Funksionimi i patentës me pikë, Spahiu: Ja si do hiqen dhe shtohen pikët

690
Sigal

Flet Ylli Spahiu, drejtori i Shërbimeve Rrugore: Patenta me pikë hyn në fuqi 1 muaj pas miratimit të Kodit të ri Rrugor

Testimi për rifitimin e pikëve nga DPSHTRR, pa pasur nevojën për autoshkollë

Çdo qytetari, që sapo fiton të drejtën për lejedrejtimin, i jepet një total prej 20 pikësh, të cilat mund të ulen deri në 0 pikë, ose të rriten, maksimumi, deri në 30 pikë. Z. Ylli Spahiu, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, shpjegon në një intervistë për “Telegraf” mënyrën sesi do të funksionojë patenta me pikë, si do të hiqen dhe shtohen pikët. Ndërsa, përsa i përket implementimit të patentës me pikë, Spahiu shprehet se janë të gjitha mundësitë që të hyjë në fuqi 1-2 muaj pas miratimit të Kodit të ri Rrugor.

 Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto ka deklaruar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese se me miratimin e Kodit të ri Rrugor do t’i hapet rruga sistemit të pikëzimit të patentave. Pse nuk mund të aplikohet patenta me pikë me Kodin aktual Rrugor? Ku qëndron problemi?

 Është e vërtetë se lejet e drejtimit me pikë nuk mund të implementohen, pa u bërë amendimet e nevojshme në Kodin Rrugor, sepse Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 543, i datës 13 qershor 2013, ku jepen penalizimet në pikë, është në kundërshtim me Nenin 120/1 të Kodit Rrugor, për të cilën drejtoria jonë ka bërë me kohë disa propozime: Së pari, në pikën 2 të Nenit 312/1 të VKM-së nr. 543, thuhet: “Programet dhe kohëzgjatja e kurseve të trajnimit për të rimarrë pikët e humbura përcaktohen nga ministria përgjegjëse për transportin rrugor në aktet, që rregullojnë veprimtarinë e autoshkollave dhe të programeve të testimit”, ndërsa në pikën 3 të Nenit 312/1 të këtij vendimi thuhet: “Për të rimarrë pikët e humbura drejtuesi i mjetit duhet t’u nënshtrohet kurseve të kualifikimit dhe provimeve për kategorinë më të lartë të shënuar në lejen e drejtimit të anuluar”. Këto pika bien në kundërshtim me pikën 6 të Nenit 120/1 të Kodit Rrugor, ku thuhet: “Me humbjen totale të pikëve, mbajtësi i lejedrejtimit duhet t’i nënshtrohet një provimi të kualifikimit teknik të përmendur në nenin 128 të këtij Kodi….”, ndërsa Neni 128 i Kodit Rrugor nuk kërkon, që i interesuari për të rimarrë pikët e humbura t’i nënshtrohet kursit të kualifikimit, por i interesuari mund të procedojë drejtpërdrejti, duke dhënë provimet. Konkretisht, në pikën 2 të Nenit 128 të Kodit thuhet: “Kur nuk ekzistojnë më motivet që kanë përcaktuar marrjen e masës për anulimin e lejedrejtimit, i interesuari mund të procedojë drejtpërsëdrejti, duke dhënë provimet dhe duke bërë verifikimin e kërkesave fizike e psikike të parashikuara për konfirmimin e vlefshmërisë…”. Kjo mospërputhje krijon konfuzion për përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme për rimarrjen e pikëve të humbura.

Së dyti, në pikën 3 të Nenit 312/1 të VKM-së nr. 543, thuhet: “Për të rimarrë pikët e humbura drejtuesi i mjetit duhet t’u nënshtrohet kurseve të kualifikimit dhe provimeve për kategorinë më të lartë të shënuar në lejen e drejtimit të anuluar”. Kjo pikë e detyron drejtuesin e mjetit i cili dëshiron të marrë pikët e humbura që t’i nënshtrohet kurseve të kualifikimi dhe provimit për kategorinë më të lartë të shënuar në lejen e drejtimit dhe në këtë mënyrë i heq të drejtën drejtuesit të mjetit për një kategori lejedrejtimi, në bazë të preferencave të tij. Ndaj ne kemi propozuar që kjo pikë të ndryshohet: “Për të rimarrë pikët e humbura, drejtuesi i mjetit duhet t’u nënshtrohet provimeve, sipas Nenit 128 të Kodit Rrugor për kategorinë më të lartë të shënuar në lejen e drejtimit të anuluar, ose për një kategori tjetër sipas dëshirës së drejtuesit të mjetit, i cili heq dorë nga kategoritë më të larta se kategoria për të cilën dëshiron t’i nënshtrohet provimit”.

Së treti, Kodi Rrugor në nenin 120/1 pika 1 është në kundërshtim me pikën 2 të këtij neni dhe kjo e bën të pamundur zbatimin e lejeve të drejtimit me pikë. Neni 120/1 në pikën 1 thotë: “ … më poshtë regjistri kombëtar, pëson shkurtime (zbritje), në masën e treguar në tabelën e pikëve, në bazë të njoftimeve për shkeljet e normave të sjelljes, për të cilat është parashikuar një sanksion administrativ plotësues i pezullimit të lejedrejtimit, parashikuar në kapitullin V të këtij Kodi”. Sipas kësaj pike është e pamundur të hiqen pike për rastet ,kur nuk është hequr leja e drejtimit, ndaj ne kemi sugjeruar të jetë:

 “ … më poshtë regjistri kombëtar, pëson shkurtime (zbritje), në masën e treguar në tabelën e pikëve, në bazë të njoftimeve për shkeljet e normave të sjelljes, për të cilat nuk është parashikuar një sanksion administrativ plotësues i pezullimit të lejedrejtimit, parashikuar në kapitullin V të këtij Kodi.”

 Atëherë, ku është bazuar patenta me pikë dhe cilët janë aktorët që marrin pjesë në implementimin e saj?

 Sistemi i lejeve të drejtimit me pikë bazohet në ndryshimet e Kodit Rrugor në Nenin 120/1 si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 543. Në këtë sistem marrin pjesë aktorë të ndryshëm që janë: Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Policia e Shtetit, Gjykata Administrative dhe qytetari. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila ka për detyrë të ndërtojë dhe mbajë regjistrin kombëtar të pikëve të lejeve të drejtimit, të shtojë pikët, siç e parashikon Kodi Rrugor, të ritestojë shtetasit që humbasin të drejtën e mbajtjes së lejes së drejtimit, si rezultat i shkeljeve të ndryshme, siç e parashikojnë aktet ligjore. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit është organi që raporton pranë Drejtorisë sonë heqjen e pikëve apo pezullimin e lejes së drejtimit të një shtetasi. Por, duhet të theksojmë se vendimi i policisë pranë Drejtorisë së Shërbimit Rrugor ekzekutohet në momentin, kur i ka kaluar të gjitha fazat e kontestimit të penalitetit të qytetarit. Gjithashtu, Gjykata Administrative ka të drejtë të revokojë një vendim të policisë në rastet, kur ajo gjykon si jo të drejtë vendimin e saj. Dhe së fundi, por jo i fundit nga rëndësia është qytetari që gëzon një leje drejtimi. Drejtoria jonë është e detyruar që nëpërmjet faqes së saj zyrtare t’i ofrojë mundësinë qytetarit të kontrollojë gjendjen e tij të pikëve në çdo moment.

 

A e ka gati drejtoria juaj infrastrukturën e nevojshme për implementimin e patentës me pikë dhe kur mendohet të fillojë ky proces?

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Rrugor ka ndërtuar Regjistrin Elektronik të drejtuesve të mjeteve të bazuar në numrin personal, të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe ka përputhur rreth 700,000 raste. Aktualisht, një grup pune po punon për përputhjen e një kontingjenti të papërputhur (rreth 14,000) në të cilët mund të jenë shtetas të huaj, të cilët nuk përputhen me numrin personal kombëtar, shtetas të cilët kanë vdekur, shtetas të cilët kanë ndryshuar gjeneralitetet me vendim gjykate ose me akte martesore. Por duke qenë se ekzistojnë problematikat e sipërcituara, është e pamundur nga ana jonë të vazhdojmë më tej për ngritjen e infrastrukturës, edhe pse pjesa kryesore e saj ekziston, për arsye se DPSHTRR, aktualisht, i teston në mënyrë elektronike shtetasit që duan të pajisen me lejedrejtimi.

Gjithashtu kemi nënshkruar dhe një marrëveshje me Policinë e Shtetit për bashkëpunim, ku pasqyrohen edhe kërkesat ne lidhje me lejen e drejtimit. Pas hyrjes në fuqi të Kodit të ri Rrugor, Drejtoria jonë është në gjendje që për një periudhë 1-2 muaj të përgatisë procedurat dhe specifikimet teknike për implementimin e lejes së drejtimit me pikë.

Si funksionon leja e drejtimit me pikë

 Çdo shtetas, i cili sapo fiton të drejtën për lejedrejtimin i jepet një total prej 20 pikësh, të cilat mund të ulen deri në 0 pikë, ose të rriten, maksimumi, deri në 30 pikë.

 Ulja e pikëve

Në rast të shkeljeve të normave të sjelljes pëson zbritje të pikëve në bazë të tabelës së pikëve, të përcaktuar nga VKM përkatëse. Zbritja e pikëve, në Regjistrin Kombëtar të drejtuesve të mjeteve, bëhet vetëm në rastet kur është e formës së prere si vendim. Organi i cili heq pikët në lejen e drejtimit (Policia Rrugore) duhet të ketë njoftuar qytetarin dhe të jenë mbyllur të gjitha fazat e ankimimit nga qytetari, pra të jetë marrë një vendim i formës së prerë. Ulja e pikëve pasqyrohet në Regjistrin Kombëtar në rrugë telematike (në mënyrë elektronike, pra, duhet Regjistri Elektronik). Nuk mund të hiqen më shumë se 15 pikë njëkohësisht dhe heqja e pikëve lejohet vetëm në momentin, kur nuk është marrë vendim për pezullimin e lejes së drejtimit. Në rastet kur drejtuesi i mjetit humbet të paktën 3 herë (data e shkeljes merret si referencë) brenda një viti, ku ka si penalitet më shumë se 5 pikë në çdo shkelje, atëherë ky drejtues mjeti duhet t’i nënshtrohet rinovimit brenda 30 ditësh si drejtuesit e mjeteve që kanë 0 pikë në lejen e tyre.

 Shtimi i pikëve

Shtimi i pikëve bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Rrugor në dy raste:

– Drejtuesi i mjetit nuk ka bërë një shkelje të normave të sjelljes, të cilat çojnë në heqjen e pikëve për një periudhe dy vjeçare. Në rast se drejtuesi i mjetit në Regjistrin Kombëtar ka 20 ose më shumë pikë përfiton 2 pikë shtesë dhe nuk mund të kalojë nivelin e 30 pikëve në total. Ne rast se drejtuesi i mjetit në Regjistrin Kombëtar ka më pak se 20 pikë, por më shumë se 0, atëherë numri i pikëve i bëhet 20 në mënyrë automatike.

– Në rastet kur drejtuesi i mjetit i nënshtrohet një testimi për arsye se ka 0 pikë, ose për shtesë kategorie dhe ka më pak se 20 pikë, atëherë numri i pikëve të tij në Regjistrin Kombëtar bëhet 20 pikë automatikisht.

Testimi për rifitimin e pikëve të humbura organizohet nga DPSHTRR dhe pa pasur nevojën për autoshkollë.

Detyrimet ndaj qytetarëve

Çdo drejtues mjeti mund të kontrollojë në kohë reale gjendjen e lejedrejtimit të tij, sipas modaliteteve të treguara dhe të përcaktuara nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Çdo ndryshim i sasisë së pikëve u komunikohet të interesuarve nga ana e Regjistrit Kombëtar (DPSHTRR), por edhe me anë të sms-ve në celularët e qytetarëve që kanë një leje drejtimi.

 Ledjana Saliu