backa, këtej nuk do kalohet!” Aty mbeten grekët.Shumë i zuri robër. Nuk i vrau, por i shënoi në vesh: “herë tjetër mos u shikoj se keni punë me ne”.
Në Helmësin e Kongresit të Rinisë
Mbi rrugë e nën rrugë shtëpi të reja e të vjetra, burra me tipare babaxhani dhe i buzëqeshin rrugës që po bëhet! Syri të zë dhe shumë plaka veshur me të zeza që me shamitë për të fshirë djersët dhe borzilokun në duar pinë kafe tek njera-tjetra. “Vetëm muajin gusht, që janë ditët e Kongresit të Helmësit, gjallërohet ajo zonë”,thotë njera prej tyre. “Na vijnë fëmijët nga kurbeti dhe më pas malli mbyetet në fotografitë që kemi mbushur xhamat e bufesë”. Duket sikur natyra ndërron pamjen e saj sapo lë pas Potomin. Pas kësaj fillon riviera e mrekullueshme e Lirzës, vendi ku zhvilloi punimet Kongresi. Edhe pse vizitë e përsëritur të mrekullon me bukurinë e saj. Një shesh i vogël mbytur në një det gjelbërimi, ujë i ftohtë dhe ajër i pastër. U ulëm aty mbi një gur dhe po vështronim Helmësin. Helmësi historik, por e turistik. Helmësin e Kongresit të I të Rinisë Antifashiste Shqiptare. Helmësin që ka patur në gjirin e saj për një kohë të gjatë udhëheqësit të luftës. Helmësin që priti 285 delegatët e Kongresit që erdhën nga e gjithë Shqipëria, nga këta 72 ishin vajza. Dhe vazhduan 8 ditë nga datë 1 gusht e deri më 8 gusht 1944. Aty ku ishim ulur, duke soditur gjithë atë hapësirë të pafund e duke mbajtur ndonjë shënim të frymëzuar nga ky vend i mrekullueshëm, afrohet një burrë i moshuar, na përshendet dhe ulet aty pranë, këmbë kryq dhe nxjerr kutinë e duhanit nga xhepi, e pasi mbushi llullën me duhan dhe e vë në buzë, na u drejtua me:
-Po hë, ç’kemi, dukeni sit ë lodhur?! 
-Ja I themi ne, rruga e gjatë dhe e vështirë. 
I moshuari vuri buzën në gaz, pastaj shtoi: 
– Epo helbete, jeni mesuar me asfalt ju, rrugëtoni me fuoristradë dhe as iu shkon ndërmend që të kujtoni ata të rinj e të reja që rrugëtuan në këmbë nga e gjithë Shqipëria e përmes plumbave erdhën këtu në kuvendin e tyre, sepse i thirri Shqipëria. E ndanin kafshatën tok dhe jepnin jetën për një shok. Ishin kohëra të mëdha. 
E ndërsa të sheh në sy mundohet të fshijë ndonjë lot dhe duke folur shpejt e shpejt shkon larg në vitet e rinisë së tij, që nuk ishte më shumë se 18 vjeç kur u bë Kongresi.”Ishim zjarr atëhere, edhe këngët ishin zjarr, tani s’ka nga ai zjarr rinia”. E di çdo të thotë të shkelet vatani? Po duhet ta provosh njëherë që ta dish se nuk ka më keq, nuk ka dhimbje më të madhe, s’të dhimbset jeta fare. Këtu more vëllezër natyrën e kemi të ashpër, por edhe të bukur, sidomos në behar, flladi të mbush mushkritë me ajër të pastër. Në dimër fryn acar e të vete i ftohti në palcë. Duam s’duam jemi të fortë”. 
Biseda mori udhë për të kaluarën e largët dhe i moshuari nis e tregon: 
– Në këto male plot gërxhe, armiqtë zaptues kanë gjetur vdekjen nga shpata, jatagani dhe pushkët, nga bijtë dhe bijat e këtyre shkëmbinjve. Ja atje lart në Qafën e Martës kanë luftuar backallinjtë me në krye Lace Backën me shokë. Kaluan shekuj të tërë. Këtyre maleve nuk iu dëgjuan më vringëllima shpatash e jataganësh, por krisma pushkësh. U derdh përsëri gjak. Këtu u zhvilluan beteja të lavdishme të LANÇ. Dhe dheu mbeti gjithmonë i kuq. Dhe pas kësaj erdhën pranvera të gëzueshme. Rinia shqiptare kuvendoi me zjarr në këtë Kongres. Ja atje tek ai lapidar ka folur Enveri, përshëndeti Kongresin . Ai u dha zjarr rinis nga zjarri i tij. Ata mbushën njësitet partizane. Dhe burrat e kësaj krahine ia merrnin këngës, këngë që u bënë jehonë trimave“. 
Një nga delegatët e Kongresit që u mbajt në Lirëz të Helmësit, Moisi Zaloshnja në kujtimet e tij shkruan se “Kur këndonim pranë zjarreve këngë partizane, na dukej vetja sikur kishim dalë në Qafën e Martës dhe vështronim gjithë hapësirën dhe sikur këndonte këngë partizane i gjithë Skrapari”.
– Më falni e mos ma vini re, u mbajta enkas me muhabet, tani unë do iki se do vete te një mik në Staraveckë. Mbetshi me shëndet, tha duke çapitur nga pleqëria për të shkuar atje ku ka lidhur kafshën. Ndalon pak dhe thotë: Kush të pyesë, Petro Panariti më thonë, nga një fshat i Korçës përmatanë. Ecejaket në këtë zonë i kemi patur të shpeshta, se na ka lidhur miqësia. Eh sa frymëzim të jep kjo krahinë. Ka patur trima, por kur ia thua këtë mendim i moshuari hidhet: “jo bre, dikur po, por tani…Trimat i mori lufta dhe populli u këndoi atyre këngë partizanë pranë zjarreve partizane”.