“Hapet” Ishulli i Sazanit, Tare: Do e kthejmë në destinacion

270
Agjencia Kombëtare e Bregdetit po punon që të kthejë ishullin e Sazanit në një destinacion të rëndësishëm të turizmit në vendin tonë.
Drejtori i saj, Auron Tare e ka nisur punën në këtë ishull me ngritjen e flamurit. Sikurse bën të ditur Tare, nga dita e sotme Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të jetë në Sazan për të udhëhequr një projekt ambicioz në kthimin e ishullit të braktisur në një zonë të rëndësishme të turizmit rajonal.
Për këtë, ai falenderon për bashkëpunimin e ngushtë “Conservatuar de Littoral”, agjencia partnere franceze në këtë projekt.
ishulli i sazanit
Sazani është një nga zonat më magjike të Shqipërisë, me një histori të lashtë që zë fill nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Gjatë mesjetës, ishulli kaloi në zotërimin Venecian. Në kohërat e reja së bashku me ishujt jonianë të Greqisë u pushtua nga Anglia. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.
Një pjesë relikesh nënujore si, amfora e objekte të tjera, janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik dhe atë arkeologjik në Durrës.
Sazani është një perlë turistike e pa shfrytëzuar deri më sot. Ishulli ka një gjeografi të përsosur për të zhvilluar turizmin detar, atë të aventurës, të historisë dhe të peshkimit.
Në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë Franceze të Bregdetit “Konservatori Littoral” specialistë nga AKB, po qëndrojnë në Ishullin e Sazanit për të vënë në jetë planin e veprimit të fillimit të projektit “ Sazani”. Ky projekt synon ta kthejë ishullin e Sazanit në një atraksion turistik të klasit të parë duke respektuar në mënyrë korrekte ekosistemin dhe historinë e ishullit.
Përveç aspektit turistik, projekti kërkon të krijoje në ishull një Qëndër Kërkimore Shkencore, e cila do të kryejë studime mbi ekosistemet detare, arkeologjinë navale, energjinë alternative duke e kthyer këtë qëndër në një fokus të bashkëpunimit me universitete nderkombëtare. /ata/