Rama takohet me Mitsotakis në Bruksel, përshpejtohen negociatat për detin

229
Sigal

Kryeministri Edi Rama, është takuar në Bruksel me homologun e tij grek Kiriakos Mitsotakis, para fillimit të Samitit të NATO-s.

Të dy liderët, ranë dakord të përshpejtojnë negociatat për përfundimin e një marrëveshjeje të përbashkët, me qëllim dërgimin e dosjes për caktimin e kufijve të Zonave Detare të dy vendeve, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Gjatë takimit, Mitsotakis përsëriti mbështetjen e palëkundur të Greqisë për kursin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkruan Kathimerini. Ndërkohë, Rama falënderoi kryeministrin grek për ndihmën e dhënë me dhurimin e 20,000 vaksinave anti-covid, që u dorëzuan të hënën në Shqipëri.

“Mitsotakis vuri gjithashtu në dukje interesin e palëkundur të Greqisë për pakicën kombëtare greke në Shqipërinë e Jugut, si dhe përparimin e Shqipërisë në fushat e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të cilat janë ndër parakushtet që BE ka kërkuar nga Shqipëria për përparimin në bisedimet e saj të pranimit”, tha zyra për mediat e kreut të qeverisë greke.